Home KRYESORE Pashë të shfaqeshin pamje nga eksodi shqiptar me anijet në Itali. Dhe…

Pashë të shfaqeshin pamje nga eksodi shqiptar me anijet në Itali. Dhe…

Nga Adela Kolea

Ndoqa pjesërisht edhe intervistën e një blogere-je shqiptare të Italisë mbi këtë argument.

Ndërkohë që të paktën këtu në Itali janë bërë gati 30 vjet emigracion që prej kohës së eksodit, shqiptarët duket se nuk e kanë metabolizuar ende atë mënyrë dramatike të kapërcimit të detit.

Është një mënyrë që unë vetë s’e kam provuar për fat por, kuptoj se është një sprovë e fortë njerëzore dhe të lë brenda teje një gjurmë që as koha e as rimëkëmbja jote si person, pas atij sforcimi të pamasë, nuk ta kuron…

Mënyrat e mbërritjes sonë në Itali si emigrantë – flas kryesisht për shqiptarët e Italisë – janë nga më të ndryshmet.

Padyshim mazhoranca ka ardhur nëpërmjet valëve të eksodit – ambasadat dhe anijet – dhe çka mbetet pastaj ka ardhur për bashkim familjar, motive studimi, pune, specializimi, të riatdhesuar si familje me origjinë italiane si puna ime e kështu me radhë.

Emigracioni asnjëherë s’është i lehtë, për gjithkënd e në çfarëdo shteti të bëhet fjalë që emigrohet, në çfarëdo epoke të emigrohet. Çdo kontekst ka problematikat e veta.

Në lidhje me pamjet e anijeve të eksodit shqiptar, unë vetë dhe çdo njeri them, s’kam nevojë të komentoj fare, pasi ato imazhe përbëjnë fototregime, janë aq shprehëse, janë “libër i hapur” që rrëfejnë e pasqyrojnë vetë gjithçka që ajo situatë përmbante në kompleks për shqiptarët dhe Shqipërinë që po fillonte tranzicionin. Pale videot pastaj: pasqyrë evidente e dhimbjes shqiptare, të ndrydhur brenda njeriut e akumuluar prej kohësh.

Megjithatë, pas gati 30 vjetësh tashmë, unë them se retorika vlen vetëm deri diku.
Duke respektuar dhimbjen dhe përjetimet e gjithkujt nga eksodi, unë them veç këtë:

Gjithë ai popull i anijeve sot pas gati 30 vjetësh në Itali, duhet të ndihet fundja i lumtur e i realizuar.

Pjesa më e madhe e atyre personave, në Shqipëri kishte mbetur pa asgjë, ndaj në valvulën e shpërthimit e sipër, Italinë, gjeti gjithçka për të cilën kishte nevojë.

Nuk them se i dhuroi kush gjë shqiptarit – megjithëse zemërgjerësia italiane, edhe dhurata u ka bërë shqiptarëve – kanë punuar e janë përpjekur për të ardhmen e tyre e të fëmijëve dhe ia dolën, se oportunitetet pikërisht, i patën.

Sistemuan jetesën këtu në emigracion e investuan edhe në vendlindje.

Veçse, vërej se të rrimë gjithë jetën duke qarë anijet e fillim ’90-ës, sikur na sillka ters ne shqiptarëve…!

Se ajo histori largimi masiv nuk po iu ndaka shqiptarëve duket, aktualisht. Nuk po gjejnë paqe si popull.

Sot nga Shqipëria po kërkojnë ende të largohen njerëzit – edhe ata me standard të konsiderueshëm jetese – dhe të largohesh në 2019-ën është akoma edhe më e dhimbshme se në fillim të ’90-ës.

Pasi në ’90- ën dihej se nga ç’gjendje vinte vendi.

Në 2019-ën është e tepërt kjo sprovë.

Ndaj them se është njerëzore nga një anë por, edhe disi retorike të “qash” ende sot eksodin e fillim ’90-ës.

Ai eksod për fat që u krye, me gjithë dramaticitetin e vet.

Metafora e emigracionit, e sjellë në këtë formë vajtimi, ‘ndillka’ emigracion të pandalshëm për shqiptarin.

E thënë shqip: me më tepër këmbë në tokë, me përulësi, të mos qahemi për një herë të vetme për veten tonë – se tashmë pas 30 vjetësh ne e kemi kapërcyer e metabolizuar aktin e kalimit të detit – por, të jemi pragmatikë e të shohim raportimin apo nevojshmërinë ndaj emigracionit, atij që kanë ende SOT shqiptarët.

Tua lëmë atyre radhën, me përulësi, që të ankohen sot…

Ne, emigrantët e fillim ’90-ës, kemi më pak arsye që të ankohemi për veten pas gati 30 vjetësh emigracion.

30 vjet janë baraz me një brez të tërë.
Në sens kohor e antropologjik, kaloi një brez emigracioni nga ne tashmë.

Tani nga ne evidencohet gjenerata e dytë e emigracionit.

Ndaj them, të kujdesemi për “anijet e sotme” që planifikojnë largimin eventual nga Shqipëria aktualisht dhe për par condicio, për anijet që në Itali synojnë të mbërrijnë nga Afrika…

Share: