Home KRYESORE Presioni i opozitës dhe skandalet, ministrja e re anulon koncesionin e parë

Presioni i opozitës dhe skandalet, ministrja e re anulon koncesionin e parë

Pesë ditë pasi ka hyrë në zyrën e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku publikon vendimin e rëndësishëm: Anulimin e koncesionit (PPP) të rrugës ‘Thumanë-Kashar’. Koncesionet e shumta të qeverisë kanë qenë gjithnjë në shenjestër nga opozita. Dhe paraardhësi i Ballukut, Damian Gjiknuri ka qenë ndër më të akuzuarit. Duket se presioni i PD, por dhe skandali me tenderin tek Unaza e Re kanë detyruar qeverinë të anulojë koncesionin e parë. Bëhet fjalë për koncesionin më të shtrenjtë me vlere 54.4 miliardë lekësh (435 milionë eurosh) që e kishte fituar kompania “Gener 2”. Parashikimi i Ministrisë së Financave ishte që pagesa e kontratës koncesionare të fillonte në vitin 2020 me një këst vjetor prej afro 2.5 miliardë lekësh.

Sipas ministres Balluku, fondi i koncesionit do të shkojë për “paktin me universitetin”, por PD deklaroi se ky është mashtrim pasi buxheti i shtetit nuk ka planifikuar shpenzime për këtë koncesion për vitin 2019 pasi pagesat për të fillojnë në vitin 2020.

Gjithsesi në tërësi, PD ka ngritur shqetësimin e vazhdueshëm, për mënyrën si po jepen koncesionet pa transparence dhe me shifra tejet të fryra. Jorida Tabaku disa muaj më parë do të deklaronte se “PPP-të duhet të shoqërohet me një planifikim të qartë dhe transparent nga ana e qeverisë, me institucione fiskale të forta ku nuk bëhet evazion fiskal, me kontrata të forta dhe të sigurta që mund të rinegociohen nëse kushtet ndryshojnë, me një kornizë ligjore të fortë dhe mbi të gjitha me një përllogaritje të saktë për atë çfarë brezat e ardhshëm do të paguajnë për PPP-të”.

Gjatë vitit 2018 u dhanë me koncesion “Rruga Thumanë – Kashar, Rruga e Arbrit, Rruga Milot – Balldren, Rruga Orikum – Dukat”.
/Ri-De

Share: