Përktheu nga anglishtja Elvis Zaimi
Ky aspekt i Gëtes është ndriçuar më mirë se kushdo tjetër nga trashëgimtari i tij kryesor i shekullit XX, Thomas Mann. Me ironinë e një të dashuruari (ose ndoshta me një dashuri ironike), Thomas Mann krijoi një seri portretesh mbresëlënëse të Gëtes, duke filluar nga eseja mbi “Gëten dhe Tolstoin” (1922), për të vijuar me Treshen eseistike të viteve 1930 (mbi njeriun e letrave, “përfaqësuesin e Epokës Borgjeze”, dhe Faustin), mandej me novelën “Lotte në Vajmar” (1939), dhe për të mbërritur duke e përmbyllur me “Fantazi mbi Gëten”, e vitit 1950. Nëse do të linim mënjanë “Lotte në Vajmar”, më mbresëlënësi ndër këto shfaqje Gëteane të Thomas Mann është fjalimi i mbajtur prej tij në përkujtimin e 100 vjetorit të vdekjes së Poetit: ”Gëte si përfaqësuesi i Epokës Borgjeze”. Për Mann, Gëte është “..ky njeri i madh, në formën poetike”, profeti i kulturës gjermane dhe i individualizmit të idealizuar, por përmbi gjithçka “kjo mrekulli e personalitetit”, “njeriu i përngjashëm me Zotin” i Carlyle. Si Njeriu Përfaqësues i Borgjezisë, vetë Gëte flet për një “shkëmbim të lirë të koncepsioneve dhe ndjenjave”, shprehje të cilën Mann e interpreton si “një shpërngulje dhe lëzizje karakteristike (transfertë në psikologji) e parimeve ekonomike liberale me kahje për nga lëmi i jetës intelektuale”.
Mann thekson se kthjelltësia dhe qetësia në personalitetin e Gëtes ishin më së tepërmi fryt i një arritjeje estetike sesa një dhunti prej natyrës. Në esenë e shkruar vonë “Fantazi mbi Gëten”, Mann e lavdëron Gëten për “narcizizmin e tij të shndritshëm, kënaqësinë që arrin të marrë nga ndjenja e të pëlqyerit me vetveten, për vetëpërkryerjen, shkrepëtimet dritëhedhëse, dhe në këtë mënyrë për preokupimin për të nxjerrë në pah veten nëpërmjet distilimit të çdo dhuntie personale, I cili e mban kaq seriozisht të shqetësuar pas vetes deri në fund të jetës, saqë vetëm një mendje e vogël mund ta përshkruajë atë si “vanitoz”.
Magjepsja joshëse pas formulës magjike të këtij karakterizimi e shtyn Mann ta përshkruajë vetveten të të njëjtit nivel me Gëten, si këtu ashtu edhe në esenë e shkëlqyer të vitit 1936; mbi “Frojdin dhe të Ardhmen”:
“Imitatio Gëte, me etapat e saj përkatëse të Verter-it dhe Vilhelm Majster-it, periudhën e saj të Faustit dhe Divanit të zgjatur në kohë sa një epokë e lashtë, ende mund t’i japë formë dhe ta mbrujë mitikisht jetën e një artisti-duke e marrë të pandërgjegjshmen e tij për ta ngjitur dhe lartësuar drejt dritës së shprehjes së saj jashtme, sakaq edhe duke e përpunuar dhe luajtur përbrenda saj-siç është mënyra e një artisti-për ta shpënë deri në një ndërgjegjësim sa të thellë aq dhe buzagaz, gjasshëm me atë të fëmijve”
Në rastin e Thomas Mann, Imitatio Gëte ka dhënë për ne Tonio Kruger-in si Verteri, Dr.Faustus si Faustin, dhe Felix Krull për Divanin. Gjejmë tek përshtypjet e Thomas Mann mbi Gëten, jehonën që ai bën, nëpërmjet përsëritjes imitonjëse dhe të paramenduar prej tij të faktit se: ”edhe modelet e përkryera kanë efektet e tyre trazuese, duke qenë se ndikimi i tyre mund të na çojë drejt anashkalimit të fazave të domosdoshme të Bildung (formimit tone) saqë, në pjesën më të madhe të rasteve, e çara për së gjeri e shenjestërs që ato shkaktojnë, mund të na çojë që nuk njohin kufi”. Mann citon, në disa vende, pyetjen qëndrore dhe mizore të Gëtes, thënë në mënyrën e të shprehurit të moshës së tij të thyer, ”A jeton një njeri, atje ku edhe të tjerët jetojnë gjithashtu?”. Gjenden të nënkuptuara në këtë pyetje dy aforizma sipërane Gëteane me kuptime të ndërvarura, që ndërmjet tyre formojnë një dialektikë të krijimit të mëvonshëm; “Vetëm duke i bërë tonat pasuritë e të tjerëve, mundemi të sjellim diçka madhështore në të Qenëshmen”, dhe “Çfarë, në të vërtetë, mund ta quajmë ne si tonën, përveç se energjisë, forcës, vullnetit?”
Gëte i E.R.Curtius është përkryerësi dhe përfaqësuesi përfundimtar i një kulture letrare që vjen nga Homeri dhe shkon nëpërmjet Virgjilit tek Dantja, për të arritur më vonë sublimen tek Shekspiri, Servantesi, Miltoni dhe Rasini. Vetëm një shkrimtar me forcën demoniake të Gëtes, mund të kishte përmbledhur kaq shumë pa rënë brenda përkryerjes së vdekjes. Gjëegjëza jonë tanimë është se Gëte, me gjithë vitalitetin dhe mençurinë, na përball në poezinë e tij më të fortë lirike me një ndërgjegje që është kaq absolutisht e përkushtuar dhe e qëndrueshme për ne, për të pasur besimin se mund ta duam shumë dhe jepemi pas asaj poezie që, edhe pse qartësisht është po aq e fuqishme sa ajo e Wordworth, njëherazi është edhe pafundësisht më pak tronditëse emocionalisht. ”Trilogjitë e Pasionit” (Trilogies der Leidenschaft), megjithë intensitetin e tyre të jashtëzakonshëm retorik, nuk janë poema në qendër të qenies tonë, siç janë “Abacia Tintern” dhe oda “Parakuptime mbi pavdekësinë”.”Preludi” nuk mund të gjykohet të jetë poezi e një rendi më të lartë sesa Fausti, por përsëri kjo vepër duket të jetë më së shumti modeli udhërrëfyes që përcakton standartet vlerore. Gjëegjëza e madhe estetike e Gëtes nuk janë arritjet e tij të narracionit dhe lirikës, asnjë nga të cilat nuk vihet në diskutim, por Fausti, poema madhore më groteske dhe e paasimilueshme e Perëndimit, e dhënë në formë dramatike.(vijon)