Përktheu nga anglishtja Elvis Zaimi
[ Pragë, Nëntor, 1920 ]
Mbrëmje e të Shtunës,
Ende nuk e kam marrë letrën e verdhë, do t’ua kthej mbrapsht të pahapur.Do të isha tmerrësisht I gabuar nëse ideja e dhënies fund të të shkruarit dhe e ndërprerjes të letërkëmbimit ndërmjet nesh nuk do të rezultonte e mirë. Por nuk jam i gabuar, Milena.Nuk dua të flas për ty jo sepse kjo nuk është aspak puna ime-ajo është puna ime-thjesht nuk dua të flas për ty.
Kështu që këtë kam për të thënë për veten time: Ajo çfarë ju jeni për mua, Milena, përtej gjithë kësaj bote në të cilën banojmë, nuk mund të gjendet në mbeturinat e përditshme prej letre që të kam dërguar.Ashtu siç edhe janë, ato letra nuk bëjnë asgjë veçse shkaktojnë ankth, dhe nëse nuk shkaktojnë kurrfarë ankthi, atëherë kjo është edhe më keq. Ato mundet vetëm të ndjellin një ditë në Gmund, të krijojnë keqkuptime dhe turp, një turp që nuk kalon thuajse kurrë. Unë dua të të shoh po aq qartë sa të pashë herën e parë në rrugë, por letrat shkaktojnë më shumë shpërqëndrim sesa e tërë rruga Lerchenfeldstrasse me zhurmërinë e saj.
Por jo se kjo është vendimtare, faktori vendimtar është paaftësia ime në rritje (letër pas letre) për të shkuar përtej letrave .Jam i pafuqishëm përpara jush ashtu edhe si para vetes time-1000 letra nga ju dhe 1000 dëshira të miat nuk kishin për të më bindur ndryshe-dhe (ndoshta si rezultat i kësaj pafuqie, porse këtu të gjitha shkaqet janë të rroposura në errësirë), ai që është po aq i rëndësishëm sa edhe ato është zëri yt i parezistueshëm, përnjëmend zëri yt që më bën thirrje të jem i heshtur. Dhe tashmë gjithçka që lidhet me ty mbetet e pathënë, natyrisht më e shumta gjendet më letrat e tua, (mundet në të verdhën, ashtu si dhe në telegramin me të cilin kërkonit-natyrisht se për arsye të mira-t’ua ktheja letrën, shpesh në fragmentet të cilave u frikem dhe i shmang sikurse djalli shmang një vend të shenjtëruar.
E çuditshme, doja gjithashtu t’ju dërgoja një telegram. Luajta me mendjen time në mbështetje të kësaj ideje për një kohë të gjatë-në shtrat këtë pasdite, në Belvedere këtë mbrëmje, por kishte për të më thënë vetëm këtë “Kërko përgjigje miratuese, të çiltër, të shprehur qartazi dhe hapur për fragmentin e nënvizuar në letrën më të fundit”. Porse kjo e fundit duket se përmbante një mungesë të pakëndshme dhe të pajustifikuar besimi, pra dhe unë nuk e nisa.
Kështu që tashmë këtë letër e kam bluar me mend deri në 1.30 të natës, pa bërë asgjë tjetër, vetëm duke e ngulitur vështrimin i përhumbur tek ajo, dhe nëpërmjet saj tek ty.Shpesh-jo si në ëndërr- unë shoh me mendjen time. Fytyra jote është e fshehur në floknajën tënde-të cilën unë arrij t’ia dal mbanë ta kreh me vijë ndarëse në të majtë dhe të djathtë; fytyra jote shfaqet dhe duart e mia rrëshqasin nxitimthi për të shkuar përmes ballit deri tek tëmthat, tashmë jam edhe duke e mbajtur fytyrën tënde ndër duart e mia.
E Hënë (vijon)