Home Gjeo-Ekonomia Joseph DioGuardi e Mark Gjonaj kërkojnë njohjen e Kosovës nga Izraeli

Joseph DioGuardi e Mark Gjonaj kërkojnë njohjen e Kosovës nga Izraeli

Në selinë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara në New York, është organizuar një veprimtari publike për të nderuar dhe vlerësuar veprimet e shpëtimit të hebrenjve nga populli shqiptarë gjatë Luftën e Dytë Botërore.

Kjo veprimtari është organizuar nga Misioni i Shqipërisë në OKB, Kongresi Botëror i Hebrenjve dhe Nisma e OKB-së për të edukuar publikun për Holokaustin, të mbledhur me Shoqëritë Civilë të OKB-së.

Me këtë rast, ambasadorja e Shqipërisë në OKB, Besiana Kadare, tha se “jam krenare që i përkas kombit shqiptarë, i cili, qëndroi në anën e duhur të historisë, në kohën e duhur dhe duke kryer aktin e duhur”.

Para të pranishmëve ambasadorja Kadare, foli për kohën kur hebrenjtë përndiqeshin në të gjithë kontinentin, por që gjetën shpëtim e paqe në një vend të vogël si Shqipëria, i vetmi ku pas Luftës së Dytë Botërore, gjendeshin më shumë hebrenj sesa para saj.

“Deri vonë, bota nuk e dinte pothuajse asgjë për përpjekjet e Shqipërisë për të shpëtuar hebrenjtë”, tha ajo duke përshkruar kodin etik të Besës dhe si funksionon ai për shqiptarët.

Në këtë ngjarje, shqiptaro-amerikani i parë në Këshillin Bashkiak të New York-ut, Mark Gjonaj dhe Joseph DioGuardi, kanë kërkuar njohjen e Kosovës, shtet të pavarur dhe Sovran nga Izraeli.

Këshilltari Gjonaj, në fjalimin e tij, ka folur për shpëtimin e hebrenjve në Shqipëri dhe Kosovë, dhe se të dy popujt kanë pasur një histori të ngjashme.

“Mendoj se është koha që Izraeli ta njohë Kosovën, shtet të pavarur dhe Sovran”, theksoi Gjonaj në fjalimin e tij.

Ndërkaq, Joseph DioGuardi tha se në Shqipëri kanë qenë vetëm 200 familje që kanë shpëtuar hebrenjtë, përderisa, sipas tij, e gjithë pjesa tjetër është strehuar nga shqiptarët e Kosovës, dhe shqiptarët të cilët kanë jetuar në vendet e tjera.

“Besa nuk është atribut i shtetit, por i popullit dhe traditës shqiptare”, tha mes tjerash në fjalimin e tij, DioGuardi, duke shtuar se “nuk është në rregull që Izraeli ende nuk e ka njohur Kosovën shtet të pavarur”.

Ai theksoi se personalisht do të angazhohet fuqishëm për njohën e Kosovës nga Izraeli.

Në anën tjetër, takimin e përshëndeti edhe kongresisti Eliot Engel, kryetar i Komitetit për Marrëdhënie Ndërkombëtare në Dhomën e Përfaqësuesve të Kongresit Amerikan.

Duke folur vetëm për Kosovën në këtë rast, Engel, tregoi se si bashkë me Presidentin e Kosovës, Ibrahim Rugova, kishin vendosur nga një gurë, në çdo varrezë të hebrenjve në Prishtinë.

Meqë motoja që mbizotërojë në këtë ngjarje, ishte “Bota ka nevojë sot për Besën e Shqiptarit”, ambasadori në detyrë i Shteteve të Bashkuara, në OKB, Jonathan Cohen tha se “shqiptarët u shquan mes njerëzve të guximshëm që patën një ndikim të jashtëzakonshëm duke mbrojtur me mijëra në Ballkan, duke siguruar që t’i shpëtonin tmerreve të Holokaustit”.

Megjithatë, Danny Dayan, Konsull Gjeneral i Izraelit, tha se shqiptarët duhet të shpallen jo si individë, por si popull ‘Fisnikët midis kombeve”.

Të pranishme në këtë takim, ishin edhe përfaqësueset nga Kosova, Teuta Sahatqija, si dhe diplomatja Ines Demiri, klerikë të të tre feve kryesore shqiptare, miq të Shqipërisë e Kosovës, dhe aktivistë të komunitetit.

Ndërsa duke folur për aktin guximtar dhe shembullor të shpëtimit të hebrenjve në Shqipëri, gjatë Holokaustit, Robert Singer, CEO i Kongresit Botëror Hebre, falënderoi popullin shqiptar për punën e tyre heroike, si atëherë ashtu edhe tani në luftën kundër urrejtjes dhe antisemitizmit. Ai shtoi se “e gjithë bota ka nevojë për Besën sot”.

Dr. Anna Kohen, fëmijë e të mbijetuarve të Holokaustit foli për përvojën e familjes së saj gjatë Holokaustit në Shqipëri dhe si ka ndikuar kjo histori gjatë gjithë jetës së saj.

Kurse, Majlinda Myrto, familja e të cilës është shquar në shpëtimin e hebrenjve, tha se koncepti e Besës, është detyrimi që kanë shqiptarët ndaj mikut dhe njerëzve në nevojë.

Mes folësve tjerë ishte edhe David Estrin, që drejton organizatën “Së bashku mbajmë mend” e cila përpiqet të fuqizojë të rinjtë, komunitet pas komuniteti., si dhe të sigurojë që #NeverAgain-KurrëMë.

Përndryshe, pjesë e kësaj ngjarje historike ishte edhe një videoklip nga filmi “Besa”, që u shfaq me këtë rast për të pranishmëve./fmimages.net

Share: