Home KRYESORE Visar Zhiti: Nuk mund të bëjmë demokraci me njerëzit që bënë diktaturën

Visar Zhiti: Nuk mund të bëjmë demokraci me njerëzit që bënë diktaturën

“Po ndërtojmë një demokraci me ata që bënë dhe diktaturën” Është një deklaratë shumë indinjuese nga shkrimtari Visar Zhiti i cili mbi supet e tij ka vuajtur vitet e diktaturës komuniste.

Por, edhe kur sot kohët duhet të ishin ndryshe, sërish persekutorët ngrenë gishtin mbi të persekutuarin.

Edmond Çaja, dikur kryepolic në kampin e Qafë Barit, dhe që sot jeton i lirë në Gjermani e akuzon Visar Zhitin si gënjeshtar dhe bashkëpunëtor të regjimit.

“Ky bashkë me ata jo vetëm nuk shfaqin pendesë, dhe duken shumë larg pendesës, por kanë kurajon dhe paturpësinë që në një kohë tjetër, kur edhe ata nuk janë më policë dhe unë nuk jam më i burgosur politik, por jemi në një shoqëri demokratike, ata kanë kurajon të flasin kundër viktimave të tyre. 

Në asnjë vend të botës nuk mund të ngrejë gishtin persekutori kundër të persekutuarve, sidomos në kushtet e tanishme kur unë jam në kohën time, ne që ëndërruam demokracinë dhe u sakrifikuam dhe u martirizuam dhe me butësi tregojmë çfarë ndodhi, këta vërsulen në mënyrën më të përbindshme. Nëse atëherë po bënte i detyruar detyrën, sot që nuk është më në atë detyre dhe jeton në një nga vendet më të demokratizuara, flet si një polic, ndëshkon si një polic dhe kjo është e padurueshme dhe e patolerueshme” tha Zhiti në studion e RTV Ora 

 Zhiti nuk fsheh zhgënjimin për Autoritetin e Dosjes i cili nuk reagon duke thënë të vërtetën.

Visar Zhiti: “Në një rast të tillë, sic ju e kujtoni, në një konflikt të shefit të policisë të burgut me të burgosurin e tij dhe ai bën një shpifje, atëherë Autoriteti i Dosjeve apo institucionet e tjera duhet të mbajnë qëndrim, duhet të tregojnë si është e vërteta. Nëse ai që e thotë këtë zbulohet me dokumentacion, të mbajë përgjegjësi ai që akuzohet, ndryshe përgjegjësia e ndëshkimit duhet të bjerë në atë që shpif, qoftë Autoriteti i Dosjeve, qoftë institucione të tjera, qoftë shteti duhet tu japin përgjigje këtyre gjërave. Nëse ata i mbajnë të pazgjidhura, do të thotë se u intereson zgjatja e së keqes.”

Ende në diplomaci ka bashkëpunëtorë të sigurimit edhe po shkojmë afro tre dekada nga rrëzimi i diktaturës së komunizmit 

Visar Zhiti: “ Po janë, gjenden në shumë institucione. Së pari, duhen rrëfyer. Së dyti, është një ndër gazetarët më të mirë europianë, Adam Icnik, i cili thotë që në rastet e listave të bashkëpunëtorëve, duhen parë sa dëme i kanë sjellë shoqërisë. Meqë kemi dosje, kemi autoritete, kemi të gjitha levat, institucione, të shohin sa dëme kanë bërë dhe në bazë të tyre të mbahet qëndrimi dhe ndoshta jemi disa vonë, por janë të panevojshëm këta njerëz në institucione. Nuk mund të bëjmë demokraci me këta njerëz që bënë diktaturën.”

/Ora News.tv/

Share: