Home KRYESORE Studentët bojkotojnë mësimin, ja çfarë po ndodh sot në fakultete

Studentët bojkotojnë mësimin, ja çfarë po ndodh sot në fakultete

Sot në orën 08:00 studentët janë mbledhur nëpër fakultetet e tyre, jo për të bërë mësim, por për ta penguar zhvillimin e tij. Me karrige e tavolina kanë zaptuar korridoret, duke krijuar kaos me qëllim për të mos lejuar shokët e tyre e as pedagogët të bëjnë mësim.

Pedagogët thonë se nuk mund të hapin leksione apo seminare me dy a tre studentë, duke ua komunikuar këtyre të fundit lajmin në korridor. Por kjo nuk ka eliminuar mundësinë e devijimit për disa studentë, kryesisht vitparistë.

UNIVERSITETI I TIRANËS

Salla e madhe që përdoret për konferenca dhe leksione në Fakultetin e Shkencave Sociale mbushet këto ditë plot e përplot me të rinj që diskutojnë mbi protestën, mes tyre dhe pedagogë. Por, ndryshe nga mbledhjet e mëparshme, ku diskutohej forma sesi do të protestohej, dje u vu në pikëpyetje edhe fakti nëse duhet të ketë protestë.

Te Drejtësia, gjërat janë të ndara. Ata që duan mësim, shkojnë direkt sallën e caktuar që në krye të vitit akademik, ndërsa të tjerë e kanë të qartë destinacionin: salla 402. Edhe pse me vonesë, aty mblidhen zërat revoltues që përcaktojnë mbarëvajtjen e protestës, itinerarin dhe jo vetëm. Oborri i përbashkët i Fakultetit të Histori-Filologjisë dhe Gjuhëve të Huaja gëlon nga të rinjtë, por asnjë s’është për mësim.

POLITEKNIKU

Që në hyrje të Universitetit Politeknik, shashka që ndezi protestën e madhe, disa studentë janë ngujuar te dera për të njoftuar këdo që sheh që ngjit shkallët, se nuk ka mësim. E në fakt, kjo qëndron disi. Një vëzhgim, në çdo sallë në pesë kate vërteton atë që të rinjtë thonë. Përveç një klase, salla 603, që duket se ka devijuar nga vendimi i masës. Më pak se dhjetë studentë zhvillojnë orën e dytë të mësimit, me qëllim për të mos pasur mangësi në sezonin e afërt të provimeve.

Ndërsa të tjerët nuk i druhen fare. “Ne vetëm një muaj mësim kemi bërë, nëntorin, sidoqoftë nuk do futeshim në sezon me aq mësim sa kemi bërë. Gjithçka është e qëllimshme. Studentë që nuk i kemi parë në asnjë seminar dhe pedagogë që rrallë vijnë në leksione, tani po na japin shembull se si bëhet mësim. Por ne jemi shumica dhe jemi të vendosur për të mos pasur kthim mbrapa me kërkesat tona”, shprehet një student i Inxhinierisë Mekanike. Shpresa e tyre e vetme është përgjigjja e Rektoratit për shtyrjen e provimeve pas kërkesës që jo vetëm këta, por thuajse çdo dekanat ka bërë./opinion.al

*Foto nga fakulteti i Drejtësisë në Tiranë

Share: