Home KRYESORE PERSIATJE PER LUMTUNINE… Nga Albert Vataj

PERSIATJE PER LUMTUNINE… Nga Albert Vataj

PERSIATJE PER LUMTUNINE
Ti mundesh me ken i lumtin n’se don me ushqy me shpirtin tand njat diell qi ngroh gjithkend rreth teje
Ç’asht lumtunia?!
Lumtunia asht, kur njajo qi mendojmë, njajo qi themi dhe njajo qi bajmë, janë në harmoni, ka than nji mendje e kthjellët. “Të gjithë duen të jetojnë në “majen e malit”, pa kuptue se lumtunia qëndron në mënyrën se si zbret “faqen e pjerrët”, shton Bekon. Albert Ajnshtajn asht i mendimit se “Po deshe të jetosh nji jetë t’lumtun, atëherë lidhe ate me nji cilësi, e jo me njerëz dhe gjana përreth, t’cillat munden mos me ken nji dit t’ujat ma”. Ndërsa Leonardo Da Vinçi mendon se “Lumtunia asht si nji flutur. Nëse e ndjek nuk do arrish kurrë ta kapësh, por nëse ndalon për nji çast, ajo do të qëndrojë në dorë tande”.
Fatkeqsisht jo gjithkush mundet me ken i lumtun, edhe pse përpiqet qi me çdo çmim me mujt me i’a mbërri këtij qëllimi. Meqenëse knaqsia kushtëzohet nga përdorimi i forcave tona dhe meqë lumtunia qëndron n’përtrimje t’vazhdushme t’ksaj knaqësie, ajo ka me ken gjithmonë e varun nga madhësia e fisnikërisë së forcës që i nep drejtim.
Më i lumtuni i njerëzve, më i plotpushtetshmi në nji botë qi rreket më t’vu pambarimisht në sprovë, nëse e përmush ose jo meritimin, asht ai individ qi natyra e ka pajis me dhunti të epërme shpitnore.
Individi qi zotnon kët pasuni, nuk kërkon nga bota asgja tjetër veç nji dhuratë fort t’çmueme për të, orët e lira, ku të përsos e të jetësojë në akte kumtimi t’brenshmen qi i gurron, duke pas mundsi me e shiju si një vullnesë t’hyjshme pasunin e vet shpirtnore, e cila e lejon me ken përgjithmonë, çdo orë e çdo ditë, plotësisht vetvetja.
Njeriu qi natyra e ka pajis me forcë t’madhe shpirtnore, ka aftësi dhe asht gjithmon i prirun kah nevoja me ken i ushqyem me dituni dhe kumte t’epërme estetike, qi ai ka aftësinë me i gjet, me i kultivu, e me i përtri me amën e vet t’pashterrun t’andjes, andrrës dhe vullnesës së transformuem n’qëllim, me e pranu botën siç ai e dëshiron me mish e me shpirt, tue u shpërblu masandej prej vezullimit t’njasaj drite qi e mbush përlot me t’pame e t’ndime. Tue e lumtunu e ban me krahë, i nep qiell me fluturu dhe dishrim me mbush me andrra. Ndoshta fjala nuk mundet me përcaktu kjart se ç’asht lumtunia dhe si mundesh me ken i rrokun prej çasteve t’saja t’hyjshme. Lumtunia asht njaq e mistershme dhe njaq e pashpjegushme, njaq e atypëratyshme dhe e mrekullueshme, sa kurrçka qi lyp me e përkufizu përmes fjalës, nuk e mbrrin dot, nuk e përqarkon, ajo ndihet.
Albert Vataj

Share: