Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka dhënë dorëheqje. Këtë vendim ai e bëri publik në mbledhjen e rregullt të Qeverisë së Kosovës. Arsyeja e dorëheqjes, siç tha Haradinaj, është sepse ai ka marrë ftesë nga Gjykata Speciale në Hagë, në cilësinë e të dyshuarit.
“Arsyeja e këtij vendimi është se kam marrë thirrje të paraqitem për t’u marrë në pyetje nga Dhomat e Specializuara në Hagë si i dyshuar”, tha Haradinaj.
Ai tha se nderi i postit të kryeministrit duhet të ruhet dhe se ai do të paraqitet në Hagë për intevistim.
“Shteti im është Kosova, Kosova e paprekshme, me multi-etnicitet, me shumëgjuhësi, me territor e kufij. Kosovës i bëhet presion i padrejtë për çmimin e njohjes nga Serbia, ndarja apo ‘Dodik Republika’ janë të papranueshme”, tha Haradinaj.
“Mendoj se me ketë dorëheqje, Qeveria në dorëheqje i kryen detyrat e veta deri në formimin e Qeverisë së re, pas zgjedhjeve të lira. Tani përgjegjësia kalon të presidenti, që ai të fillojë konsultat dhe të caktojë datën e zgjedhjeve me partitë politike. Ato janë afate kohore kushtetuese. Unë i ofrohem popullit prapë për të marr besimin për shkak se nuk jam i akuzuar, por jam i intervistuar dhe aq sa më jep populli besim, do ta respektoj”, u shpreh Haradinaj.
“Tani janë dy aspekte, mund të flasim për pjesën politike ose ligjore, unë do të respektoj pjesën ligjore në tërësi, do të paraqitem e do të kryej detyrat e mia, pastërtinë time të një luftuari shqiptar, të nderit tim, të familjes sime, do ta mbroj Kosovën si luftëtar i vendit tim”.
“Ndërsa, pjesa politike e të tjera mendoj se është shumë gabim që po provohet t’i kërkohet Kosovës një çmim i papërballueshme për njohje ose arritjen e një marrëveshjeje. Mendoj se është gabim prej lidershipit të Kosovës të japë oferta të gabuara – duhet të bëhet kujdes”, tha ai.
Ai porositi që taksa e vendosur ndaj Serbisë nga Qeveria e Kosovës nën drejtimin e tij, duhet të mbetet në fuqi. Haradinaj theksoi se Qeveria e Kosovës duhet të funksionojë në dorëheqje deri në caktimin e zgjedhjeve të lira. Haradinaj tha se dorëheqja e tij është e parevokueshme dhe se për këtë vendim, do t’i informojë edhe krerët e institucioneve të Kosovës. Kjo nuk është hera e parë që Haradinaj jep dorëheqje.
Më 8 mars, të vitit 2015, vetëm pak muaj pasi kishte marrë detyrën, ai pati dhënë dorëheqje pas aktakuzës së parë të ngritur ndaj tij nga Tribunali i Hagës për krime lufte në territorin e ish-Jugosllavisë.
Ai ishte dorëzuar vullnetarisht në Gjykatën e Hagës. Në vitin 2008, Gjykata e Hagës e shpalli atë të pafajshëm. Katër vjet pas u bë rigjykimi i tij, po në Tribunalin e Hagës. Por, në vitin 2012, Ramush Haradinaj sërish u shpall i pafajshëm për të gjitha akuzat që e ngarkonin atë për krime lufte.
Një proces tjetër ndaj tij u ndoq edhe më 2017, por kësaj radhe në Colmar të Francës,ku autoritetet franceze, më 4 janar, e ndaluan atë mbi bazën e një urdhër-arresti të lëshuar nga Serbia për krime lufte. Por, pas një procesi gjyqësor ndaj tij, drejtësia franceze e kishte liruar atë më 27 prill. Ramush Haradinaj u zgjodh për herë të dytë në postin e kryeministrit të Kosovës më 9 shtator, 2017./ Burimi: REL