Home KRYESORE Në krye kemi vetëm demagogë! Nga Dr. Enriko Ceko

Në krye kemi vetëm demagogë! Nga Dr. Enriko Ceko

Karakteristika kryesore e një vendi ku gjërat shkojnë përherë e më keq është prania e demagogëve në krye të qeverisjes dhe në krye të opozitës. Faktet se vendi dhe ekonomia nuk bëjnë përpara dhe se cilësia e jetës së qytetarëve nuk përmirësohet, si me ata që janë në fuqi, ashtu dhe me ata që janë në opozitë, por që kanë qenë në fuqi më parë, tregon fare qartë se qeverisja është e mbushur me demagogë e mashtrues ordinerë. Demagogët janë drejtues që e fitojnë popullaritetin duke përdorur paragjykimin dhe injorancën midis qytetarëve të zakonshëm të vendit ku drejtojnë apo ku bëjnë karierë politike (sipas Oxford English Dictionary, Signer dhe Michael), duke nxitur pasionet e injorantëve dhe të pashkollëve, e duke mbytur arsyen e logjikën e qytetarëve të shtresës së mesme.

Demagogët prishin regullat politike të vendosura më parë dhe premtojnë apo kërcënojnë se do vendosin rregulla të reja në politikë dhe këtë e bëjnë duke përdorur bazën e demokracisë, pikëpamjen se fuqia është e popullit, duke pretenduar se ata ushtrojnë thjesht dhe vetëm fuqinë që u jep populli. Demagogët zakonisht pretendojnë që njerëzit që u shkojnë nga pas të kryejnë veprime të menjëhershme, veprime me forcë për t’ju adresuar krizave kombëtare, duke akuzuar oponencën e moderuar për dobësi apo mungesë ndershmërie. Demagogët apelojnë, duke përdorur emocionet e qytetarëve, mangësitë që ata kanë në informacion, duke synuar veprime histerike për të fituar mbështetjen popullore dhe për të fituar autoritet.

Edhe pse demagogët kanë karakteristika të ndryshme individule, ata kanë shumë të përbashkëta. Ata shfrytëzojnë dobësitë e demokracisë, numrin e lartë të popullsisë injorante dhe të paedukuar, duke i nxitur ata në veprime katastrofike nëpërmjet një oratorie të shfrenuar. Në demokraci teorikisht duhet që të mbizotërojë kontrolli i popullit mbi institucionet dhe është pikërisht kjo që shfrytëzojnë demagogët për të përdorur fuqinë që kanë fituar nëpërmjet mbështetjes popullore për të mbytur liritë dhe të drejtat e qytetarëve dhe ligjin e shtetin e së drejtës, që në fakt demokracia reale i mbron (sipas Michael Grant).

Metodat që përdorin demoagogët janë të ndryshme në varësi të gjendjes që u paraqitet atyre për të ardhur në pushtet apo për të mbajtur pushtetin dhe një nga metodat më të njohura që ata përdorin është bërja “dele e zezë” për problemet e vendit dhe të popullit të një shtrese të caktuar. Për shembull, ajo që ndodhi në Shqipëri përgjatë viteve të regjimit komunist kur të tërë fajin për gjendjen e keqe të vendit përpara Luftës II Botërore, j’a faturuan liderëve fetarë dhe atyre që në vitet 1920 – 1930 ndoqën parimet nacionaliste. Shembuj klasikë janë edhe bërja fajtorë e grupeve emigrante apo e etnive të ndryshme si për shembull periudha hitleriane kur u bënë fajtorë hebrenjtë. Demagogët në këtë rast përdorin shprehjet: “ne kemi të drejtë ndërsa ata e kanë gabim”, etj.

Shumë demagogë kanë ardhur në pushtet nëpërmjet përhapjes së frikës midis qytetarëve. Për shembull, në SHBA urrejtja kundër njerëzve me ngjyrë u përhap në masë pasi demaoagogët tregonin në publik se si njerëz me ngjyrë përdhunonin femra të bardha. Demagogët zgjedhin fjalët për të sjellë emocione te njerëzit, por ata nuk përdorin fakte dhe të vërteta, duke bërë që qytetarët të kujtojnë se janë në rrezik dhe në kërcënim. Ata monitorojnë qytetarët dhe u thonë atyre fjalë që nxisin më shumë ndjenjat e tyre për të qenë të bashkuar dhe të kujdesshëm. Në këtë rast, demoagogët arrijnë që të besojnë edhe vetë në gënjeshrat që thonë, sepse populli që u shkon nga pas, për shkak të injorancës dhe frikës, fillon dhe i mbështet edhe më shumë. Kur gënjeshtra nuk funksionon, demagogu, nuk e ka aspak problem që të gjejë një gënjeshtër tjetër.

Gjithashu, oratoria emocionale dhe karizma personale janë armë që shumë demagogë i shfrytëzojnë për të shkuar në thellësi të emocioneve të publikut. Hitleri ishte një ndër rastet më tipike për këto dy aftësi. Ai e fillonte të folurën në publik me ngadalë, me një zë të arsyeshëm, duke treguar jetën e tij personale pas Luftës I Botërore dhe gradualisht e ngrinte tonin, forcën e volumin e zërit, duke shkuar në klimaks kur fliste për hebrenjtë, polakët, çekët, etj, duke i injoruar ata, duke i ofendur ata dhe duke i kërcënuar në mënyrë të drejtpërdrejtë. Njerëzit me arsye normale kur dëgjonin të tëra këto përralla besonin edhe gënjeshtrat më të mëdha, të clat vinin nga aftësia e Hitlerit dhe praktika që ai kishte bërë për të dalë në publik (Shirer, William, The Rise and Fall of the Third Reich.)

Një mënyrë tjetër për të fituar vëmendjen e publikut nga ana demoagogëve është bërja e akuzave ndaj kundërshtarëve për dobësi dhe mungesë ndershmërie apo pabesi.

Ata gjithashtu shfrytëzojnë injorancën e qytetarëve duke bërë premtime të gjërave të pamundura, por që njerëzit i duan. Kjo sjell një efekt emocional në audiencë. Por më e keqja është kur demoagogët nuk mendojnë aspak se ajo që ata thonë mund të krijojë revolta dhe aq më keq ata nuk tregojnë se si do arrijnë të pamundurën. Në këto raste ata marrin poza teatrale, sepse kërkojnë që të sjellin në publik emocione të forta, në mënyrë që publiku t’i votojë apo mbështesë ata.

Dhuna dhe intimidimi fizik janë tipike midis demoagogëve të cilët shpesh nxisin përkrahësit e tyre që të ushtrojnë dhunë dhe të kryejnë intimidime fizike ndaj kundërshtarëve, për t’i dekurajuar ata. Gjithashtu, demoagogët shfrytëzojnë audiencën e pasofistikuar dhe injorante për t’u përballur me idetë dhe pikëpamjet e kundërshtarëve, pa praninë e kundërshtarëve, për të fituar popullaritet të pamerituar, pa bërë debat apo oponencë, por vetëm duke patur mundësinë që vetëm ata të shpalosin idetë e tyre. Në këto raste tipike për demagogët është që t’u vënë epitete ofenduese kundërshtarëve dhe këto epitete i përdorin shpesh në publik.

Demoagogët kanë sjellje vulgare dhe të ekzagjeruara, në mënyrë që të tregojnë se ata janë kundër rregullave të caktuara, apo kundër rrymës dhe kjo sepse ata mendojnë se do kenë vëmendjen e të tjerëve me sjelljet dhe ekzagjerimin që kanë.

Ka disa demoagogë që shfrytëzojnë posturën e thjeshtë dhe veshjet e zakonshme në mënyrë që të hiqen si njerëz të popullit. Në këto raste, demagogët ëjnë përpjekje maksimale që problemet madhore që kanë përballë qytetarët, t’i zgjidhin me veprime të thjeshta, gjë që sjell edhe më shumë vështirësi në zgjidhjen e problemeve që kalon vendi dhe populli.

Gjithashtu, një nga karakteristikat e demagogëve është që ata atakojnë median, duke kërkuar që qytetarët të mos ndjekin lajmet apo edhe të dalin kundër gazetarëve (Luthin, Reinhard H – American Demagogues).

Mesa duket dhe në Shqipëri i paskërkemi këta tipa me shumicë si në krye të vendit ashtu dhe në opozitë, por e keqja më e madhe është e pas tyre vijnë si lukuni me qindra e mijëra injorantë, që besojnë te këta udhëheqës fallco, apo u bëjnë lajka e servilizëm atyre për një copë punë në shtet e për ndonjë tender, koncesion a partneritet publik privat.

Share: