Home KRYESORE Del dokumenti/ Dëmtohen provat e grupit ‘Bajri’

Del dokumenti/ Dëmtohen provat e grupit ‘Bajri’

Në një dokument të Prokurorisë për Krime të Rënda të siguruar nga ‘News 24’ pranohet zyrtarisht se ka patur tentativa nga persona të ndryshëm për të dëmtuar provat kundër grupit kriminal “Bajri”, i cili u godit pak muaj më parë në kuadër të operacionit të koduar “Forca e Ligjit. “Është përfunduar këqyrja e CD të vëzhgimeve të kryera gjatë fazës hetimore për subjektet dhe lidhjet e tyre me persona të tjerë jashtë procedimit, që në një mënyrë apo tjetër janë përpjekur të prishin, dëmtojnë apo ndërhyjnë në provat e marra gjatë hetimit të çështjes”, thuhet në dokumentin e institucionit të akuzës.

Burimet e prokurorisë janë tejet të rezervuara për të dhënë detaje, mbi identitetin e personave që tentuan të ndihmonin pjesëtarët e grupit ‘Bajri’ për t’i shpëtuar drejtësisë. Por mësohet se po verifikohet roli i disa personave, mes të cilëve edhe zyrtarë shtetërorë dhe lidhjet e mundshme me grupin kriminal. Që grupi Bajri kishte lidhje të forta në politikë e polici u pranua publikisht nga ministri i Brendshëm i kohës, Fatmir Xhafaj.

Pak ditë pas arrestimit të të dyshuarve, Xhafaj deklaroi në emisionin “Real Story “grupi ‘Bajri’ ka pasur influence shtetërore në kohëra të ndryshme ndër vite, madje edhe në polici”. Ai e cilësoi grupin si ndër më të rrezikshmin ne vend dhe ndër më të fortët në veri.

“Është një grup i mirëstrukturuar kriminal me lidhje të forta familjare e krahinore. Një karakteristikë e grupit është se përdor dhunën ekstreme ndaj rivaleve dhe viktimave”, theksoi Xhafaj në shtator të vitit të kaluar. Sipas Xhafajt, Bajrët e ushtronin aktivitetin kriminal jo vetëm në Shkodër, por edhe qytete të tjera, e madje edhe jashtë vendit në Holandë dhe Belgjike.

Grupi Bajri u godit pas më shumë se 6 muajsh hetime. Por duket se kjo kohë nuk ka qenë e mjaftueshme që institucioni i akuzës të hidhte dritë mbi aktivitetin e tyre kriminal. Prokuroria për Krime të Rënda vendosi të zgjasë afatin e hetimeve, me qëllim kryerjen e disa veprimeve që konsiderohen të domosdoshme, për çështjen penale. Në duart e prokurorëve është edhe telefoni i një personi të dëmtuar nga grupi Bajri, në të cilin janë gjetur të dhëna të forta me rëndësi për hetimin. E ndërsa akuza në vend po grumbullon informacion kundër të dyshuarve, drejtësia holandeze pritet të vendosë më 17 janar për fatin e Behar Bajrit, nëse do ta ekstradojë pse jo drejt vendit tonë./opinion.al

Share: