Home KRYESORE ASNJË KARROTË, VETËM SHKOPINJ PËR NE “NXËNËSIT SHEMBULLORË”

ASNJË KARROTË, VETËM SHKOPINJ PËR NE “NXËNËSIT SHEMBULLORË”

Nga Alma Lleshi

Duket se edhe këtë herë, si përherë…
Deri më sot, shumë vite pas hyrjes sonë në rrugën e europianizimit, ende kemi rrugë të gjatë për të përshkuar, dhe kjo pavarësisht nga disa pengesa që tashmë janë tejkaluar. Problemi ynë i gjatë dhe ekzistues që ende duhet të trajtohet, ka të bëjë jo vetëm me të kaluarën, por edhe me sfidat e mundshme të trajektores së zhvillimeve të vendit, ku boshllëqet dhe mangësitë e brendshme po thellohen nga skepticizmi i jashtëm.

E për sa kohë ritmet tona do vazhdojnë të jenë të vonuara e të dobëta, kjo do përcaktojë dhe cilësinë e integrimit tonë në BE.
Ja pra, pa shumë dritë, kjo është panorama e integrimit tonë të ç’ëndërruar, që nga fillimi i hershëm deri më sot, që kur perspektiva e BE-së për rajonin u bë gjithnjë e më artikuluar. Përveç kësaj, faktorë të brendshëm të këtij sfondi kanë patur një efekt parandalues, bashkë me tranzicionin tonë dëshpërimisht të gjatë.

Ky udhëtimi sfidues i yni, që ka filluar e nuk po përfundon siç duhet, i shkon gjithnjë aq pranë, pa e prekur dot një anëtarësim të mundshëm.
Opinione të ndryshme dhe në dukje realistë shprehen se, Maqedonia dhe Shqipëria janë viktima të mosmarrëveshjeve të brendshme të BE-së: Franca dhe Holanda e shtynë planin e Komisionit Evropian për negociata kryesisht për shkak të problemeve të tyre të brendshme politike. Edhe pse presidenti francez, Emmanuel Macron, nga ana e tij ka argumentuar se BE nuk duhet të pranojë më shumë anëtarë përpara se të kryejë reformat e veta të brendshme, zyrtarët e BE kanë treguar se Macron ka frikë nga populistët francezë dhe lëvizjet e krahut të djathtë.

Pas viteve të fundit dhe përtej politikës ndaj Ballkanit Perëndimor, Komisioni Evropian më në fund gjeti një instrument të qëndrueshëm për ta mbajtur rajonin të harmonizuar dhe të përkushtuar ndaj tranzicionit dhe reformave paqësore: qasjen e karrotave dhe shkopit.

BE do të ofronte anëtarësim të plotë në BE, investime në infrastrukturë dhe know-how, qasje në tregun e BE-së në këmbim të reformave gjyqësore, si dhe përmirësime të qëndrueshme në ekonominë e tregut, masat kundër krimit dhe korrupsionit.

Çuditërisht dhe fatkeqësisht BE-ja ka vendosur t’i injorojë në vazhdim këto qasje.

Shumë pak ditë na ndajnë nga zgjedhjet në Parlamentin Europian. Dhe nuk do lodhen më këta që na ofruan pafund shpërblimin e pamarrë dhe ndëshkimin e vazhdueshëm, për të nxitur sjelljen tonë të mirë. Pas kësaj do kemi shoferë të rinj në timon.
Dhe ne, përsëri do na varet para një karotë e re, dhe një shkop i vjetër pas.

Share: