Home Gjeo-Ekonomia Taksa e ndërtesës/ Nga 1 janari ka hyrë në fuqi formula e...

Taksa e ndërtesës/ Nga 1 janari ka hyrë në fuqi formula e re e pagesës për banesat që varion nga 70 mijë deri 120 mijë në vit

Nga Gazeta Telegraf

 Taksa e ndërtesës, ja sa do të paguajnë qytetarët në 2019-n

Që prej datës 1 janar të vitit të ri 2019, ka hyrë në fuqi formula e re e taksës së ndërtesave sipas të cilës do të përcaktohet dhe shuma që do të paguajë çdo familje. Në Paketën Fiskale është përfshirë ndryshimi i formulës së taksimit të ndërtesave, që më parë dallonte vetëm ato të ndërtuara para 1993-shit, ku u krye privatizimi masiv i banesave shtetërore, me ato të ndërtuara pas atij viti. Ligji parashikonte hyrjen në fuqi të pagesës së taksës së re nga 1 prilli, por kjo nuk u bë e mundur pikërisht pasi kërkohej një punë shumë voluminoze për të llogaritur vlerën reale të çdo shtëpie e kjo bëri që realizimi të shtyhej për këtë vit. Qeveria kërkon të dhëna, të cilat është shumë e vështirë të marrë në rrugë të tjera për çdo banesë në të gjithë territorin e vendit, duke u përqendruar në çmimin që është deklaruar në shit-blerjen e tyre. Në këtë rast, duket qartë se do të përdoren çmimet referencë të ndërtesave, të cilat i ka përcaktuar Këshilli i Ministrave për qytetet e ndryshme të vendit, si dhe për zonat e kryeqytetit, pasi të gjitha janë të ndërgjegjshëm që, pavarësisht nga vlera reale e një transaksioni, në noteri dhe në Hipotekë deklarohet çmimi referencë, që është minimali, për të shmangur sa më shumë tatim fitimin e shitësit (15% e fitimit). Kjo do të thotë që do të përdoren kryesisht çmimet zyrtare për të përcaktuar edhe llogaritjen e taksës për objekte të ndryshme. Me sa duket, referencat, që përdoren gjatë taksimit të transaksioneve të shtëpive, do të përdoren tani edhe për llogaritjen e taksës në fjalë dhe kjo lehtëson shumë procedurën. Familjet do të paguajnë një shumë prej 0.05% të vlerës së njohur të shtëpisë, ku sërish vlerat e banesave të para 1993-shit do të merren me zbritje 30%. Kurse për bizneset kjo taksë është sa 0.20% e vlerës së objektit që përdorin për qëllime tregtare. Vlera e taksës do të faturohet në faturën e energjisë elektrike e kështu do të jetë titull ekzekutiv. Kjo do të thotë p.sh., që një shtëpi në Tiranë që njihet nga shteti me vlerë 100 mijë euro, do të paguajë 50 euro në vit, ose 4.1 euro në muaj.

Raportimi
E rëndësishme është masa që merret duke detyruar Hipotekën që të vendosë në dispozicion të Drejtorisë së Përgjithshme të Taksës së Pasurisë dhe të mundësojë marrjen e vazhdueshme të tyre brenda çdo tremujori të dhënat identifikuese të pasurisë (zona kadastrale, numri i pasurisë, adresa, volumi, faqja etj.), përshkrimin e pasurisë (sipërfaqja e ndërtuar, lloji i pasurisë etj.), pronësinë (emri/at i/e pronarëve). Por theksi vendoset në mënyrë më specifike tek vlera e transaksionit dhe datën e kryerjes së tij në rastin e shitblerjes së pasurisë. Pra, shteti dëshiron të dijë vlerën e shtëpisë në momentin kur ajo ka dalë për herë të fundit në shitje. Ndërkohë, nga Agjencia e Legalizimit Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale nuk kërkohet vlera e ndërtesës, por vetëm të dhënat që disponon mbi pasuritë e paluajtshme “ndërtesë”. Nga ana e saj, Drejtoria e Përgjithshme e Taksës së Pasurisë garanton marrjen e të dhënave dhe përdorimin e tyre vetëm për qëllime të taksës së pasurisë dhe për asnjë qëllim tjetër.

Share: