Home KRYESORE ZGJEDHJET NË 80 VJETORIN E PUSHTIMIT FASHIST

ZGJEDHJET NË 80 VJETORIN E PUSHTIMIT FASHIST

Nga Kastriot Cipi

Dje, kryetari i PD shpalli se do t’i kërkojë strukturave të partisë së tij të miratojnë propozimin për djegien e mandateve të deputetëve, si mënyrë për të ushtruar trysni ndaj PS, për zgjedhje të parakohshme. Sipas tij, ky ndryshim qëndrimi erdhi pas “leximit” të verdiktit popullor, të shprehur përmes pjesëmarrjes masive të qytetarëve në protestën anti-qeveritare, të së shtunës së kaluar. Kjo protestë ishte kulmimi i një retorike politike të opozitës, e cila kërkonte qeveri tranzitore, si parakusht për zgjedhje të lira e të ndershme. Fillimisht deputetët e opozitës folën për “qeveri me bazë të gjerë”, që nënkupton përfshirjen e të gjitha partive parlamentare, pastaj për qeveri socialiste, por pa Ramën kryeministër (dikush madje propozoi Majkon si kryeministër), derisa Berisha u shpreh në një studio televizive se qeveria nuk mund të ishte socialiste, sepse PS duhej të paguante faturën e saj, për mbështetjen e deritanishme, pa kushte, ndaj Ramës.

Përndryshe, tha, Berisha, opozita duhet të mbyllë gojën dhe të pranojë se është vasale. Nga ana e tyre, Basha e Kryemadhi ngulnin këmbë se, më 16 shkurt, Rama nuk do të ishte më kryeministër. Madje Kryemadhi tha edhe se, nëse Rama do të mbetej kryeministër pas 16 shkurtit, ajo nuk do të ishte më kryetare e LSI.

Pas pesë orësh protestë para Kryeministrisë, kur pritej të shpallej rrethimi i saj nga protestuesit, që do të duhej t’i pamundësonte Ramës hyrjen në zyrë, nga e hëna pasuese e në vazhdim, u bë thirrje për ndërprerjen e saj dhe rikthimin në protestë të enjten, para sallës plenare të Kuvendit. Pasi Basha shpalli propozimin e tij politik, i cili, sipas të gjitha gjasave, do të shndërrohet shpejt në vendim politik (në historinë tonë politike nuk kemi asnjë rast refuzimi nga strukturat të një propozimi nga kryetari i një partie), mund të përfytyrojmë atë që do të ndodhë të enjten e ardhshme: Deputetët e opozitës do të brohoriten nga protestuesit kur të hyjnë në atë sallë si deputetë, por edhe kur të dalin prej saj si qytetarë të thjeshtë, ndërsa ata të pozitës do të fishkëllehen, të paktën kur të hyjnë në sallë, pasi reagimi i protestuesve ndaj tyre në mbarim të seancës, do të varet prej sjelljes së deputetëve në atë seancë.

Por çfarë do të ndodhë nëse të enjten Edi Rama do të kërkojë mocion besimi (Neni 104 i Kushtetutës) për Këshillin e Ministrave? Brenda tri ditëve, pra të dielën e ardhshme, Kuvendi do të mblidhet në seancë të jashtëzakonshme (Neni 104, pika 3). Vetë socialistët do ta votojnë kundër. Rama nuk do të presë 48 orë, por do t’i kërkojë menjëherë Presidentit shpërndarjen e Kuvendit (Neni 104, pika 1).

Presidenti do të ketë vetëm 10 ditë afat për të shërndarë Kuvendin (Neni 104, pika 2) dhe për të caktuar datën e zgjedhjeve të parakohshme, jo më vonë se 45 ditë nga shpërndarja e tij (Neni 65, pika 3). Nëse Presidenti nuk e vonon shpërndarjen e Kuvendit, afati i fundit për zgjedhje do të jetë data 7 prill 2019! Nëse e vonon, gjithsesi, zgjedhjet nuk mund të jenë më vonë se data 14 prill 2019.

Nëse ky skenar vihet në zbatim, ne do të shkojmë në zgjedhje me këtë sistem zgjedhor që kemi, të administruar me të njëjtin Kod Zgjedhor, pa Gjykatë Kushtetuese e Gjykatë të Lartë, me Prokurori të kapur nga Rama, me KQZ gjithashtu me shumicë nga PS dhe… më në fund, me Ramën kryeministër! Po! Sepse neni 106 i Kushtetutës sonë, të masakruar me votat e PS e PD në vitin 2008, parashikon se kryeministri dhe ministrat mbeten në detyrë, deri në miratimin e qeverisë së re nga Kuvendi.

Për këtë luftoi deri tani opozita dhe qytetarët?! Po nëse zgjedhjet e 7 apo 14 prillit i fiton sërish Rama, si do të justifikohen Basha e Kryemadhi? Kushdo mund të thotë se, nëse zgjedhjet i fiton Rama, Basha e Kryemadhi duhet të japin dorëheqjen! Por çfarë do të fitojnë qytetarët nga dorëheqjet e tyre, nëse do të kenë edhe për 4 vjet të tjerë Ramën mbi krye? Do të ishte kulmi i pafytyrësisë dhe i marrëzisë kolektive, nëse Rama do t’i fitonte këto zgjedhje me sloganin “Vdekje fashizmit! Liri Popullit!”. Njeriu që i ka varfëruar sot socialistët e thjeshtë, më keq se sa Enveri dje komunistët e thjeshtë, i ndihmuar edhe nga retorika sterile e opozitës, që e akuzon si bir komunisti, do të mobilizonte të gjitha votat e pensionistëve ish-komunistë, familjarëve të dëshmorëve, e të gjithë atyre që e quajnë veten të majtë, të votonin politikanin më të djathtë që ka njohur historia jonë, që pasuroi vetëm 5 oligarkë, në kurriz të 5 milion shqiptarëve.

A nuk do të ishte më e arsyeshme, që opozita të bashkohej me qytetarët, pa dallim bindjeje ideologjike, të dëgjonte zërin e tyre për ndryshimin e sistemit, jo thjesht rotacionin politik? Të demonizosh sot Ramën dhe t’ia ngarkosh atij të gjitha fajet për gjendjen politike, sociale dhe ekonomike të vendit, do të thotë të amnistosh sistemin që e polli Ramën. Të besosh sot se mjafton të ikë Rama, që vendi të dalë nga kriza ekonomike, të përfundojë tranzicioni politik i nisur qysh në vitin e largët 1990 dhe të trokasim në dyert e Europës, është po aq naive sa të besoje në vitin 1990 se do të mjaftonte rrëzimi i Ramiz Alisë, që vendi të kalonte nga diktatura në demokraci, me po ato institucione e kuadër ligjor, me po ata Gjykatë të Lartë, me Sigurimin e Shtetit dhe gjithë burokracinë e nomenklaturës komuniste.

Opozita nuk duhet të nxitohet kaq shumë për të provokuar zgjedhje të parakohshme parlamentare, por duhet nxitojë shumë për të nisur një debat të madh kombëtar intelektual për ndryshimin e krejt sistemit politik, duke filluar me një seri të gjatë me mea culpa për çdo amendim kushtetues e ligj që është miratuar edhe me votat e saj në këta 28 vjet dhe duke u zotuar para qytetarëve se, me të ardhur në pushtet, do t’i zhbëjë këto ligje e amendime kushtetuese, në respekt të vullnetit të qytetarëve. Justifikimi se këto debate do të bëhen pasi të rrëzohet Rama, nuk bind askënd. Nëse opozita ka pasur kohë dhe shqetësim mjaftueshëm për të rishikuar akcizën e naftës, sigurisht që mund dhe duhet të gjejë kohën për të adresuar shqetësimin për reformuar sistemin politik aktual, që është nëna e të gjitha të këqijave në rrafshin ekonomik e social.

Ne që e kemi duruar 6 vjet Ramën në pushtet, mund të durojmë edhe 6 muaj të tjerë, me kusht që në këta 6 muaj të projektohet ndryshimi rrënjësor i sistemit politik, që duhet të ndodhë në 6 vitet e ardhshme. Përndryshe, të gjithë bashkë, opozita dhe qytetarët, duhet të pranojnë se janë, sipas fjalëve të Berishës, vasalë dhe Rama do ta meritojë mbretërimin, derisa ai vetë të mërzitet nga pushteti e të vendosë të largohet.

Share: