Home KRYESORE Dialogu Kosovë-Serbi po rikthehet në binarët e duhur

Dialogu Kosovë-Serbi po rikthehet në binarët e duhur

Nga Prof.Lisen Bashkurti

Kosova po tregohet e hapur, e angazhuar dhe plotësisht e vullnetshme për të vijuar dialogun me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre përmes një marrëveshje transparente, të gjërë, gjithëpërfshitëse, ligjërisht të obligueshme dhe të mbështetur ndërkombëtarisht nga BE dhe ShBA.

Këto ditë në Kosovë janë hedhur dy hapa shumë të rëndësishëm në këtë aspekt. U ndërtua ekipi negociator në nivel shtetëror dhe me përbërje të gjërë e gjithëpërfshirëse. Ekipi mbas konsultave të shumta politike, diplomatike dhe ekspertize punoi për përgatitjen e platformës së dialogut në këtë fazë përfundimtare. Mbas përfundimit kjo platformë i është paraqitur Kuvendit të Kosovës për diskutim të hapur politik, për debate, për përmirësime dhe miratim. Me këtë rast edhe opinioni publik mbarë Kosovar do të njihet me këtë platformë që përbën tërësinë e parimeve dhe objektivave me të cilat ekipi negociator i Kosovës do marrë pjesë në dialogun me Serbinë.

1.Përmirësimi pozicionit negociues dhe ndërkombëtar i Kosovës

Këtij procesi drejt dialogut të Kosovës me Serbinë i kanë paraprirë edhe disa masa jashtë negociatore të ndërmarra nga Kuvendi dhe Qeveria e Kosovës, por me efekte direkte në krijimin e një mjedisi më të balancuar midis palëve negociuese. Dy janë masat jashtë negociatore që e kanë përmirësuar pozicionin e palës Kosovare në dialogun me palën Serbe. Së pari, krijimi i forcave të armatosura të Kosovës. Ky vendim ka përmbyllur krijimin e kuadrit të plotë institucional të shtetit të pavarur të Kosovës. Kjo ushtri po formësohet mbi parimet politike, demokratike dhe ushtarake të strukturës së NATO dhe ka si synim të plotë pikërisht antarësimin në këtë organizatë Euro-Atlantike. Së dyti, është vendosja e tarifës 100 përqind të importeve të mallrave nga Serbia drejt Kosovës. Kjo masë është në të drejtën sovrane të Shtetit të Kosovës, si masë mbrojtëse nga politika dhe diplomacia agresive e Serbisë, e cila ka shkelur angazhimet e saj të marra në marrëveshjen kuadrë të Brukselit të Prillit 2013 dhe nuk ka zbatuar shumicën nga 23 marrëveshje të tjera të negociuara deri në 2018.

Krijimi i Forcave të Armatosura të Kosovës dhe aplikimi i tarifës 100 përqind për importet Serbe në Kosovë janë dy masa që kanë ndeshur me qasje diverse në mjedisin e brëndshëm të Kosovës dhe në arenën ndërkombëtare. Mbështetësit dhe kundërshtuesit e këtyre dy masave përdorin argumente të ndryshme për të promovuar synimet e tyre dhe për të mbrojtur interesat e veta politike apo gjeopolitike ndërkombëtare.

Pa hyrë në këtë debat mund të thuhet pa kurrëfarë hezitimi se këto dy masa, megjithë kundërshtitë që kanë hasur, sërish kanë rifaktorizuar pozitivisht pozicionin e Kosovës në raportet me Serbinë si dhe kanë ri-vënë sërish qështjen e Kosovës në agjendën ndërkombëtare, kryesisht në ShBA dhe në BE. Pra këto dy masa në tërësi kanë qënë dhe mbeten të dobishme për Kosovën dhe pa efekte anësore për paqen e stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.

2.Platforma e dialogut e dobishme, e drejta dhe të zbatueshme
Këto në Kuvendin e Kosovës është paraqitur platforma e dialogut me Serbinë për arritjen e një marrëveshje të gjërë, gjithë përfshirëse dhe përfundimtare. Platforma do i nqënshtrohet një debati të hapur parlamentar, cka i jep mundësi edhe opinionit publik të informohet dhe të përfshihet në këtë debat me interes dhe mbarë kombëtar. Platforma përmban kuadrin e parimeve kryesore si dhe temat e bisedimeve.
Parimi i parë ka të bëjë me njohjen e Kosovës nga Serbia me anë të katër premtimeve ose angazhimeve detyruese ligjerisht që lidhen me tërheqjen e objeksioneve të Serbisë në OKB kundër pranimit të Kosovës: ndalimin e aktiviteteve që pengojnë Kosovën në rrugën drejt njohjes ndërkombëtare si shtet i pavarur dhe Sovran; respektimin e sovranitetit dhe integritetit territorial të Repbulikës së Kosovës; ndalimin e objeksioneve ose inkurajimin e palëve të treta të kundërshtojnë aplikimin e Republikës së Kosovës për antarësim në organizata ndërkombëtare duke përfshirë OKB, Këshillin e Evropës, OSBE dhe agjensitë e tyre; heqjen dorë nga gjitha format e ndërhyrjes së Serbisë në punët e brëndshme si dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare të Republikës së Kosovës; si dhe themelimin e një tribunali të ri “për hetimin dhe gjykimin e kriminelëve të luftës nga Serbia në Kosovë në vitet 1998-1999”.
Parim tjetër i rëndësishëm i platformës është ai që lidhet me ruajtjen e tërësinë territoriale të Republikës së Kosovës. Në platformë theksohet që territori i Kosovës nuk do shkëmbehet”. Qartazi ky parim i platformës nuk është as më pak dhe as më shumë por parashikimi kushtetues i Republikës së Kosovës që thekson që Kosova është vënd i pandashëm. Ky parim parandalon cdo përpjekje brënda dhe jashtë negociatave që synon, nën “argumente” të ndryshme të cënojë tërësinë dhe integritetin territorial ekzistues të Republikës së Kosovës, të njohur me 17 Shkurt 2008. Gjithashtu, ky parim i përfshirë në platformën e bisedimeve me Serbinë synon t’i japë fund me vullnetin e Sovranit debatit midis Presidentit Thaci dhe mbështetësve të tij brënda dhe jashtë Kosovës, si iniciuesi i ndryshimeve territoriale midis Kosovës e Serbisë dhe Kryeministrit Haradinaj e mbështetsve të tij brënda dhe jashtë Kosovës, si mbrojtës i pacënueshmërisë territoriale të Kosovës.
Aspektet e tjera shumë të rëndësishme janë përfshirë në platformën e bisedimeve. Këto lidhen me problemin madhor të personave të humbur gjatë periudhës së luftës, atë të viktimave të abuzimeve seksuale në atë periudhë, cështja e reparacioneve për dëmet kolaterale të shkaktuara mbi Kosovën gjatë luftës. Të gjithë këto aspektë do të jenë pjesë e negociatave midis Kosovës dhe Serbisë.
Në tërësinë e tyre parimet e platformës së bisedimeve Kosovë-Serbi, të paraqitura nga grupi negociator i Kosovës për diskutim e miratim në Kuvendin e Republikës së Kosovës synojnë që të garantojnë paqe të qëndrueshme në të gjithë Rajonin. Sipas platformës, gjithësecili duhet ta ketë të qartë që Kosova po shkon për bisedime në Bruksel për njohjen e saj. Kjo ka rëndësi për të kuptuar se nuk negociohet për statusin e Kosovës, që tanimë është i përcaktuar, i njohur ndërkombëtarisht dhe i konfirmuar si legjitim nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë si realitet i pakthyeshëm, por negociohet vetëm për pranimin e këtij realiteti nga pala Serbe.
Është me rëndësi të theksohet gjithashtu, që në përputhje me platformën marrëveshja përfundimtare midis Prishtinës dhe Beogradit do të hyjë në fuqi vetëm mbasi: a) Serbia të njohë Kosovën, b) të mbahet referendumi në Kosovë mbi marrëveshjen dhe, c) marrëëveshja të ratifikohet nga parlamentet e të dy vëndeve respektive.
E vështruar në tërësi platforma e paraqitur nga grupi shtetëror negociator i Kosovës për bisedimet me Serbinë ka një kuadër parimesh të qarta dhe temash të rëndësishme në agjendën e saj. Platforma respekton Kushtetutën e Republikës së Kosovës, që është bazuar në parimet e Paketës së Ahtisarit, që ka përmban në vetevete një zgjidhje kompromisi të gjërë midis Kosovës dhe Serbisë, kompromis përtej të cilit nuk mund të shkohet pa vënë në rrezik serioz vetë statusin e Kosovës, si dhe paqen brënda saj dhe paqen në Rajon.

3.Momenti shënon lëvizje nga stanjacioni
Momenti i paraqitjes së platformës është pikërisht kur vërehet një vëmendje në rritje ndaj problemit Kosovë-Serbi në qëndrat e mëdha ndërkombëtare, sic janë ShBA, Gjermania, Britania dhe BE në tërësi, sikundër vërehet edhe agresivitet në rritje i Rusisë dhe faktorëve të tretë ndërkombëtar, që kundërshtojnë zgjidhjet në dobi të njohjes së pavarësisë së Kosovës, integrimin Euro-Atlantik të Rajonit si dhe vetë paqen e stabilitetin në Ballkanin Perëndimor. Këto dy vektorë gjeopolitikë kundërshtues duket se ndajnë qasjet politike dhe gjeopolitike edhe midis Kosovës dhe Serbisë deri tani. Nga ana tjetër, lypët të dihet qartësisht se të dy vëndet, si Kosova ështu dhe Serbia kanë të trajektore të përbashkët drejt BE. Rruga drejt BE është e qartë. Koha e arritjes së saj është ende e paqartë. Bisedimet Kosovë-Serbi synojnë ndër të tjera që të qartësojnë dhe të shkurtojnë edhe kuadrin kohor të afrimit të të dy vëndeve drejt Bashkimit Evropian.
Për kohën e dhënë, situata politike midis Kosovës dhe Serbisë duket mjaft e nderë e tensionuar. Kjo kryesisht për shkak të insitimit Serb për mos njohjen e pavarësisë, sovranitetit dhe tërësisë territoriale të Republikës së Kosovës, nga njëra anë, dhe masave mbrojtëse të forta tarifore të vendosura nga Kosova kohët e fundit kundër importit të produkeve Serbe. Sidoqoftë lypet të theksohet se situata duket se po lëviz mbas një periudhe të gjatë stanjacioni.

Share: