Home KRYESORE Beteja për narrativën e zgjedhjeve vazhdon paralelisht me numërimin për procedurë!

Beteja për narrativën e zgjedhjeve vazhdon paralelisht me numërimin për procedurë!

Nga Gjergj Erabara

Opozita ngriti akuza mbi integritetin e zgjedhjeve të zhvilluara të dielën, ndërkohë që Rama ishte i dyjëzuar mes të qenit sfidues dhe ofertës për bisedime me opozitën si mënyrë e uljes së tensioneve. Ndërkohë, misioni i vëzhguesve ndërkombëtarë ngriti një pyetje më të thjeshtë dhe më të rëndësishme: Për çfarë janë zgjedhjet?

Një komisioner duke numëruar vota në qendrën zonale të administrimit zgjedhor 35 në Tiranë të hënën më 1 korrik 2019. Foto: Gjergj Erebara

Në të gjithë Shqipërinë, nëpër palestra shkollash plot vapë, grupet e numërimit të votave janë duke hapur kutitë një nga një dhe duke lexuar me zë monoton emrin e personit që ka marrë votën.Në qendrën zonale të administrimit zgjedhor 35 në shkollën “Vasil Shanto” në Tiranë, të pesë grupet e numërimit detyrohen të lexojnë me zë të lartë dhe monoton, shpesh në të njëjtën kohë: “Veliaj, Veliaj, Veliaj, Veliaj, Veliaj, Skënderaj, Veliaj, Veliaj, E pavlefshme, Veliaj,”…

Rezultatet zyrtare janë ende larg, por megjithatë ato dihen. PS ka tashmë61 nga 61 bashkitë e vendit, me rezultate që në shumicën e rasteve arrijnë në 100% të votave të vlefshme.

Shqiptarët votuan formalisht tëdielën për kryebashkiakë dhe këshilltarë bashkiakë dhe numërimi u krye ose po vijon të kryhet vetëm për procedurë. Praktikisht, shqiptarët nuk zgjodhën, por u shtrënguan të bëhen pjesë e një sherri politik të nivelit të lartë, në të cilin, sipas vëzhguesit ndërkombëtar, interesat e tyre “nuk u morën në konsideratë”.

Dhe ndërsa votimet u kryen pa zgjedhje, beteja për narrativën se çfarë nënkuptojnë këto zgjedhje është ajo çfarë ka marrë të gjitha energjitë e debatit publik në vend.

Për kryeministrin Edi Rama, këto zgjedhje ishin “një përplasjeje historike mes të shkuarës dhe të ardhmes”, ndërsa në fjalimin e mbajtur vetëm dy orë pas mbylljes së kutive të votimit, deklaroi se do të punojë për një “mandat të tretë” qeverisës. Ai pretendoi se rezultati i zgjedhjeve përbënnjë konfirmim popullor të qeverisjes së tij, ndërsa argumentoi se nuk ishte faji i tij që zgjedhjet ishin pa kandidatë, pasi në fund të fundit, ishte opozita ajo që bojkotoi.

Sipas këtij arsyetimi, nëse në votime të dielën u hodhën një numër i përafërt votash me atë që socialistët fituan në vitin 2017, atëhere Rama ka fituar dhe opozita ka humbur.

Megjithatë, pavarësisht tonit sfidues, të hënën ai dërgoi një mesazh tjetër përmes njëinterviste ku deklaroi se ishte i gatshëm për kompromis dhe se kuptonte se “politika duhet të bashkojë vendin”.

Dy partitë politike të opozitës, PD dhe LSI, të cilat e gjetën veten të përjashtuara edhe nga pushteti vendor dhe të shumëkritikuar nga ndërkombëtarët për aktet e dhunës të kryera para zgjedhjeve të së dielës, u përpoqën gjatë të hënës të sulmonin zgjedhjet e së dielës si jolegjitime, duke ngritur akuza mbi integritetin e tyre, përfshirë dyshimet se kutitë mund të jenë mbushur për të paraqitur një pjesëmarrje më të lartë se sa realja, apo duke kritikuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve si një institucion i njëanshëm i Partisë Socialiste.

Pasdreke, pretendimet e tyre për zgjedhjet u mbështetën edhe nga raporti paraprak i misionit ndërkombëtar të monitorimit, i cili theksoi se kriteri ligjor i pasjes së komisioneve zgjedhore të balancuara politikisht nuk u realizua kësaj here për shkak se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi me votat e anëtarëve socialistë të krijojë komisione zonale dhe komisione qendrash votimi “të pabalancuara politikisht”, shkroi OSBE, por që në thelb ishin, komisione socialiste.

Ambasadorja Audrey Glover, e cila ka monitoruar zgjedhje edhe në të shkuarën në Shqipëri, shtroi para gazetarëve një pyetje retorike: “Për çfarë janë zgjedhjet, për politikanët apo për votuesit?”

Në një përgjigje të thjeshtë, maxhoranca dhe opozita mund të vijojnë të debatojnë deri në fund të ditëve se cila prej tyre nuk ka faj për situatën e krijuar, për pjesën tjetër të shqiptarëve çështja është se ata do të qeverisen nga kryebashkiakë që kanë dalë nga votime pa zgjedhje

Share: