Home KRYESORE Dokument/ Çfarë kërkon opozita nga Kushtetuesja në lidhje me zgjedhjet

Dokument/ Çfarë kërkon opozita nga Kushtetuesja në lidhje me zgjedhjet

Kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi, depozitoi një kërkesë mbi “votimet antikushtetuese” të 30 qershorit, siç i konsideron ato opozita.
Sipas dokumentit, opozita kërkon konstatimin antikushtetues të procesit të 30 Qershorit dhe verifikimin e kushtetueshmerisë së Bindjes Demokratike lidhur me regjistrimin e saj për 30 Qershorin.

“Jemi këtu duke iu referuar të drejtës tonë kushtetuese dhe në interesin publik të të gjithë qytetarëve për të zbatuar kushtetutën. Kemi parashtruar arsyetimet tona dhe sigurisht shpresojmë që në momentin e parë që Gjykata Kushtetuese të jetë në punë dhe të funksionojë, të mund të fillojë menjëherë gjykimin e një çështjeje me rëndësi. Ne shpresojmë shumë që Rama të mos pengojë dhe të mos fusë duart në emërimet dhe Gjykata Kushtetuese të marrë sa më shpejt vendimin”, tha Voltana Ademi për mediat.

E pyetur çfarë do të bëjnë kryebashkiakët e opozitës duke qenë se Gjykata Kushtetuese mund të ngrihet pas muajit shtator ose më vonë, ndërkohë që kryebashkiakët e rinj marrin detyrën në 10 gusht, Ademi u përgjigj: “Ne po veprojmë në mënyrë institucionale, kemi bërë atë që kemi gjykuar që është e drejtë”.

Kjo lëvizje është propozuar dhe më herët nga faktori ndërkombëtar.

Që nga ambasada amerikane në Tiranë por dhe ambasadat e vendeve të BE-së kanë theksuar se është kjo Gjykatë që duhet të flasë për ligjshmërinë e procesit të 30 qershorit.

Vetëm një ditë pasi në Shqipëri u zhvilluan zgjedhjet lokale, Ambasada Amerikane sugjeroi që “Ata që dëshirojnë të sfidojnë rezultatin e zgjedhjeve, mund të presin nga Gjykatën Kushtetuese, e cila shpresojmë do të ngrihet së shpejti, me gjykatës të cilët kanë kaluar një proces rigoroz vettingu.”/ Opinion.al

Share: