Home KRYESORE Koncepti i Zakonshëm i të Vërtetës, E vërteta si deklarim prapavajtës i...

Koncepti i Zakonshëm i të Vërtetës, E vërteta si deklarim prapavajtës i përputhshmërisë

Martin Heidegger Përktheu Elvis Zaimi

Çfarë kuptojmë zakonisht me “të vërtetën’? Kjo fjalë, sa e lartësuar, por po aq me kuptim thuajse “të mpirë” dhe të bërë shoshë nga përdorimet e saj të hapërdara, mëton të shenjojë atë çfarë e bën një “gjë të vërtetë”, si të vërtetë. Çfarë është një “gjë e vërtetë”? Ne themi p.sh. “Është një kënaqësi e vërtetë të bashkëpunosh për përmbushjen e kësaj detyre”. Me këtë rast jemi duke shprehur mendimin se kënaqësia e këtij rasti është faktikisht dhe në mënyrë të kulluar e tillë. E vërteta është faktike, pra e lidhur me rrethanat e pranishme aktualisht në rastin individual. Në përputhje me karakterin faktik të së vërtetës ne flasim për arin e vërtetë, në dallim nga ai fals. Ari fals nuk është në fakt ai që duket se është. Është thjesht një “ngjasim”, dhe në këtë mënyrë nuk është në fakt I tillë. Çfarë nuk është faktike merret të jetë e kundërta e saj.Por edhe ai që thjesht vetëm duket se i përngjet arit, është prapësëprapë diçka faktike. Në përputhje me këtë,

ne shprehemi për ta cilësuar arin e vërtetë më saktësisht, se ky është rasti kur ari faktik është ar i mirëfilltë ose ar safi. Gjithësesi, të dy janë “faktikë”, si ari kallp që qarkullon me dukjen sikur të jetë i vërtetë, ashtu dhe ai mirëfilltazi I vërtetë. Në këtë pikë, pyetja rikthehet përsëri për të na u rishfaqur në këtë mënyrë; Cfarë nënkuptojnë këtu “I mirëfilltë” dhe “I vërtetë”? Ari I mirëfilltë është ari faktikisht I tillë, fakticiteti I të cilit është në pajtim ose në përputhje [ in der Uberinstimmung steht] me atë çfarë gjithmonë ne paraprakisht kemi kuptimin se është rasti i duhur për t’u emërtuar si “ar’. Anasjelltas, sa herë ne dyshojmë për “ar të sajuar”, ne themi se këtu diçka nuk përputhet [stimmt nicht]. Nga ana tjetër, ne për çfarëdo që është ne themi se “ është ashtu siç duhet të jetë”: “është në përputhje me”.Pra, çështja vjen në përputhje [Die Sache stimmt].

Megjithatë, ne quajmë të vërteta jo vetëm “kënaqësinë e pranishme faktikisht”, “arin e mirëfilltë”, dhe të gjitha çështjet/gjërat e tjera të këtij lloji, por gjithashtu dhe përmbi të gjitha ne cilësojmë si të vërteta pohimet tona mbi qëniet, të cilat në vetevete mund të jenë ose jo të mirëfillta në lidhje me llojin të cilit i përkasin, pra janë të hapshme për të qenë “kështu apo ashtu” në fakticitetin e tyre. Një pohim është I vërtetë nëse çfarë ai mëton të thotë dhe ta shprehë si kuptim të tijin, është në përputhje me çështjen mbi të cilën bëhet ky pohim. Këtu ne përsëri themi se “është në përputhje” megjithëse me këtë shprehim jo përputhshmërinë e brendisë së fakteve të çështjes, por përputhshmërinë e pohimit.

E vërteta, si kur është një çështje ashtu edhe kur është një pohim, është ajo çfarë vjen në përputhje me, e përputhshmja [Das Stimmende]. E vërteta dhe vetia e të qenurit i vërtetë këtu marrin të dyja domethënien e marrëveshjes, dhe kjo në një kuptim të dyfishtë; nga njëra anë, pajtueshmëri ose njëjtësim i relacioneve të përputhshmërisë [Einstimmgikeit] të situatave të një çështjeje me situatën e hamendësuar paraprakisht, që në krye, për të shërbyer më pas si cilësim i të vërtetës për situatat vijuese të fakticitetit të çështjes. Nga ana tjetër marrëveshja në lidhje me përputhjen nuk ka ta bëjë me fakticitetin e ndryshëm të situatave të çështjes, por me përmbajtjen kuptimore të pohimit në lidhje me atë çështje.

Ky karakter dyjar I marrëveshjes në lidhje me të vërtetën nxjerr krye për të dalë në dritë me përkufizimin tradicional të së vërtetës; veritas est adequatio rei et

intellectus. Kjo mund të merret se do të thotë se e vërteta është korrespondimi përkatës [Aingleichung], i çështjes me dijen. Por ajo gjithashu mund të merret sikur thotë; e vërteta është korrespondimi i dijes me çështjen. Duhet pranuar se përkufizimi I mësipërm gjendet zakonisht I pohuar vetëm në formulën veritas est adequatio intellectus ad rem: [e vërteta është përputhja e intelektit me gjënë].

Megjithatë, e vërteta e menduar sipas përftimit të rrjedhur nga një përfytyrim i këtillë, e vërteta propozicionale, është e mundshme vetëm nëse mbështetet në të vërtetën materiale [Sachwahrheit], të adequatio rei ad intellectum [përputhja e gjësë me intelektin].Të dy konceptet mbi thelbin e veritas e kanë vazhdimisht në vështrimin e tyre të vërtetën si një përputhje joarbitrare, por që I vjen për shtat materialitetit…[Sichrichten nach…], dhe prej këtej e mendojnë të vërtetën si korrektesë [Richtigkeit].

Prapëseprapë, të dy pohimet nuk janë të anasjelltët e thjeshtë të njëri-tjetrit. Përkundrazi, në secilin rast intellectus and reus janë të menduar ndryshëm.

Vijon

Share: