Çështja e binjakëve Trushi, me orgjinë shqiptare vazhdon që të mbajë peng hetimet për autoritet italiane. As reparti i hetimit shkencor nuk arrin dot që t’i japë zgjidhje për gjetjen e fajtorit në lidhje me një krim të bërë rreth 4 vjet më parë. Një Mercedes Classe A, i arratiset policisë gjatë natës. Drejtuesi i mjetit, braktis makinën dhe arratiset në këmbë nëpërmjet fushës së panxharëve.
Hetuesit analizojnë gjurmët që gjejnë tek timoni dhe marshet. Gjithashtu në cilësinë e provës materiale, sekuestrohet edhe një bisht cigareje dhe policia mendoi se me anë të kësaj do të zbulonin edhe autorin e krimit, por gabuan. Në laboratorët e hetimeve shkencore është zbuluar ADN-ja e Eduard Trushit, atë kohë 30 vjeç, shqiptar. Hetuesit e akuzojnë atë dhe ai paraqitet në gjykatë me vëllanë e tij Edmondin.
Ata janë binjakë homozigotë dhe ngjajnë si dy pika ujë. Kanë kodin gjenetik gati identik. Gjykatësi është i detyruar ta shfajësojë atë për pamundësinë e përcaktimit se kush prej të dyve ishin me të vërtetë pas timonit të asaj makine. Vëllezërit akuzohen se janë autorë të vjedhjeve dhe plaçkitjeve në verilindje të Italisë dhe nuk mund të dënohen sepse nuk ka prova të mjaftueshme se kush prej tyre e bëri krimin. Kjo për shkak të trashëgimisë spektakolare gjenetike. Të mërkurën e kaluar gjykata në Verona vendosi për një tjetër pezullim dosjeje. I pandehuri ishte ende Eduardi, këtë herë në gjyq për një grabitje të dhunshme në shtëpi në Nogarole Rocca, në provincën e Veronas.
Eduardi tenton të bëjë një vjedhje gjatë natës, por kapet në flagrancë nga pronari që përpiqet ta ndalojë. Çështja mes tyreve përfundon në grushte. Banditi humbet kapelën e tij në banesë dhe tek ajo gjenden gjurmë djerse. Bëhen analiza të reja në RIS (reparti i hetimit shkencor) dhe përsëri, baza e të dhënave thekson emrin e Eduard Trushit. Por gjyqtarja Laura Donati është e detyruar ta shfajësojë atë, gjithmonë për faktin se nuk mund ta kuptojë se cili prej tyre veproi.
“Për të zbuluar dallime të vogla në kodin gjenetik mes binjakëve, ne do të na duheshin analiza veçanërisht komplekse me ndërhyrjen dhe bashkëpunimin e laboratorëve shumë të specializuar”, rrëfen një shkencëtar i Policisë Shkencore. Pra, identike në të gjitha, përveç shenjave të gishtërinjve. Por ata veshin një palë dorashka dhe Eduardi e Edmondi bëhen i njëjti person.
E njëjta fytyrë, i njëjti model flokësh dhe të njëjtë tatuazhe tek parakrahët. Ata janë 34 vjeç dhe banojnë në provincën e Mantovës. Në Pordenone, në 2016, ata fituan pseudonimin e “binjakëve Lupin”. Dukeshin të pamposhtur, pas timonit të makinave të fuqishme si Mercedes Slk dhe Ford Mustang. Deri më tani, atoritetet italiane kanë zbardhur mbi 100 vjedhje midis Piemontit dhe Venedikut, me sekuestrimin prej 24 mijë euro në para të gatshme, 5 orë Rolex floriri, diamante dhe bizhuteritë e tjera për një vlerë totale prej 300 mijë euro. Harta e bastisjeve të tyre është nga një skaj i hartës së Italisë, nga Mantova në Treviso, nga Gorizia në Pesaro, deri në Pisa dhe Firence.
“Deri në tre procedime penale të pazgjidhura janë shndërruar në aq shumë shfajësime për të njëjtën arsye”, shpjegon Fabio Porta, avokat i gjykatës së Verona dhe mbrojtësi i Eduardit. “Sondazhet e bazuara ekskluzivisht në ADN me vëllezërit Trushi nuk sjellin kudo, sepse nuk ka asnjë mënyrë për të përcaktuar përtej dyshimit të arsyeshëm se është njëri apo tjetri”. Gjithmonë së bashku, të pandashëm dhe shpesh të pakapshëm. Ngjashmëria mashtruese është shpërblimi që luhet në gjykatat e verilindjes, për të lehtësuar dhimbjet e jetës së tyre.