Home KRYESORE Fytyrë fryme! Nga Norel Zaimi

Fytyrë fryme! Nga Norel Zaimi

Ka rënë dimri dhe ka veshur
përbrenda xhamat me lëkurë të butë uji.
Pik, pik dëgjohen çurga që djersit qelqi, sa në dhomë
me shtëllunga duhani pamja është ftohtë,
shtrati ka shtrydhur dyshemesë gjumin
dhe ti më lexon.

Unë jam poezia. Si rrathët në trungje,
ngjitem turrjelë për ta prekur qiellin me gjethe,
shkruhem, mendohem dhe ulem në gjunjë me kohën.

Ajo është një rrugë në kujtesë,
është pjesë e madhe që mungon dhe shpejton
të futet në zgafella moskthimi.
Pastaj është vetmi.

Unë jam një varg i pafund gjenetik,
jam një ëndërr njerëzore,
jam krijimi i herëve dhe kuptimi
që fillojnë të marrin sendet.

Jam një fytyrë fryme pas xhamit…

Share: