Nga Flutura Acka
“5 Mei Plein” është një nga ndalesat e tramit, pranë një sheshi diku në Utrecht të Holandës, ku prej vitesh ngjitem e zbres shpesh në vejevijën time mes dy atdheve të mi, njëri i imi, tjetri i tim Biri. Edhe murdrita e dhomës sonë të ndenjjes, sheh mbi stacionin “5 Mei Plein”, nga ai kënd jam mësuar ta përcjell përherë me sy mëngjeseve siluetën e tim Biri kur shkonte për në shkollë, edhe në ditë të vranëta, edhe nëpër të reshta, edhe ditëve ende të pagdhira dimërore. Rrija dhe prisja deri sa sinjali i njohur i kalimit të tramit nëpër stacionin dhe zhurma familjare e metalit mbi metal, e merrte tutje me vete dashurinë time. Ritualin e këqyrjes nga dritarja e përsërisja sërish orë më vonë, kur im Bir zbriste në ndalesë në kthimin nga shkolla, nxitin te semafori, hovin te rrugina deri te ndërtesa që e përfshinte brenda saj në pak minuta, zhurma e ashensorit, krraku i portës. Shpesh, ngaqë e dija me të qindtat e sekondës kohën e nevojshme të kthimit të tij, dyert i lija hapur, si një mirëseardhje të bujshme.
“Mam, kam pak uri”, thoshte dhe afronte kokën te supi që ta nanurisja nëpër flokë, si përherë, dhe lëshonte çantën e rëndë të shkollës në shesh. Ndonjëherë më niste rrugës një sms që t’ia bëja gati në kohë pjatën: pak djathë të bardhë të skuqur në mënyrën shqiptare, domatëza e rukola, dhe pak bukë.
Në krye të vitit 2018, kur shumë shpejt do t’i vinte fundi këtij rituali, kur nxënësi i shkëlqyer do të mbyllte diplomën dhe po nxitonte të ishte student, tek zgjidhte mes ftesave të shumta të universiteteve se ku dëshironte të studionte, fati i kishte rezervuar rituale të tjera klinikash, spitalesh, seancash mjekësore, shtrime e nënshtrime nëpër regjime të së pashërueshmes, pranimin e të papranueshmes, detyrimin për të mësuar prindërtit se si të sillen me humbjen e tij, si të ishte i mirë deri në fund, ashtu siç kishte lindur, si të ikte me dinjitet, si ta merrte bashkë me fizikun e tij atë qenien e rrallë që ishte, dhe të linte kujtimin me po atë bojë njeriu. Një barrë që nuk e di se si e mbajti asisoj e që më mban ende në këmbë ndaj respektit të thellë ndaj tij, po aq sa dashuria.
Një mbrëmje, gjatë ditëve të rënda të pranimi të fatit, kur u përqafuam dhe qamë gjatëherë në krahët e njëri-tjetrit, në përpjekjen për të marrë përgjigjje për pyetjet tona shtypëse dhe për t’i dhënë trajtë mundimit tonë shpirtëror, i thashë: “Bir, kam njohur njerëz në moshë, të cilët nuk i do njeri, sepse kurrë nuk ditën të duan njeri, që janë të vetmuar, që do të përcillen të vetmuar. Mjerë ata! Këtë çast unë mund të çoj me dhjetëra, me qindra sms, njerëzve që të njohin dhe të duan fort, dhe jam e sigurtë se shumë prej tyre, kur ta mësojnë se ti po lëngon, do të marrin rrugët nëpër Europë vetëm që të jenë me ty tani. Aq shumë të duan!”
Tani në dhomën e zbrazët të tij, është gjithçkaja e tij: kompjuteri i sofistikuar për të edituar filma, që e montoi vetë me pjesë të blera që të kushtonte më lirë. E la. Laptopin e shkollës të shpejtësisë së lartë. E la. Kameran, fjalën e fundit të shkencës. E la. Kindle, bashkë me “Kandidin” e Volterit, librin e fundit që po lexonte me shënimet në anë. E la. Smartfonë, që i gjurmonte dhe i ndërronte shpesh ngaqë i “vjetëroheshin”. E la. Edhe kalkolatriçja e tij e koklavitur ku zbërthente formulat e larta të ekonomisë, një nga pasionet e tij, është aty. E la. Edhe garderobën tij me shije të parakohshme të hijshme për një tetëmbëdhjetëvjeçar. Asgjë materiale që e pati joshur dhe zotëruar mbi këtë dhé, nuk iu desh me vete. Të vetmet që mori, ishte mendja e tij brilante, zëri i butë dhe i bukur, e qeshura e patëdytë, vështimin e trishtuar e të thellë, zemrën bujare, ethen për dije, kureshtjen e pafund ndaj botës, racionalitetin mahnitës, dhimbjen ndaj të dobëtit, mendjen e hapur, ironinë e hollë, shkujdesjen ndaj vogëlsirave, dukën e tij krenare, sqimën e hollë, naturën e ndjeshme, politesën befasuese, maturinë tronditëse, dhe gjithçka që e bënin një njeri të virtytshëm dhe të respektuar. Unë, nëna e tij, nuk e di në do të marr me vete me lamtumirën time aq shumë sa ç’mori ai, nuk di a do të jem aq e zonja të marr aq sa ç’mori im Bir. Ai nuk zgjodhi, por ishte i tillë. Mua më duhet vetëm ta ruaj në kujtimet e mia këtë arkitekturë të rrallë njerëzore që pata fatin ta njihja, dhe pafatësinë ta humbja.
Tetëmbëdhjetë ditë para të tetëmbëdhjetave të tij, pak ditë para se im Bir të niste jetën e tij të lirë, t’ia linte fëmijërisë së tij stacionin “5 Mei Plein”, ai ndali për lamtumirën e tij të dhimbshme me ne. Ishte 5 Maji i vitit 2018.
Tani nuk dal më në anë të murdritës së dhomës së ndenjjes dhe as i hedh sytë kah stacioni “5 Mei Plein”, as fishkëllimën e gjarpërimit të tramit nuk e ndiej më, edhe pse ai është staconi i përjetshëm i imi, mbase për shkak të emrit që mban. Tani jam e zënë me trafikun e kujtimeve të mia, që ma bëjnë 5 maj çdo ditë timen; ashtu mund ta ndjej ende pulsin, frymën, vështrimin, zërin dhe mendjen e qenies më të dashur që kam.