Home KRYESORE Ermal Mamaqi nuk është intelektual publik ala Çelentano apo Roberto Beninji…

Ermal Mamaqi nuk është intelektual publik ala Çelentano apo Roberto Beninji…

Nga Alfred Lela

Dy djem të rinj (relativisht të tillë) Ermal Mamaqi dhe Gentian Caka janë futur në ‘syrin e ciklonit’ të debatit publik gjatë ditëve të fundit. Mamaqi për shkak të një interviste ne emisionin e tij në Tv Klan, të cilën shumë e panë si lustër për Kryeministrin, dhe Caka për atë që konsiderohet si ‘papërshtatshmëri’ e tij për postin e ministrit të Jashtëm. Mangësi që lidhen me moshën e re dhe ‘kosovarizmin’.

Për këtë të fundit nuk është sekret tashmë se, ne këtej kufirit i quajmë ‘shqiptarë’ kosovarët kur na përkëdhelin egon, por pa na prekur në kallo, si p.sh. Rita Ora, Dua Lipa etj., dhe ‘kosovarë’ kur na hyjnë në hise, bëjnë ndonjë gjurulldi etj. Në këtë jemi hipokritë, por nuk ka gjë. Turmat e përpunojnë veten nëpërmjet vetëdijes kolektive dhe aty e humbin identitetin individual për të krijuar të përbashkëtin, i cili, ngaqë është sajesë i rri mirë aq shumë vetëve.

Me Cakën intelektual, njeriun më të ditur që Rama tha se ka takuar, (unë mbaj Kadarenë të tillë; besoj e ka takuar dhe Kryeministri), duhet të na zemërojë jo mosha dhe as ‘kosovarizmi’, por ‘leja’ që ai i ka dhënë Ramës për ta përdorur si ‘pretekst komunikimi’. Një filozof, njeri i ditur, i lexuar, e me radhë, ruhet shumë që të mos përdoret si pretekst. Kjo për arsye se ka ego të madhe, vetëbesim të madh, që shkon deri në delir, dhe këto janë në fakt edhe shenja të diturisë ose të leximeve të tij. Libri dhe dija të tëhuajësojnë me njerëzit, të bëjnë agresiv me ta, ose të paktën distant dhe kjo është një provë që e gjejmë te shumë individë që banojnë në kufijtë veriorë të dijes.

Përdorja si pretekst e Cakës (njeriu më i ditur i Ramës) vërtetohet dhe nga mençuria për të mos u qenë vjegë e tillë e Ismail Kadaresë (njeriu më i ditur që Rama ka gjasa të ketë njohur-përjashto nëse ka takuar Ekon-meqë ai e ka takuar Roger Scruton-in dhe, ma merr mendja ai është disa herë më i ditur se Caka, por kështu është kur si ‘bibliograf të diturisë’ përdor Batonin).

Shkrimtari Kadare, këtë e dini, i refuzoi me radhë thirrjet e politikës dhe të ‘popullit’ që të bëhej President i Shqipërisë. Ndër të tjera besoj se ai nuk donte të përdorej si pretekst, apo se edhe nuk donte të ecte në territore të vogla për ‘tiraninë’ e tij letrare. Me siguri ka edhe arsye të tjera…

Nëse Caka është përdorur si pretekst komunikimi nuk mund të thuhet e njëjat gjë për Ermalin. Thjesht, për faktin se ai jeton dhe nxjerr jetesën si i tillë, si pretekst komunikimi pra. Në këtë kuptim nuk mund t’i kërkosh parodistit një ‘dalje’ nga vetja, mohim të vetes, shmangie të rolit i cili ai vetë është. Ermali nuk është intelektual publik, nuk mund të presim prej tij akte ala Çelentano apo Roberto Beninji. Jo vetëm se nuk ka pjekurinë, por as edhe shkallën artistike; si të vetëdijes dhe të intepretimit.

Që na sjell te një përmasë tjetër, më e madhe se Mamaqi dhe Caka. Me përjashtime shumë të pakta, artistët dhe intelektualët, ia kanë nënshkruar veten supremacisë së politikanëve të fuqishëm që kanë qeverisur Shqipërinë. Si me Hoxhën, si me Berishën, si me Nanon, e tashmë me Ramën, ata janë vetëofruar ose tunduar për një post drejtori, ministri, apo dhe gjëra më të vogla, drejt oborrit të pushtetit duke performuar një temena që ka qenë më e madhe se dija apo arti i tyre.

Kjo jo vetëm për faj të karakterit të tyre, por edhe të spikamës kryesore të karakterit kombëtar shqiptar i blinduar fort te paradigma e ‘të parit të fisit’. Mamaqi dhe Caka duhen parë si realitete, rastësi, cikle apo viktima.

Kësisoj nuk është i nevojshëm viktimizimi së dyti i tyre./politiko.al

Share: