Home Ja Pse Shqiperia nuk behet si Zvicera Meta: Si Rama kapi drejtësinë, më kërkoi falje Donald Lu. Vlahutini…

Meta: Si Rama kapi drejtësinë, më kërkoi falje Donald Lu. Vlahutini…

               Publikuar në : 15:22 – 16/07/19 | 

Mënyrën se si u zbatua miratimi i reformës në drejtësi, Presidenti Ilir Meta e shikon si një nga shkaqet e krizës politike, ndërsa hedh akuza të drejtpërdrejta mbi kryeministri Edi Rama se ka kapur drejtësinë. Këtë të martë, pasi për 24 orë ktheu tre ligje në Parlament, kreu i shtetit shqiptar ka marrë përsipër të shpjegojë sipas tij se si u procedua nga qeveria në lidhje me zbatimin e reformës në drejtësi, që u miratua në korrik të 2016 me 140 vota unanime të Kuvendit të Shqipërisë.

Sqarimi se si formohet Gjykata Kushtetuese:

Gjykata Kushtetuese përbëhet nga 9 anëtarë që përzgjidhen nga kandidatët e verifikuar nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED) dhe të renditur në tri vendet e para të listës nga ky organ sipas ligjit. Pasi Këshilli Emërimeve në Drejtësi (KED), bën vlerësimin, renditjen dhe listimin e kandidatëve, anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, zgjidhen apo emërohen nga lista e hartuar nga KED, ku : tre anëtarë emërohen nga Presidenti i Republikës;  tre anëtarë zgjidhen nga Kuvendi, dhe  tre anëtarë zgjidhen nga Gjykata e Lartë.

Pra, nëse Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED), bllokohet dhe nuk funksionon, atëherë dhe vendet bosh në Gjykatën Kushtetuese nuk mund të plotësohen, pasi nuk ka se kush t’i plotësojë.

Si zgjidhet Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED) dhe përsa kohë funksionon ai?

Sipas Kushtetutës (neni 149/d), KED përbëhet nga 9 anëtarë të përzgjedhur me short, nga radhët e gjyqtarëve dhe prokurorëve, ndaj të cilëve nuk është dhënë masë disiplinore.  Ata ushtrojnë detyrën si anëtar të KED-së me mandat 1 (një) vjeçar. Anëtarët e KED, përzgjidhen me short të organizuar ose nga Presidenti i Republikës ose nga Kuvendi i Shqipërisë.

“Pas miratimit të ndryshimeve Kushtetuese, Kuvendi ka zgjedhur me short vit pas viti 3 (tre) Këshilla të Emërimeve në Drejtësi, për të funksionuar përgjatë viteve 2017, 2018, 2019. Fakt është që dy Këshillat e zgjedhur për të punuar përgjatë viteve 2017 dhe 2018, nuk kanë funksionuar, pasi janë bllokuar qëllimisht. Lind pyetja përse nuk kanë funksionuar dy Këshillat (KED), përgjatë viteve 2017-2018 ? Kush e bllokoi funksionimin e KED?  Kujt i interesonte që KED të mos funksionojë dhe rrjedhimisht të mos plotësohej edhe numri i nevojshëm i anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese?”, argumenton Presidenti Ilir Meta.

Sulmi i parë që Rama bëri ndaj KED, sipas Metës
Kuvendi në datë 27 janar 2017, nën kujdesin e Kryetarit të Kuvendit Ilir Meta, organizoi shortin në mënyrën më transparente dhe përzgjodhi Këshillin e Emërimeve në Drejtësi. Procesi i organizimit dhe zhvillimit të shortit për përzgjedhjen e anëtarëve të KED-së u drejtua në mënyrën më profesionale dhe në zbatim të Kushtetutës dhe ligjit nga zj.Albana Shtylla, Sekretar i Përgjithshëm i Kuvendit, e cila përgjatë gjithë procesit ka bashkëpunuar me institucionet respektive që përcollën kandidaturat dhe është konsultuar në mënyrë të vazhdueshme me partnerët ndërkombëtare përfaqësues të EURALIUS dhe OPDAT. Ky ishte momenti i parë kyç për ngritjen e institucioneve të reja, pas ndryshimeve kushtetuese. Asnjë gjyqtar dhe asnjë prokuror nuk kontestoi përmbajtjen e listave të kandidatëve të përfshirë në short, lista këto të dërguara nga Gjykata Kushtetuese, Gjykata e Lartë, Prokurori i Përgjithshëm dhe Këshilli i Lartë i Drejtësisë dhe të shpallura prej tyre. Asnjë gjyqtar apo prokuror nuk kundërshtoi rezultatet e shortit të hedhur për zgjedhjen e KED. Fakt është se ky Këshill, nuk u mblodh asnjëherë dhe mandati i tij përfundoi më datë 31.12.2017, pa kryer asnjë mbledhje të vetme. Nëse dikush nuk e di pse-në e kësaj gjendje, po e sqarojmë.

Kryeministri Rama 4 (katër) ditë pas hedhjes së shortit doli hapur dhe publikisht për t’u shprehur se nuk i pëlqenin emrat e anëtarëve të KED-së.  Në datë 31 janar 2017, Kryeministri Rama shpërthen duke i kërcënuar drejtpërdrejt të gjithë anëtarët e KED-së, duke i shantazhuar se do t’i shkarkonte me vetting. Kryeministri shfaqi hapur se kishte në dorë, jo vetëm të bllokonte Këshillin, por edhe t’i shkarkonte më shumë se gjysmën e tyre.

Meta: Ish-ambasadori Donald Lu më kërkoi falje

Në datë 2 shkurt 2017, pra 6-ditë pas hedhjes së shortit ambasadori do të deklaronte publikisht ndër të tjera se:

Të premten e shkuar, siç kërkohet nga Kushtetuta e re, u hodh shorti për anëtarët e Këshillit të ri të Emërimeve në Drejtësi, njëri prej disa institucioneve të reja që do të mbrojnë pavarësinë e gjyqësorit. Shorti u drejtua siç duhet nga Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit, por Prokurori i Përgjithshëm dhunoi frymën e Kushtetutës duke dërguar një listë me vetëm tre prokurorë për të plotësuar tre pozicione. Kushtetuta është e qartë që këta anëtarë të Këshillit duhet të përzgjidhen me short. Gjykata Kushtetuese, Gjykata e Lartë dhe Këshilli i Lartë i Drejtësisë dorëzuan secili lista më të gjata me persona të kualifikuar për pozicionet në Këshill. Në dallim me to, Prokurori i Përgjithshëm i zgjodhi vetë të tre pozicionet e prokurorisë duke dërguar një listë me vetëm tri emra, përzgjedhur pa transparencë, për të plotësuar tre poste. Fatmirësisht, ata ekspertë shqiptarë dhe ndërkombëtarë që e hartuan këtë reformë parashikuan që njerëz të fuqishëm do të përpiqeshin t’i manipulonin këshillat. Në Kushtetutë thuhet qartë se anëtarët e këtij Këshilli të Emërimeve në Drejtësi duhet t’i nënshtrohen menjëherë vetingut. Disa anëtarë të Këshillit kanë dhënë dorëheqjen këtë javë, në vend që të përballeshin të parët me vetingun. Ne do të ndjekim nga afër për të parë nëse Komisionet e Vetingut do t’i përmbahen kësaj kërkese kushtetuese dhe nëse të gjithë anëtarët e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi do ta kalojnë procesin e vetingut”.

Por qëndrimi i ambasadorit ishte tërësisht gabim, pasi siç e pranoi ai vetë më vonë, ishte keqinformuar nga përfaqësues të Partisë Socialiste.

Të gjitha pretendimet e ambasadorit u verifikuan një për një dhe rezultoi se Prokuroria e Përgjithshme në rastin konkret kishte zbatuar në mënyrën më korrekte kërkesat e Kushtetutës dhe të nenit 221 të ligjit nr.115/2016.  Pasi u njoh me rezultatin e verifikimit, ambasadori i kërkoi ndjesë Kryetarit të Kuvendit duke u justifikuar se e kishin keqinformuar përfaqësuesit e Partisë Socialiste.

Meta: Ish-ambasadorja e BE “braktisi” takimin

Në 3 nëntor 2017, si President i Republikës nisur nga kjo situatë e paprecedent dhe historia e hidhur e krijuar nga zgjedhja dhe mosfunksionimi i KED-së një vit më parë, për të mos rrezikuar zgjedhjen dhe funksionimin e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi që do të funksiononte në vitin 2018, i kërkova me shkresë nr.2605 prot, datë 03.11.2017, takim Ambasadores së BE-së, znj.Romana Vlahutin për të disktuar mbi këto 3 çështje:

1. Funksionimin e Këshillit të Përkohshëm të Emërimeve në Drejtësi (KED) dhe procesin e zgjedhjes së Këshillit të ri të Emërimeve në Drejtësi, që do të funksionojë përgjatë vitit 2018;

2. Nisjen e proçedurave me qëllim plotësimin e vendeve vakante në Gjykatën Kushtetuese;

3. Çështje të tjera të lidhura më to.

Pas realizimit të këtij takimi Presidenti i Republikës mori të gjitha garancitë prej Zj.Vlahutin dhe misionit EURALIUS 4, se ky mision do të asistonte në zhvillimin e një tryeze konsultative në datat 9 – 10 nëntor 2017 me prezencën e gjithë aktorëve të interesuar.

Në këtë tryezë do të diskutohej mbi problematikat e deritanishme dhe rolit të secilit institucion në procesin e paraqitjes së kandidaturave për zgjedhjen me short dhe ngritjen e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, që do të funksiononte për vitin 2018. Në këtë tryezë u parashikua të merrnin pjesë institucionet si, Presidenti i Republikës, Kryetari i Kuvendit, Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Kryetari Gjykatës së Lartë, Prokurori i Përgjithshëm, drejtues të Misionit EURALIUS, përfaqësues të misioneve OPDAT, USAID, ONM, përfaqësues nga Delegacioni i Bashkimit Europian në Shqipëri, Sekretari Përgjithshëm i Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

Në punë e sipër për realizimin e kësaj tryeze, në datë 8 nëntor 2017, në mënyrë të papritur EURALIUS njofton në rrugë telefonike për mospjesëmarrjen e drejtueses znj.Agnes Bernhard dhe ekspertëve të EURALIUS në këtë tryezë, pa dhënë asnjë arsye bindëse. Pra ekspertiza e BE-së (EURALIUS) dhe Delegacioni i BE-së, e “braktisën” këtë iniciativë të Kreut të Shtetit.

Presidenti i gjendur në këto kushte, në një situatë “ekstra ligjore”, që ishte krijuar edhe nga moskrijimi në kohë i Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë, në zbatim të Kushtetutës me shkresë të datës 10.11.2017, iu drejtua mënjeherë Kuvendit të Shqipërisë, duke i bërë të qartë situatën “ekstra ligjore” të këtij procesi dhe duke i kërkuar Kuvendit realizimin e procesit të hedhjes së shortit për përzgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi dhe zgjidhjen e plotë të çështjes sipas frymës së Kushtetutës.

“Si Ulsi Manja shantazhonte anëtarët e KED me vetting dhe Prokureoren e Përgjithshme e zgjodhi pa kaluar vettingun” 

Në datë 7 dhjetor 2017 Kuvendi hodhi përsëri shortin dhe zgjodhi Këshillin e Emërimeve në Drejtësi, që do funksiononte përgjatë vitit 2018. Sërish u shfaqën të njëjtat problematika me listat. Edhe emrat, që dolën nga ky short, sërish nuk i pëlqyen Ramaformës. Presidenti i Republikës, në shkurt 2018 i kërkoi përsëri zyrtarisht KED-së që të mblidhej dhe të shqyrtonte me precedencë të gjitha kandidaturat e paraqitura për plotësimin e të gjitha vakancave të shfaqura në Gjykatën Kushtetuese.
A u mblodh Këshilli, do të pyesni ju?  Këshilli u mblodh vetëm një herë në 19 mars 2018, ku zhvilloi mbledhjen e tij të parë dhe të vetme, pasi KED nuk është mbledhur më asnjëherë.
A e dini pse?

Ndërkohë që, Presidenti i Republikës në shkurt 2018 i kërkonte KED-së që të mblidhej dhe të funksiononte për të ushtruar funksionet kushtetuese, Kryetari i Komisionit të Ligjeve të Kuvendit të Shqipërisë Ulsi Manja në datë 5 Mars 2018 doli në media dhe i bënte thirrje publike anëtarëve të KED-së se duhet të kalojnë vetting-un, përpara se të fillojnë nga puna për të bërë filtrin e kandidatëve për Gjykatën Kushtetuese.

Ky Ulsi, që në dhjetor 2017 zgjodhi në kundërshtim me Kushtetutën dhe pa asnjë lloj vettingu Prokurorin e Përgjithshëm të Përkohshëm, 3-muaj më vonë, në 5 mars 2018, kërcënonte anëtarët e KED-së, me vetting.

Përse Kreu i Komisionit të Ligjeve lejoi këto shkelje të Kushtetutës, që PPP-ja e zgjedhur prej tij me 69-vota, të funksiononte për 8 muaj pa kryer vettingun, ndërkohë që ai me deklarimet e tij po pengonte funksionimin e KED-së, po me të njëjtin shkak vetting-u?!

Ulsiu në datë 19 mars 2018, shkoi dhe u paraqit në mbledhjen e parë dhe të vetme të KED-së dhe i shantazhoi drejtpërdrejtë anëtarët e këtij organi pa ju dridhur qerpiku.

Ai (Ulsiu) debatoi me ta dhe i përsëriti të njëjtin kërcënim se KED mund të mblidhet për veprimtari administrative, por jo për vlerësimin dhe renditjen e kandidatëve për anëtar të Gjykatës Kushtetuese. Ai (Ulsiu) e dinte fare mirë se ajo që po bënte ishte një krim kushtetues.
Për t’i shpëtuar përgjegjësisë ligjore dhe politike me djallëzi, Ulsiu po i kërcënonte anëtarët e KED me një dispozitë tranzitore të Kushtetutës (neni 179, pika 11), që duhej të ishte zbatuar 2-vjet më parë dhe jo në kohën kur Ulsiu po e kërkonte. Ulsiu e shantazhoi KED dhe ia arriti sepse ky organ pas datës 19 mars 2018, nuk u mblodh më asnjëherë. Kështu u bllokua edhe me 1 (një) vit tjetër Këshilli i Emërimeve në Drejtësi./ Opinion.al

Share: