Botuesi i gazetës TemA, Mero Baze, ka reaguar pas akuzave të ish-kryeministrit Sali Berisha lidhur me dosjen gjyqësore të divorcit të Ramës.
“Ti je njeriu që ke akuzuar babanë tënd për përdhunues, që ke mohuar fëmijën tënd”, i tha Berisha në Kuvend.
“Ti ke fabrikuar një dokument falso se unë kam mohuar atësinë e djalit tim. Je ti që e ke bërë këtë, që ke shkaktuar dhimbje e lot,” tha Rama.
Ndërkohë ish-kryeministri është përgjigjur.
“Dokumentet t’i ka botuar Ymer Baze që të rri çdo ditë në zyrë pasi të mban peng me dosjen e djalit,” tha Berisha.
Pas kësaj botuesi Mero Baze ka reaguar duke treguar për herë të parë se si Berisha i serviri gazetës ‘Tema’ lajmin për djalin e Ramës. Baze thotë se dokumentet sikur Rama mohonte atësinë e djalit të tij, ia ka ofruar ish-kryeministri, ndërsa thekson se ka dyshime për atë që iu paraqit si “kartelë” shëndetësore e Edi Rames.
Më poshtë pjesa nga shkrimi i Bazës për këtë çështje.
Gazeta TemA ka qindra shkrime kundër Edi Ramës, biles disa shumë të ashpër dhe të drejtë, dhe disa që kanë pasur burim Sali Berishën si kjo dosja që permend, natyrisht fiasko të turpshme. Për të qenë i qartë deri në fund në atë histori që mendon se është peng Edi Rama, po i kujtoj se ai i ka ofruar gazetës TemA dhe gazetës “RD”, botimin e asaj dosje dhe asaj që e paraqiti si “kartelë” shendetësore të Edi Rames. Dosjen e serviri si dosje origjinale të Gjykatës, kurse kartelën kam frikë se e ka plotësuar dhe vetë, pasi ishte format i viteve ‘80. Ma ka dhënë dosjen në zyrë të tij, duke më thënë se e kishte siguruar nga njerëz të afërt të ish- gruas së Edi Ramës. Dhe meqë përmend dosjen origjinale, ajo me siguri është në Gjykatë, dhe Gregu ka të drejtën e zotit të ballafaqojë dosjen e ofruar nga Berisha për TemA-n dhe “RD”, dhe origjinalen, se Rama eshte i qartë çfare është ajo histori. Ligësia e tij që ka mundur të përdorë gazetën TemA, ndërsa mua nuk ka mundur të më mbajë dot peng me atë pisllëk, duket se i është bërë obsesion për 20 vjet. E paska pasur ëndërr të jetës atë gjë. Kjo natyrisht e bën pis atë pjesë të historisë së gazetës, por po të ishim ndryshe, ne do ishim Neë York Times, e jo një gazetë shqiptare, dhe kjo as na turpëron, dhe as na komplekson. Fakti që nuk jemi peng të Sai Berishës dhe Edi Ramës na bën të ndjehemi mirë. Dhe akoma më shumë, fakti që ky njeri nuk di ç’të thotë për mua, por i kujtohen histori të 20 viteve më parë, na bën dhe më krenarë, si njerëz të lirë.