Home Approccio Italo Albanese Bushati-Milanesi: Partneriteti strategjik Shqipëri-Itali, garanci për bashkëpunimin ekonomik, tregtar, rajonal e global

Bushati-Milanesi: Partneriteti strategjik Shqipëri-Itali, garanci për bashkëpunimin ekonomik, tregtar, rajonal e global

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati, zhvilloi një takim me Ministrin e Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimin Ndërkombëtar të Italisë, Enzo Moavero Milanesi, në kuadër të vizitës së tij zyrtare në Tiranë. Bashkëbiseduesit rikonfirmuan marrëdhëniet miqësore, tradicionalisht shumë të mira dhe me ecuri pozitive ndër vite mes vendeve.

Ministri Bushati theksoi se partneriteti strategjik midis dy vendeve është një garanci për të pasur një bashkëpunim edhe më të madh dhe të gjithanshëm si në aspektin dypalësh, veçanërisht atë ekonomik dhe tregtar, ashtu edhe në zhvillimet rajonale dhe globale.Ministri Bushati vlerësoi qëndrimin mbështetës dhe lobues të Italisë për hapjen e negociatave me BE, në muajin qershor 2019, mbështetje e cila vjen si pasojë e leximit të rezultateve konkrete në reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare.

Gjithashtu, Ministri Bushati falënderoi homologun italian për mbështetjen e Shqipërisë për lobimin në marrjen e Kryesisë së OSBE-së për vitin 2020 dhe shprehu angazhimin për të punuar ngushtësisht brenda Trojkës së OSBE-së. Ai i shprehu mirënjohjen Italisë për mbështetjen që do të ofrojë në drejtimin e Grupit të kontaktit për Mesdheun në 2019, Kryesinë e OSBE-së në 2020 dhe Grupin e kontaktit për Azinë në 2021. Ministri Bushati u shpreh optimist për mbështetjen e mëtejshme dhe rakordimin e veprimeve të përbashkëta për sigurimin e vendit të anëtarit të përkohshëm të Shqipërisë në Këshillin e Sigurisë së OKB për periudhën 2022-2023.

Italia mbetet partneri ynë i parë tregtar dhe një nga vendet donatore më kryesore. Bashkëpunimi ekonomik dhe tregtar mes Shqipërisë dhe Italisë ka arritur një nivel domethënës që konfirmon Shqipërinë si një partner strategjik për sipërmarrjen italiane si dhe një derë hyrëse për tregun në Ballkanin Perëndimor.

Në takim u nënvizua nevoja për një rritje cilësore dhe impulse të reja në thellimin e bashkëpunimit ekonomik për ta ngritur këtë bashkëpunim në nivelin e bashkëpunimit politik, shfrytëzimin e potencialit për forcimin e shkëmbimeve tregtare, bashkëpunimit ekonomik, si dhe nxitjes së investimeve. Në këtë kontekst, palët vunë theksin tek rëndësia e bashkëpunimit në fushën energjetike, në fushën e turizmit, mjedisin, etj. Gjatë bisedimeve u theksua se rajoni i Ballkanit Perëndimor duhet të ketë një të ardhme të qartë në Bashkimin Evropian dhe po aq i rëndësishëm mbetet edhe integrimi dhe bashkëpunimi midis vetë këtyre vendeve. Bashkëbiseduesit vunë në dukje rolin e rëndësishëm të Shqipërisë dhe faktorit shqiptar në drejtim te stabilitetit, sigurisë dhe paqes në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Arbëreshët, komuniteti shqiptar i pas viteve ’90-të, dhe prezenca e shume qytetarëve italianë në Shqipëri përbëjnë urat dhe themelet e miqësisë dhe lidhjeve të shumëfishta mes dy popujve dhe për të cilat, duhet të punohet për ruajtjen e identitetit kombëtar, integrimin e plotë në realitetin ekonomik, social, kulturor, politik, e intelektual.

Share: