Home KRYESORE Veprimi opozitar kundrejt aleancës së qeverisë me krimin e organizuar!

Veprimi opozitar kundrejt aleancës së qeverisë me krimin e organizuar!

Nga Kasem Seferi

E kam ndjekur me vemendje Zotin Fatos Lubonja në trajtimet e tij në lidhje me pushtetin dhe qeverisjen në Republikën e Shqipërisë.

Pavarësisht, mospajtimeve të vogla që kam në lidhje me detajet, në përgjithësi, i mbetem besnik pa asnjë lloj lëkundje analizave dhe parashikimeve të tij.

Një prej më të fundit ishte dhe titulli me mëdyshjen se si do të reagojë ajo masë qytetarësh dhe, veçanërisht, ajo pjesë e elitës së shoqërisë shqiptare që nuk është zhyer në llumin e korrupsionit dhe marrëdhënieve të pista me pjesë të krimit të organizuar për interesa ekonomike dhe për pushtet.

Si ekonomist, i zhytur thellë në jetën e halleve dhe derteve të përditëshme të qytetarit shqiptar, shfletova shënimet që kam mbajtur që prej vitit 1993 e këtej për tragjeditë e vogla dhe të mëdha që i kanë ndodhur qytetarëve në Republikën e Shqipërisë.

Për këtë arsye, kur u informova për programin e opozitës në lidhje me aksionin politik për largimin e Kryeministrit Rama 2 nga pushteti, vendosa të shkruaj pak fjalë për t‘i kujtuar qytetarit shqiptar (më saktë, lexuesit të mundshëm të këtyre fjalëve) se çfarë është aleanca e pushtetit/qeverisjes me krimin e organizuar.

Po afron data 16 shkurt 2019, dita kur opozita do të shpalosë forcën e saj në mënyrë demokratike për rrëzimin e Qeverisë Rama 2, që kërkon të tregojë se lidhja e demokratizimit me krimin e organizuar në Shqipëri, duhet kuptuar si aleanca e kriminale e ish elitave të nomenklaturës politike, oligarkëve të rinj dhe grupeve të njerëzve “me muskuj“ të dalë nga sportet e rënda dhe strukturat e sigurimit të shtetit.

Për paragrafin e mësipërm, shëmbujt kanë qenë dhe mbeten të panumërt në median e shkruar dhe atë elektronike, duke vërtetuar se krimi i organizuar në Shqipëri është produkt i rrjeteve të kohës së komunizmit, paqëndrueshmërisë ekonomike, kapaciteteve të dobta rregullatore dhe ushtrimit me forcë të ligjit të një shteti në rënie, si dhe proçeseve me përfitim të dukshëm të privatizimit, veçanërisht, partneritetit shtet/qeverisje – privat dhe vonesës së qëllimshme të ndërtimit të institucioneve.

Mungesa e besimit te qarqet politike, veçanërisht, te “Ri(mut)lindja“ sollën ngjarjen e protestës të banorëve të Astirit, më pas në ngjarjen e pashëmbullt të protestës së madhe të studentëve, e cila për efekt presionit që sollën festa e Krishtlindjeve dhe ajo e Vitit të Ri, presioni i justifikuar prindëror ky i fundit, gjithësesi, tregoi se çfarë pushteti ka në dorë qytetari.

16 shkurti 2019, kërkon të krijojë kushte për eleminimin e infiltrimit të mafies në legjislaturë dhe legjislacion, si në nivel kombëtar ashtu dhe në nivel vendor, që me veprimet dhe mosveprimet e saj ndikon direkt që praktikat kriminale në ekonomi dhe qeverisje të legalizohen.

16 shkurti 2019, do të jetë fillimi i një ngjarje që priret t’i japë fund aleancës së pushtetit /qeverisjes me krimin e organizuar, oligarkët e rinj, grupet e njerëzve të fortë dhe ish – strukturave të sigurimit famëkeq të shtetit.

16 shkurti 2019, i jep rastin opozitës të artikulojë qartë garancitë e saj për qytetarin shqiptar, duke ndarë premtimet boshe me pamundësitë e realizimit të tyre në praktikë, vetëm e vetëm për të ardhur në pushtet, nga ato garanci që sjellin krijimin e një klime të vërtetë demokratizimi, klime të vërtetë për biznesin, për ndërtimin e një administrate publike dinjitoze, për një strategji të qartë në luftën kundër korrupsionit, etj, etj.

16 shkurti 2019, ka vënë dhe do të vejë në lëvizje mjaft forca kundërshtare.

Shpresa vdes e fundit. Kupa është mbushur.

Kasem Seferi – ekonomist

Share: