Home KRYESORE Eksperti amerikan pranon se marrëveshja Kosovë-Serbi u ndal nga Merkel

Eksperti amerikan pranon se marrëveshja Kosovë-Serbi u ndal nga Merkel

James Hooper, ish-zyrtar i Departamentit të Shtetit dhe analist i Ballkanit thotë se një marrëveshje gjithëpërfshirëse mes Kosovës dhe Serbisë nuk mund të mos ketë elementin e territorit.

Në nje intervistë për Zërin e Amerikës Hooper u shpreh se ishte kancelarja Angela Merkel dhe kryeministri Haradinaj që bllokuan marrëveshjen me shkëmbim territoresh e cila ishte pjesë e negociatave të presidentëve Thaçi dhe Vuçiç

“Nëse duan një marrëveshje, e vetmja mundësi është ajo e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse. Nuk besoj se ka asnjë shans për një marrëveshje graduale ose të pjesshme. Presidentët Thaçi dhe Vuçiç po negocionin një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe arsyeja që ajo dështoi ishte në fakt jo se serbët dhe shqiptarët nuk mund të binin dakord, në fakt ishin shumë pranë marrëveshjes. Sigurisht duheshin sqaruar disa detaje por në përgjithësi, për konceptin e përgjithshëm kishin rënë dakord. Problemi ishte se populli i Kosovës nuk donte të pranonte një shkëmbim territori si pjesë të një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse. Po ashtu as Gjermania, zonja Merkel nuk donte ta pranonte dhe kështu e bllokoi.

Sipas mendimit tim, suksesi që pati zoti Haradinaj për ta bllokuar këtë në Kosovë, përmes tarifave dhe suksesi që pati kancelarja Merkel – dhe mendoj që kundërshtimi i saj ishte më vendimtar sesa ai i zotit Haradinaj – për ta bllokuar, do të thotë se Evropa, Bashkimi Evropian, ose më saktë Gjermania nuk është e gatshme të pranojë këmbime territori, si çmim për një marrëveshje gjithëpërfshirëse mes Kosovës dhe Serbisë” tha Hooper.

Ai tha se të dyja vendet kanë shoqëri shumë nacionaliste dhe pa një marrëveshje mes tyre ato rrezikojnë të rrëshqasin drejt konfliktit. Kjo gjë sipas tij nuk u mor parasysh nga Merkel dhe Haradinaj të cilët nuk kishin një alternativë pas bllokimit të marrëveshjes.

“Serbia është një shoqëri shumë nacionaliste dhe siç po shohim edhe Kosova është shoqëri nacionaliste, po të kesh parasysh mbështetjen që pati zoti Haradinaj. Kur ke nacionalistë të fortë nga të dyja anët, mundësia për dhunë rritet në mënyrë të konsiderueshme, sepse ka më pak aftësi që njerëzit të ushtrojnë vetëpërmbajtje. Gjëja kryesore që unë kritikoj është se kancelarja Merkel dhe kryeministri Haradinaj, bllokuan një marrëveshje gjithëpërfshirëse pa pasur një alternativë tjetër nga ana e tyre.”

Në lidhje me rolin e SHBA në këtë proces, Hooper tha se ato mbeten të gatshme dhe të angazhuara në rajon por shtoi edhe se Kosova duhet të shfrytëzojë më mirë momentet dhe kohën.

“Mendoj se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të luajnë një rol shumë aktiv për të ndihmuar Kosovën dhe Serbinë të arrijnë një marrëveshje gjithëpërfshirëse. Kur nuk ka shpresë më për një marrëveshje të gjerë, apo për përparim, nuk është se Shtetet e Bashkuara e harrojnë Kosovën, por kjo çështje bie në listën e përparësive, bëhet më pak e rëndësishme dhe qeveria amerikane i kushton më pak rëndësi Kosovës. Dhe Kosova kishte më shumë për të humbur se Serbia nuk kishte marrëdhënie të afërt me Shtetet e Bashkuara.”

Ish-zyrtari i departamentit të shtetit tha gjithashtu se presidenti Vuçiç dhe Thaçi kanë një komunikim të vazhdueshëm me njëri-tjetrin dhe se ata kanë arritur shumë sa i përket marrëdhënieve komunikimit institucional mes dy vendeve.

“Unë mendoj se zoti Vuçiç dhe zoti Thaçi kanë arritur shumë. Ata kanë kapërcyer barrierat e komunimit mes Kosovës dhe Serbisë në nivelin zytar. Ata kanë kanalet e veta të komunikimit. Ata kanë qenë në shumë takime bashkë dhe ky nuk është sekret. Kanë pasur rast, të flasin, të kuptojnë njëri-tjetrin të shohin se ç’perspektivë ka pala tjetër, të shohin se çfarë u duhet të bëjnë për të realizuar një marrëveshje. Mendoj se ata kanë arritur mjaft mirëkuptim dhe kjo është një arritje e jashtëzakonshme. Ata nuk u mjaftuan me kaq. E përdorën këtë mirëkuptim për të arritur një marrëveshje” përfudoi intervistën Hooper. /Opinion.al

Share: