Ish drejtoresha e Arsimit per Tiranen dhe aktualisht pedagogia Majlinda Keta ka lëshuar akuza të forta për kryeministrin Rama dhe mënyrën sesi ai po menaxhon krizën në sektorin e arsimit. Ajo ka deklaruar se ligji për arsimin e lartë që qeveria miratoi në 2015-ën është i njëjti draft që ka sjellë më herët edhe Berisha dhe që po në atë kohë, u kundërshtuar ashpër nga akademikët, që penguan miratimin e tij.
Majlinda Keta e bëri deklaratën e fortë teksa ka komentuar për News 24 fjalinë tashmë të famshme të ish ministres së Arsimit, Lindita Nikolla se duhet të largohej nga qeveria, pasi “gota i plasi në dorë”.
“Gota e plasur në dorë do të kishte qenë e krisur, që kur e ka marrë në dorë. Vodhën draftin që solli Berisha dhe që nuk e miratoi dot, për shkak të oponencës së akademikëve. Për habi, e majta arriti ta kalonte këtë moment dhe ta shpallte si element reformator, në kundërshtim me moralin e së majtës. Ligji i 2015-ës nuk është gjë tjetër, veçse ligji që përçon frymën e të djathtës në arsim”, shprehet Keta.
Pedagogia e njohur shpjegon se pasojat e ligjit kanë filluar të ndihen tek brezi i parë i të diplomuarve me cilësi shumë të dobët. “Pas 3 vjetësh, ligji ka prodhuar viktimat e tij, në drejtim të cilësisë së dobët. Kryeministri është i njohur me situatën dhe oponencën e akademikëve. Duhet amenduar ligji, duhet rishqyrtuar ligji. Duhet një dialog me pedagogët dhe një kthesë nga ana e kryeministrit”, shprehet ajo.
Për Majlinda Ketën situata në arsimin e lartë është përkeqësuar edhe më shumë nga vendimet e qeverisë, në kuadër të Paktit për Universitetin.
“Kjo gotë po u mbajt akoma do të pëlcasë. Gjendja është agravuar me VKM-të e 26 dhjetorit. Ato janë kundër Kushtetutës. Ministrja e re vjen pa eksperiencë për situatën në universitete”, deklaron Majlinda Keta teksa apelon qeverisë që të reflektojë për të gjetur një zgjidhje me akademikët, që do ti kënaqte të dyja palët.