(vijon nga numri i mëparshëm)
Përktheu nga anglishtja Elvis Zaimi
E Hënë
Doja ta grisja këtë letër, dhe jo ta dërgoja, as dhe t’I përgjigjesha telegramit tuaj, prejse telegramet mund të mbartin dhe përcjellin kuptime kaq të ndryshme-por tashmë si kartapostale ashtu edhe letra kanë mbërritur; kjo kartë, kjo letër. Edhe pse kur përballem me to teksa më vështrojnë, Milena, madje edhe pse më duhet ta kafshoj fort gjuhën sa ta bëj copë e çikë, ajo do të flasë keq-si mund ta besoj se ju tashmë keni nevojë për letrat e mia, kur e vetmja gjë për të cilën keni nevojë është paqja, siç ju edhe kaq shpesh e keni shprehur, gjysmë me pavetëdije. Dhe këto letra në realitet nuk janë veçse ankth i kulluar, ato janë shkaktuar nga një ankth i pakurueshëm dhe ato shkaktojnë ankth të pakurueshëm.Për më tepër gjërat janë duke u bërë edhe më keq, prejse çfarë të mire do të bëjnë letrat e mia këtë dimër.E vetmja mënyrë për të jetuar është të jesh i heshtur dhe në një qetësi të patrazuar, si këtu ashtu edhe atje. Me njëfarë trishtimi, shkëlqyeshëm, por çfarë ndryshimi do të rridhte prej këtej? Trishtimi do ta bënte gjumin më të thellë, për t’i ngjasuar ca më shumë atij të fëmijwve. Por ama ankthi e tërheq plugun e tij gjatë gjumit-gjatë gjithë ditës, gjithashtu- dhe kjo është e padurueshme.
U bënë kaq shumë kohë qysh se të kam shkruar, Frau Milena, dhe madje edhe sot jam duke të të shkruar vetëm për shkak të rastësisë. Në fakt nuk më duhet të të kërkoj ndjesë përse nuk të kam shkruar, përmbi të gjitha, ju e dini sesa shumë unë i urrej letrat.
Të gjitha fatkeqësitë e pësuara në jetë,-nuk dua të ankohem e rënkoj për to, por thjesht të bëj një vëzhgim përgjithësues mësimdhënës,- e kanë prejardhjen, dikush mund ta thotë këtë, nga letrat ose nga mundësia për të shkruar letra.Njerëzit vështirë se më kanë mashtruar ndonjëherë, veçse letrat gjithmonë, dhe për hatër të së vërtetës jo ato të njerëzve të tjerë, por të miat.Në rastin tim kjo është një fatkeqësi e veçantë të cilën nuk dua ta diskutoj më tej, por është prapëseprapë edhe një fatkeqësi e përgjithshme.
Mundësia e kollajshme për të shkruar letra-nga një këndvështrim I pastër teorik-duhet të ketë sjellë shkatërrim dhe rrënim në shpirtrat e kësaj bote.Të shkruash letra është në fakt të krijosh dhe mbash marrëdhënie me fantazmat, dhe kurrë ndonjëherë vetëm me fantazmën e marrësit por me vetë fantazmën tënde, e cila fshehtësisht zhvillohet për t’u ndryshuar brenda letrës që je duke shkruar, ose madje edhe permes një serie letrash, ku njëra letër futet në pohime për të paraqitur miratueshëm tjetrën, e cila pas kësaj mund të jetë edhe qokë vërtetësie si dëshmitare e saj. Nga u erdhi dhe si e morën njerëzit idenë se mund të komunikojnë me njëri-tjetrin nëpërmjet letrave? Çdokush mund të mendojë rreth dikujt tjetër që ndodhet tepër larg tij, sekush mund të mbahet fort edhe tek dikush që e ka pranë; gjithçka tjetër shkon përtej fuqisë njerëzore.
Të shkruash letra, nga ana tjetër, është si ta ekspozosh vetveten ndaj fantazmave, të cilat me makutëri janë duke pritur saktësisht këtë prej jush.Puthjet e shkruara nuk e mbërrijnë kurrë destinacionin e tyre, më parë fantazmat gjatë rrugëtimit i pjnë ato me fund, derisa t’i shuajnë dhe thajnë plotësisht.Është ky ushqim I bollshëm që i bën ato të afta të shumëfishohen në një numër kaq pambarimisht të madh.
Njerëzit e ndjejnë këtë dhe luftojnë kundër saj, duke synuar të eliminojnë sa më shumë që është e mundshme nga fuqia e fantazmave, duke synuar të arrijnë tek një komunikim i natyrshëm, një qetësi të shpirtit, ata kanë shpikur trenat, automjetet, aeroplanët, por kurrgjë nuk mund të jetë për ndonjë ndihmë tashmë.
Këto janë dukshëm shpikje të projektuara në çastin e përplasjes. Ana kundërshtare është shumë më e qetë dhe më e fortë; pas sistemit postar fantazmat shpikën telegrafin, telefonin, radiotransmetueset.
Ato nuk kanë për të vdekur urie, vetëm ne, të tretur pak nga pak prej kalbëzimit, do të përmbysemi fundbotshëm. (vijon)