Home KRYESORE Enriko Ceko: Shqiptaret vuajne nga kriza morale!

Enriko Ceko: Shqiptaret vuajne nga kriza morale!

KRIZA QË KA MBËRTHYER SHQIPËRINË DHE SHQIPTARËT ËSHTË KRIZË MORALE
Përmbledhje e fjalës time në sheshin e

Teatrit Kombëtar 16 Prill 2019
Mirëmbrëma.

I dëgjova me shumë vëmendje fjalët e parafolësve. Midis mendimeve të tyre dallohet fare lehtë se Shqipëria dhe shqiptarët janë në një krizë të thellë. Kjo krizë shfaqet herë si krizë politike, e herë si krizë ekonomike apo sociale por në fakt, në thelb është një krizë morale.

Është krizë morale, sepse ne, në qendër të sistemit që kemi ndërtuar kemi vënë paranë. Paraja është mjet i fuqishëm për të arritur objektivat, për mirëqenie, pushtet, prosperitet, por kur paraja kthehet në qëllim në vetvehte, atëhere ajo shkatërron njeriun, shkatërron sistemin, shkatërron shoqërinë, vendin e kombin. Ne kemi patur periudha të mira në historinë tonë si komb dhe këto periudha të mira kanë qenë vetëm kur ne, në qendër të sistemit kemi vënë punën dhe jo paranë.

Por, meqënëse ne për këto 28 vite kemi vënë në qendër të sistemit paranë, atëhere kriza morale që ka mbërthyer shoqërinë shqiptare shfaqet si krizë politike, ekonomike, sociale, kulturore, sportive, mjedisore, kushtetuese, zgjedhore, etj.
Kriza politike shfaqet në mungesën e alternativave të zhvillimit të vendit, alternative që duhet t’i japë klasa politike.

Klasa politike shqiptare ka qenë e paaftë që të drejtojë vendin drejt objektivave tona kombëtare, që janë zhvillimi dhe integrimi. Lakmia për para ka bërë që njerëz pa asnjë vlerë, të pashkollë, të pandërgjegjshëm, të papërgjegjshëm dhe të korruptuar të katapultohen në krye të institucioneve të rëndësishme të vendit dhe shtetit shqiptar, pa e patur fare idenë e fuqisë që të jep pushteti dhe paraja. Vetëm për lakminë për para, janë vendosur në krye të këtyre institucioneve njerëz që me një të rënë të lapsit, me një vendim të marrë, shkatërrojnë jetën e qytetarëve të varfër të këtij vendi,

Kriza ekonomike shfaqet në varfërinë që ka pllakosur vendin, në paqendrueshmërinë ekonomike të këtyre 28 viteve, në uljen e të ardhurave të qytetarëve, në rritjen e numrit të atyre që janë larguar nga vendi dhe qe ende duan të largohen, në mënyrën se si manaxhohen paratë e buxhetit të shtetit, në uljen e fuqisë blerëse, etj. Kemi vite që nuk kemi rritje reale të të ardhurave të qytetarëve.

Kemi vite që nuk kemi rritje ekonomike. Kemi vite që nuk kemi produktivitet të bizneseve të vogla dhe të mesme.

Kriza sociale shfaqet në ndarjen që ekziston midis dy shtresave kryesore të popullsisë shqiptare, shtresa e varfër dhe shumë e varfër e popullsisë dhe shtresa e atyre që janë pakica, por që janë shumë të pasur dhe super të pasur, që janë pasuruar në mënyrë të pamoralshme dhe këtë mënyrë pasurimi dhe këtë stil jetese duan që t’ja kalojnë pjesës tjetër të shëndoshë të popullsisë Në Shqipëri mungon kohezioni social dhe kjo sepse nuk ka bashkëpunim midis shtresave të popullsisë dhe kjo sepse mungon shtresa e mesme, që është shtresa më shumë e interesuar për zhvillimin e vendit.

Kriza kulturore shfaqet në bjerrjen e vlerave kulturore në pothuajse të tëra gjinitë e artit dhe kulturës në Shqipëri. Në të tëra zhanret e artit dhe kulturës, në muzikën e lehtë, muzikën popullore, në muzikën klasike, në pikturë, në dramë e komedi, në skenat e humorit, në balet, në skulpturë, etj mbizotëron vulgariteti, përballë vlerave. Ne kemi 432 ditë që protestojmë këtu për mbrojtjen e teatrit, që duan t’a shkatërrojnë si pjesë e krizës në fushën e kulturës. Ideja e shkatërrimit të teatrit është një pjesë shumë e vogël e mjeteve, teknikave dhe mënyrave që përdor klasa politike shqiptare për të shkatërruar kulturën e një kombi që ka vënë themelet e kulturës evropiane.

Kriza sportive shfaqet në faktin se në të tëra llojet e sporteve (me përjashtime të rralla) nuk kemi asnjë rezultat pozitiv dhe të qendrueshëm si në aspektin e sporteve individualë, ashtu edhe në sportet ekipore.

Kriza mjedisore shfaqet në shkatërrimin e degradimin e mjedisit, në dëmtin e tokës, ujrave dhe ajrit, pyjeve e kullotave e mjediseve të mbrojtura. Mënyra se si sillemi me mjedisin dhe me mbetjet urbane, rurale dhe industriale dhe me kryerjen e investimeve të palogjikshme për ndërtimin e inceneratorëve, tregon më së miri këtë krizë.

Të gjitha këto aspekte të krizës së përgjithëshme që ka mbërthyer vendin shfaqen në krizën kushtetuese dhe në krizën zgjedhore. Është fakt që kemi një kushtetutë e cila nuk garanton ndarjen e pushteteve dhe gjithashtu nuk garanton liritë dhe të drejtat e qytetarëve.

Gjithashtu, kemi një kod zgjedhor që nuk garanton lirinë dhe barazinë në zgjedhje sepse mungon standardi i zgjedhjeve. Si rezultat, e drejta për të votuar dhe e drejta për t’u votuar janë cënuar maksimalisht.

Të gjitha këto kriza, që në thelb kanë të bëjnë me moralin, kanë bërë që shqiptarët të jenë të përçarë midis tyre dhe të ketë shumë pabarazi e diskriminim midis shtresave dhe individëve që përbëjnë shoqërinë shqiptare, përçarje dhe diskriminim që në fund të fundit kanë ndikuar në mënyrë në mënyrë të drejtpërdrejtë në gjendjen ekonomike të vendit dhe të qytetarëve shqiptarë.

Në këtë gjendje që është vendi dhe shoqëria shqiptare është e udhës që të hedhim vështrimin te Presidenti i 16 i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Abraham Linkoln, që ka qeverisur në periudhën 1861 – 1865. Ai pati tre objektiva:

(1) Bashkimin e vendit,

(2) luftën kundër pabarazisë dhe diskriminimit dhe

(3) zhvillimin e modernizimin e ekonomisë.

Për të eliminuar pabarazinë dhe diskriminimin dhe për të zhvilluar dhe modenizuar ekonominë duhet bashkim kombëtar. Prandaj ju ftoj që ashtu si në kohën e Abraham Linkolnit, para shumë viteve, të bashkohemi, sepse vetëm të bashkuar mund t’i bëjmë ballë së keqes dhe krizave që kanë shkatërruar dhe po shkatërrojnë Shqipërië. Vetëm të bashkuar mund të vemë në vend dinjitetin tonë.

Ju faleminderit!

Share: