Dhjetë organizata shqiptare të medias, përfaqësues të gazetarëve apo organizata të të drejtave të njeriut, publikuan një deklaratë kritike ndaj nismës së kryeministrit Edi Rama për “disiplinimin” e medias online, duke i quajtur projektligjet një mjet censure dhe duke kërkuar tërheqjen e menjëhershme të tyre
Autor: Gjergj Erebara | BIRN |
Projektligjet e propozurara nga kryeministri Edi Rama për “disiplinimin” e medias në internet u publikuan të enjten në faqen e Kuvendit të Shqipërisë duke shënuar nisjen e shqyrtimit parlamentar, por dhjetë organizata shqiptare publikuan një kritikë të ashpër të nismës duke kërkuar “tëheqjen e menjëhershme të tyre”. Organizatat BIRN Albania, Civil Rights Defenders, Instituti Shqiptar i Medias, Instituti Shqiptar i Shkencave, Këshilli Shqiptar i Medias, Qendra Res Publica, Qendra Shqiptare MediaLook, Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore, Shoqata e Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë dhe Unioni i Gazetarëve të Shqipërisë thonë se projektligjet në fjalë, jo vetëm që janë të paprecedenta si nisma ligjore në vendet e botës demokratike, por edhe të gabuara në thelb, të tilla që rrezikojnë vendosjen e një regjimi cenzure për fjalën e lirë në internet. “Projektligjet në mënyrë të paprecedentë në vendet demokratike, synojnë të krijojnë një regjim kontrolli administrativ mbi median online,” shkruhet në deklaratë. “Projektligjet i japin fuqi një enti administrativ shtetëror për të rregulluar përmbajtën e mediave online, ndërkohë që nuk adresojnë problemin e gjithpërhapur të propagandës së kamufluar si informacion dhe dizininformimit të sponsorizuar nga qeveria, njësitë e qeverisjes vendore dhe partitë politike,” vijon më tej deklarata. “Ne inkurajomë Qeverinë Shqiptare të tërheqë dy projektligjet si dhe i bëjmë thirrje Kuvendit të Shqipërisë të mos i miratojë ato,” shkruhet në deklaratë. Kryeministri Edi Rama ka nisur prej kohës një fushatë denigrimi ndaj medias, shpesh duke akuzuar median si përgjegjëse për skandalet e ndryshme që kanë shpërthyer përreth qeverisë së tij. Kjo është nisma e pestë ligjore përgjatë një periudhe pesëvjeçare, përmes të cilave është synuar krijimi i një regjimi kontrolli ndaj “komenteve online”, medias në internet apo lirisë së shprehjes. Të katër nismat e mëparshme, të njohura si “Nisma Rama” për kriminalizimi i shpifjes ndaj zyrtarëve të lartë, Amendamenti “Bregu” kundër komenteve online, “projektligji Harito” për tregtinë elektronike dhe “propozimi Balla” për regjistrimin e portaleve në kohë zgjedhjesh, kanë dështuar të miratohen pas protestave vendëse dhe ndërkombëtare. Por asnjë nga këto nisma nuk mbërriti deri në fazën e dorëzimit si projektligj në parlament, siç është rasti i dy projektligjeve të fundit.Në relacionet e projektligjeve [link] qeveria përpiqet të argumentojë nevojën për nisma të tilla me një gjuhë thuajse oruelliane, ku disa shqetësime konkrete për gjendjen e medias, të tilla si përqendrimi i industrisë së televizioneve në pak biznese, përdoren për të justifikuar krijimin e një regjistri kontrolli për të gjitha publikimet në internet, nga faqet e mediave konvencionale deri te blogjet personale të qytetarëve.
“Miratimi i këtyre projektligjeve në formatin aktual apo me ndryshime kozmetike do të ishte një hap pas për demokracinë dhe liritë themelore në Shqipëri dhe procesin e integrimit të vendit në familjen evropiane,” shkruajnë organizatat.
Kliko këtu për të lexuar deklaratën të plotë në shqip dhe anglisht
Kliko këtu për të lexuar projektligjet dhe argumentet e qeverisë për to.