Pas Edi Ramës reagoi edhe Erion Veliaj për qëndrimin e mbajtur sot nga Presidenti i Republikës, Ilir Meta për projektin e Unazës së Re.
Nëpërmjet disa reagimeve në rrjetet sociale, kryebashkiaku Veliaj thekson se Unaza e Re i duhet Tiranës dhe se institucionet kanë ofruar strehim falas për ata që janë të pastrehë dhe shpronësim qind për qind për atë që i kanë pronat me letra,
“Unaza i duhet Tiranës. Do qe zhgënjyese nëse vemi nga Presidenti anti-lodra tek ai anti-rrugë! Mos saboto Tiranën”, shkruan Veliaj në një prej reagimeve të tij, duke iu referuar Bujar Nishanit si Presidenti që ishte kundër ndërtimit të kompleksit tek Liqeni Artificial.
Më tej ai thekson se 99 për qind e qytetarëve të Tiranës e duan Unazën dhe nuk duan që të bllokohen nga trafiku që shkaktojnë çdo ditë një pakicë e vogël që proteston duke bllokuar rrugën.
“Çdo ditë, për orë të tëra, bllokohen në Unazën e Re nga protestat me djegie gomash e hunjsh dhe grupseksionet e dhunshme të PD Kamëz, 99% e qytetarëve të Tiranës që as kanë zaptuar e as bëjnë lojëra politike.
Nëse Presidenti inkurajon këtë 1% të hurit e zjarrit, kot që flasim”, shkruan Veliaj në një tjetër reagim./Lapsi.al