E mërkurë, Mars 6, 2019
Kriza politike në Shqipëri duket se ka shtuar frikën matanë Adriatikut për një valë tjetër emigracioni.
Drejtori i gazetës italiane ”Libero”, Pietro Senaldi, i ftuar përballë kryeministrit shqiptar Edi Rama në emisionin “Porta a Porta” të gazetarit Bruno Vespa rikujtoi se në Itali valla e parë e emigrantëve ka ardhur nga Shqipëria dhe ndoshta sipas tij do të ishte më mirë një ndërhyrje politike për të shmangur një tjetër eksod.
Në përgjigje Rama tha se janë shqiptarët që po ndihmojnë Italinë, pasi janë me mijëra emigrantë që punojnë atje dhe kanë krijuar sipërmarrje.
Rama të gjithë situatën politike në vend e lidh me frikën e opozitës për të hyrë në zgjedhje.
Senaldi: Përse po ndodh pikërisht tani? Nga Shqipëria ka ardhur vala e parë e emigrantëve, tani ne po investojmë në Shqipëri. Këtu themi, pasi emigracioni është një çështje delikate, t’i ndihmojmë në shtëpinë e tyre. Ky mund të jetë një shembull i mirë t’i ndihmojmë në shtëpinë e tyre si funksionarë.
Rama: Me shqiptarët jo, sepse jemi ne që po ju ndihmojmë në shtëpinë tuaj. Sepse jemi qindra mijëra që punojmë këtu dhe që kemi ngritur sipërmarrje. Në rastin e shqiptarëve jo. Ne jemi vërtetë një Itali e vogël, nga ana tjetër e detit.
Senaldi: Përse tani?
Rama: Sepse në qershor janë zgjedhjet. Ata bënë të njëjtën gjë edhe në zgjedhjet e mëparshme. Në sondazhe janë më keq se sa opozita juaj këtu. Nuk kanë asnjë shans për të fituar. Sikurse e thashë, jo vetëm ne. Por të gjithë shqiptarët por edhe italianët besoj nuk jemi humbës të mirë. Pra kërkojmë gjithnjë një alibi./faktor.al