Home KRYESORE Pse u ndërpre “Forca e Ligjit”?Ambasadori: Pres me padurim të takoj Lleshin

Pse u ndërpre “Forca e Ligjit”?Ambasadori: Pres me padurim të takoj Lleshin

“Forca e Ligjit”, operacioni i trumbetuar shumë nga Fatmir Xhafaj, kur ishte ministër është ndërprere me ardhjen në detyrë të Sandër Lleshajt. Arsyet mbeten mister dhe askush në Policinë e Shtetit nuk dëshiron të flasë në mediat për këtë punë. Ai që ka dhënë alarmin është ambasdori i BE në vendin tonë, Luigi Soreca. Në një intervistë për “A2 CNN”, Soreca tha se vlerësoj maksimalisht operacionin “Forca e ligjit” dhe pres rezultate nga Sandër Lleshaj. Ai madje u shpreh i paduruar për të takuar ministrin e ri.
Intervista e plotë

 Më në fund kanë nisur procedurat për ngritjen e SPAK. Cilat janë pritshmëritë e Bashkimit Europian nga kjo strukturë?

Luigi Soreca: Thirrja e bërë dy ditë më parë për zgjedhjen e prokurorëve në Zyrën e Posaçme të Prokurorisë është një arritje shumë e rëndësishme dhe ne jemi shumë të kënaqur. Kjo vjen pas zhvillimeve të rëndësishme që kanë ndodhur në dhjetor me krijimin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe formimin e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.

Këto janë piketat e para të reformës së drejtësisë. Kjo është një reformë vendimtare për Shqipërinë, për shqiptarët dhe prandaj edhe për Bashkimin Evropian. Tani është koha që magjistratët shqiptarë të aplikojnë në këto pozicione. Thirrja për aplikime është e hapur deri më 7 shkurt. Ne i bëjmë thirrje të gjithë magjistratëve shqiptarë që janë të vendosur, që janë të angazhuar, që janë të pavarur, të aplikojnë për këtë post. Ata duhet të veprojnë në mënyrë të pavarur dhe ne presim me padurim t’i shohim ata në veprim pas dy muajsh, të lirë nga ndikimi i nivelit politik dhe çdo niveli tjetër.

Reforma e sistemit të drejtësisë në Shqipëri është sigurisht e rëndësishme për shqiptarët, është e rëndësishme për vendin, por është e rëndësishme edhe për Bashkimin Evropian duke pasur parasysh vendimin që Bashkimi Evropian do të marrë në qershor lidhur me hapjen e negociatave për Shqipërinë.

Eurobarometri i fundit i BE-së për Shqipërinë, i dalë në dhjetor, na tregon se 93% e shqiptarëve dëshirojnë t’i bashkohen BE-së. Është rezultati më i lartë në të gjithë rajonin deri tani dhe është rritur krahasuar me Eurobarometrin e fundit të BE-së. Pra, shqiptarët e duan BE-në dhe prandaj ne duam të vazhdojmë ta mbështesim Shqipërinë që të bëjë përpara me procesin e reformave dhe në veçanti me reformën e sistemit të drejtësisë.

Opinioni publik pret arrestime në nivel politikanësh. Edhe deputetët e kanë artikuluar një gjë të tillë. A mendoni se SPAK do ta realizojë?

Luigi Soreca: Korrupsioni duhet luftuar në çdo nivel, edhe në nivel politik, prandaj ne presim që SPAK-u, pasi të krijohet, të nisë hetimet në çdo sektor të shoqërisë, përfshirë nivelin politik. Dhe ne presim që ky hetim të pasohet me ndjekje penale dhe dënime. Kjo është vendimtare. Pse është vendimtare? Sepse lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar është një përparësi kyçe për Shqipërinë dhe për Bashkimin Evropian. Dhe lufta lundër krimit të organizuar është po aq e rëndësishme sa dhe lufta kundër korrupsionit.

Shqipëria dhe Ministria e Brendshme në vjeshtën e vitit 2018 iu nënshtruan operacioneve shumë të rëndësishme për zbatimin e ligjit kundër krimit të organizuar. Grupi i punës “Forca e Ligjit” ishte shumë efektiv dhe ne presim që kjo të vazhdojë. Dhe unë pres me padurim ta takoj sërish ministrin Lleshaj sa më parë për të diskutuar si ta vazhdojmë këtë punë edhe kundër krimit të organizuar.

Share: