Home KRYESORE Thellohet perplasja e Thacit me Berishen

Thellohet perplasja e Thacit me Berishen

Është thelluar përplasja mes ish-kryeministrit Sali Berisha dhe Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi. I pari ka deklaruar se ideja për shkëmbimin e territoreve mes Prishtinës dhe Beogradit është një projekt i Serbisë. Madje Berisha e ka quajtur Thaçin, një “argat të Beogradit” që mbron këtë projekt. Këtë të hënë ishte radha e kreut të shtetit të Kosovës që të vijojë replikat nga një intervistë që dha për Report TV.

“Nëse dikush ngre hipoteza dashakeqe dhe djallëzore, nuk do të pijë ujë as tek unë, as te qytetarët e Kosovës dhe në veçanti, ata që e kanë ndihmuar Slobodan Millosheviçin, kur unë e kam luftuar atë. Nuk do t’u funksionojnë idetë pseudonacionaliste apo të deficiteve të tyre patriotike.

Shefi im është populli i Kosovës, vullneti i popullit të Kosovës, gjaku i derdhur për liri. Jam i gatshëm të diskutoj me secilin, të ballafaqohem. Kam bashkëpunuar shumë mirë si kryeministër, duke vrapuar bashkë me Berishën nëpër fshatrat më të thella të Dukagjinit, duke folur për bashkim kombëtar. Kemi pasur një bashkëpunim produktiv, për interesin e shtetit të Kosovës dhe të Serbisë. Madje kam marrë pjesë edhe në fushatën elektorale të Berishës, në atë kohë kur ishte me Ramën, duke marrë pjesë në hapjen e tunelit në Kalimash. Edhe në takime të tjera.

Nuk kam parë ndonjë zemërim në atë kohë nga z. Rama, për arsye se edhe unë isha kryeministër edhe ai ishte kryeministër. Edhe kryeministri Berisha në atë kohë ka qenë në ceremoninë e hapjes së segmentit të autostradës së Kosovës.

Kështu që idetë që dalin, për mua janë shumë të mirë se ardhura. Me secilin jam i gatshëm të ulem e të diskutoj, të ballafaqojmë idetë. Unë nuk jam nga bota shpellare apo e njerëzve që thërrasin për mejdan kanunor, por për ballafaqim idesh jam i gatshëm me secilin, në secilën studio, le të zgjedhin secilin gazetar dhe të diskutojmë për të gjitha çështjet që janë për t’u diskutuar, por natyrisht në fund të jetë një debat i civilizuar, jo i sulmeve, jo i etiketimeve. Unë nuk sulmoj dhe nuk etiketoj.

Nuk dua të komentoj dhe nuk dua që të merrem me deklarimet individuale të askujt. Unë bashkëpunoj me secilin lider institucional. Kam pasur bashkëpunim shumë të mirë edhe me z. Berisha, edhe me z. Basha, edhe me të tjerë.

Me secilin që ka ide kundër, unë jam i gatshëm të ulem në çdo studio televizive, qoftë në Prishtinë, qoftë në Tiranë. Le t’i zgjedhin ata studiot dhe gazetarët dhe të ballafaqohemi pastaj hapur dhe në mënyrë të kulturuar. Qytetarët e meritojnë një debat të tillë. Mund të kenë me bollëk etiketime apo që atributet e veta t’ia bartin dikujt, gjë që nuk do të ndodhë kurrë, por i ftoj për debat të gjithë, kushdo që dëshiron të diskutojë. Por të mos presë kush prej meje që do ta etiketoj. Në veçanti dëshiroj të kem debat me njerëzit që, kur unë e kam luftuar Milosheviçin, ata e kanë ndihmuar Milosheviçin” – tha Thaçi.

Share: