Home KRYESORE SHBA, aksion për grumbullim të fondeve për vendosjen e monumentit të Skënderbeut...

SHBA, aksion për grumbullim të fondeve për vendosjen e monumentit të Skënderbeut në Prizren

Shqiptarët e Amerikës tani e një shekull janë shquar për dhënien e kontributeve kombëtare duke filluar me aksionet për njohjen e çështjes shqiptare në Amerikë, duke iu përgjigjur aksioneve të shumta kombëtare tash e më shumë se një shekull qoftë në aspektin humanitar, ushtarak, politik, kulturor, fetar dhe shumë aksione të tjera.

Nuk është rastësi se aksionit të Shoqatës së Intelektualëve Shqiptarë “Trojet e Arbrit” të parët t’iu përgjigjen shqiptarët e Amerikës të cilët në mënyrë konkrete e filluan aksionin për grumbullimin e mjeteve financiare për dërgimin e Skënderbeut në Prizren.

Ky aksion u fillua falë koordinatorit të shoqatës “Trojet e Arbrit” Tomë Mrijaj, i cili për pesëmbëdhjetë vjet me radhë është shtyllë e fortë e organizimit shqiptar në Amerikë, si dhe dy veprimtarëve kombëtarë, Pashk Maksuti dhe Gjergj Paloka, të cilët janë të autorizuarit e shoqatës “Trojet e Arbrit” për grumbullimin e mjeteve për monumentin e Gjergj Kastrioti -Skënderbeu në Prizren si dhe muzeut historik mesjetar në Kalanë e Prizrenit, me emrin Gjergj Kastrioti-Skënderbeu.

“Me t’u hapur aksioni, kemi njëzet donatorët e parë shqiptarë nga Amerika që iu përgjigjën thirrjes së shoqatës ‘Trojet e Arbrit’ për të përkrahur këto dy iniciativa kombëtare ku do të bëhet edhe hapi i duhur për vendosjen në vend të një pjese të historisë sonë e cila fatkeqësisht dhe qëllimisht është lanë e mjegulluar”, shkruan mediumi i mërgatës shqiptare në Francë, “Press Independent”.

Image

Donatorët që i përgjigjur thirrjes së shoqatës “Trojet e Arbrit” janë: Zef Berisha, Pashk Maksuti, Andre Tonaj, Luigj Perlleshi, Paulin Gjini, Pashk Berisha, Prend Qeta, Sejlon Lala, Gjin Berisha, Dukagjin Mrijaj, Margon Mrijaj, Nikollë Mrijaj, Gjergj Paloka Fran Qota, Toni Boga, Mhill Gjura, Marjan Cubi, Pashk Bytyqi, Zef Dushi, Artan Maksuti.

Këta janë emrat e parë dhe kësaj iniciative, ndërsa pritet që t’i bashkëngjitën edhe shumë shqiptarë të tjerë nga të gjitha skajet e Amerikës.

“Në emër të Shoqatës ‘Trojet e Arbrit’ i falënderojmë donatorët e parë nga Amerika, kurse opinionin e gjerë gjithëshqiptarë e njoftojmë se janari dhe shkurti i vitit 2019 do të jenë muajt e marrjes edhe të aksioneve të tjera nëpër vende të Evropës. Kah mesi i janarit do të fillojmë me dy takime në Zvicër, për të vazhduar aksionet më pas edhe në Gjermani, Kroaci, Francë, Çeki, Itali, Suedi dhe shtete të tjera të Evropës. Mërgata shqiptare gjithmonë ka qenë krahë i djathtë i realizimit të projekteve shqiptare tash e me shumë se një shekull. Urojmë që kjo mërgatë mos të lodhet por të vazhdon që t’i përkrahë këto dy iniciativa për Gjergj Kastriotin-Skënderbeun. Dhe për fund ju bëjmë thirrje të gjitha organizimeve shqiptare në diasporë pa dallime krahinore, rajonale apo fetare, të gjitha shoqatave, klubeve dhe biznesmenëve të ndryshëm shqiptarë që me mundësitë që kanë ta përkrahin këtë aksion kombëtar”, thuhet në deklaratën e shoqatës “Trojet e Arbrit”.

Shoqata thekson se vendosja e një guri në ndërtimin e kështjellës me emrin Gjergj Kastrioti-Skënderbeu tregon qartë se gjeni dhe shpirti shqiptar është i pamposhtur dhe do të jetojë shekuj me radhë në Trojet Arbërore si dhe te diaspora e madhe atdhetare shqiptare.

Share: