Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka i ka terhequr vemendjen publikisht Autoritetit Kombëtar të Rrugëve dhe kryetarëve të Bashkive për kontratat me kompanitë e mirëmbajtjes së rrugëve. Shkak është bërë situata e fundit në vend me bllokimin e rrugëve nga reshjet e dendura të borës. Xhaçka që qenë vetë në terren për të parë situatën, pasi Ministria e Mbrojtjes ka në varësi Emergjencat Civile.
Ministrja e Mbrojtjes u ndal fillimisht në aksin Skuraj – Burrel, ku është takuar edhe me efektivët e Detashmentit të Mbështetjes Rajonale të Burrelit, të cilët sikundër qindra efektivë të tjerë në shumë qarqe të vendit po punojnë për hapjen e rrugëve apo ardhjen në ndihmë të banorëve në vështirësi.
Ministrja u shpreh se “çdo vit dhe në çdo situatë të krijuar nga përkeqësimi i motit zbatimi i kontratave nga kompanitë që duhet të mirëmbajnë rrugët kombëtare apo ato që lidhin qytetet apo fshatrat ka qenë shqetësimi i rradhës. Edhe gjatë këtyre ditëve janë vërejtur abuzime nga kompani në disa qarqe të vendit, të cilat abuzojnë me kontratat duke u mjaftuar me numër minimal mjetesh borëpastruesesh në akse me gjatësi të mëdha, duke krijuar kështu vështirësi të mëdha për komunitetin në këto zona”.
Xhaçka paralajmëroi monitorim të rreptë të punës së kompanive që kanë për detyrë të hapin rrugët e bllokuara nga bora.
“Përgjegjshmërinë e mijëra efektivëve e specialistëve nuk e ndeshim nga firmat kontraktuese për mirëmbajtjen e rrugëve gjatë këtyre ditëve të vështira. Këto kompani paguhen me paratë e qytetarëve shqiptarë dhe situata që kemi konstatuar nuk është më e mira e mundshme. Unë i bëj thirrje ARSH-së, i bëj thirrje bashkive, të cilat lidhin kontrata me firmat mirëmbajtëse kryesisht për rrugët rurale apo ato rrugë, të cilat lidhin fshatrat dhe qytetet me njëri-tjetrin që të ushtrojnë një kontroll shumë më të mirë, mbi këto kontrata dhe mbi punën e këtyre firmave kontraktuese, për të mos t’ju mohuar qytetarëve shqiptarë atë shërbim për të cilin këto firma janë kontraktuar”, tha Ministrja e Mbrojtjes.
Përmes efektiveve të FA-ve edhe specialistëve të Emergjencave Civile pranë bashkive, por veçanërisht përmes zyrës së prefektit po bëhet një vlerësim i kësaj situate për të hartuar një raport të plotë, konstatimet e të cilit do t’i dërgohen të gjitha institucioneve përgjegjëse./Opinion.al