Home KRYESORE Prapaskenat/ Kandidati i PS për bashkinë e Tiranës, Rama “driblon” Veliajn?

Prapaskenat/ Kandidati i PS për bashkinë e Tiranës, Rama “driblon” Veliajn?

Kur mbeten vetëm 5 muaj nga dita kur shqiptarët do t’u drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur kryetarët e 61 bashkive mbeten ende të paqartë emrat e kandidatëve. Nëse në Partinë Demokratike ky proces nuk ka nisur ende të mendohet, në kampin socialist Rama vijon të luajë me emrat. Ai është pyetur disa herë nëse do të rikandidohet Erion Veliaj në Tiranë, por kreu i selisë rozë ka përsëritur deri në lodhje shabllonin se “këtë e vendosin forumet”. Edhe roja e parkingut të PS-së e di që vendime të tilla i merr vetë Rama, por mbajtja pezull e emrave deri në frymën e fundit është një lojë që kreu i socialistëve di ta luajë mirë dhe që duket se i jep mjaft kënaqësi.

Edhe këtë të shtunë Rama kishte marrë me vete Veliajn për të dytën ditë radhazi në prezantimin e projektit të Kampusit Universitar të Tiranës, ku foli për një mandat tjetër socialist të kryetarit të bashkisë, sërish e shmangu emrin e kryetarit aktual.

“Brenda këtij mandati të gjitha konviktet do të jenë në situatë katërçipërisht ndryshe dhe ndërkohë, bashkë me Bashkinë e Tiranës do të fillojmë ndërtimin e këtij kampusi dhe brenda mandatit tjetër të kryetarit të ardhshëm të bashkisë ne do të përfundojmë kampusin universitar”, – tha sot Rama.

Prej kohësh në korridoret e selisë rozë flitet për një ftohje mes Ramës dhe Veliajt. Nën zë thuhet se për të frenuar hovin e Veliajt dhe për të goditur klanin e tij në parti, Rama nisi të hedhë në treg edhe emra të tjerë kandidatësh për bashkinë më të madhe në vend. I pari ishte ai i ministres së Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu. Rama nisi të shfaqej shpesh me Ogertën në krah në inspektime spitalesh apo dhënie çelësash të shtëpive të reja për të varfrit. Manastirliu nisi të merakosej edhe për punët në bashkinë e Tiranës.

“Gojët e liga” thanë se në atë kohë ishin portalet e kontrolluara nga Veliaj që “zbuluan” plagjiaturën e doktoraturës së Manastirliut. Por edhe nëse nuk e zbuluan ato, të njëjtat portale e shpërndanë menjëherë për ditë me radhë. Një tjetër emër që u lakua ishte edhe ai i deputetes Blerina Gjylameti.

Protesta e studentëve ishte një tjetër moment që i “hodhi benzinë zjarrit” mes Ramës dhe Veliajt. Në atë fund dhjetori të ftohtë të 2018-ës qarkulloi jo pak teza se studentët ishin ngritur të nxitur nga vetë Veliaj. Sipas atyre që e mbështesin këtë ide, edhe nëse nuk i kishte ngritur Veliaj në protestë, ai po i manipulonte për të përfituar nga situata e krijuar.

Si argument jepej aktivizimi i “Organizatës Politike” të Arlind Qorrit që në fillimet e tij ka qenë pjesë e lëvizjes “Mjaft” të Veliajt. Në korridoret e mazhorancës flitej se Veliaj, i mërzitur me hezitimin e Ramës për t’i dhënë një shenjë për rikandidimin po punonte për rrëzimin e kryeministrit në mënyrë që t’i hapej rruga për më lart. Deklarata e Ramës në konferencën me gazetarët në fund të vitit se Veliaj duhej “varur” u lexua në dy kuptime.

“Po. Ka një komplot në PS dhe jam shumë i shqetësuar për këtë komplot, lëvizje konspirative që synon gjëra shumë më të rënda që nuk i ndaj dot me ju. Jemi duke menduar për një gjyq popullor dhe dënime të rënda, shumë të rënda, internime. Nuk diskutohet që koka është kryetari i bashkisë së Tiranës. Ai është në krye të këtij komploti i mbështetur nga ish-ministri i Brendshëm. Ka edhe të tjerë por nuk ua them dot…

Por ju siguroj që ky grup nuk e ka të gjatë, Veliaj mund të mbjellë pemë sa të dojë, por në një pemë do të varet si shembull që në këtë parti grupet armiqësore nuk e kanë të gjatë dhe do të jetë pjesë e një vepre që do të shkruaj dhe do t’ua jap me autograf” – tha Rama.

Rama për Erion Veliajn: Nuk e ka të gjatë, do të varet në pemë si shembull

Nëse kreu i qeverisë dhe mazhorancës i mohon klanet në PS, një zë i brendshëm i konfirmoi vetëm pak ditë më parë është ish-deputeti Arben Malaj, i cili paralajmëron se konflikti mund të dëmtojë rëndë Partinë Socialiste.

“Ndalni prapaskenat dhe luftën brenda llojit. Kërkohet bashke-përgjegjësi dhe bashkëpunim dhe jo rivalitet absurd. Të dashur kolegë nga mesazhet e drejtpërdrejtë apo te koduara duket se PS po rrezikohet të përfshihet në një luftë brenda llojit. Kjo dëmton rëndë kredibilitetin e saj publik dhe efikasitetin e saj në qeverisje.
Fillimisht dëshiroj të qartësoj se personalisht nuk do të jem asnjëherë pjesë e ndonjë lufte brenda llojit, kjo bazuar edhe në përvojën dhe kontributet e mia në Partinë Socialiste nëpërmjet platformave konkurruese për modernizmin e PS dhe jo nëpërmjet grupimeve për interesa abuzive”, – shkruante Malaj në një status në 15 janar në ‘Facebook’.

A ka një krisje Rama –Veliaj?

Faktet/ Zbulohet se përse janë në konflikt Rama dhe Veliaj
Një konfirmim për përplasjet në PS e ka bërë indirekt edhe vetë Veliaj duke i cilësuar ato thjesht si “cic mice”.

“E kam thënë këtë ditën e parë kur isha në qeveri dhe e kam thënë kur lash qeverinë për bashkinë, unë dhe Edi Rama jemi një paketë. Nëse dikush ka iluzione dhe shpresa e fundit që i ka ngelur opozitës tani që janë të përçarë, tani që po merren dhe me këto skandalet ruse,n ë qoftë se shpresa e tyre e fundit është që do ketë ndonjë cic-mic mes meje dhe Edi Ramës ta harrojnë, se po është kjo shpresë do ngelin gjithë jetën e në opozitë” – tha Veliaj në një intervistë për Real Story vitin e kaluar.

Veliaj sfidon Ramën, shpall vetë rikandidimin për Tiranën
Cili do të jetë fundi i këtij rivaliteti është e pamundur të thuhet. Deri në përzgjedhjen e kandidaturave do të rrjedhë edhe shumë ujë, por e qartë është që brenda guaskës së spektakleve me regji qendrore të Ramës zien “kazani” i vërtetë. ©LAPSI.al

Share: