Nga Ilir Kalemaj
Sot më tepër se kurrë më parë, është koha që jo vetëm partitë të fillojnë të ideologjizohen, për të lëvizur nga kulti i liderit, por edhe debatet në sferën publike të bëhen në mënyrë konstruktive, të reflektojnë problematika dhe të ngrihen në nivelin kulturor dhe civil që ju takon.
Shoqëria civile, media dhe vencarisht ata intelektualë publikë zëri i të cilëve mbart peshë dhe vizion, përherë e më tepër duhet të luajnë rolin natyral të watchdog-ut apo pushtetit të katërt për të nënvizuar dhe kritikuar me forcë deformimet e klasës politike, por në të njëjtën kohë të formësojnë dhe mundësojnë, madje detyrojnë klasën politike të lëvizë nga demagogjia drejt riprodhimit të ideve dhe politikave.
Vetëm atëherë do të krijoheshin kushtet për t`iu afruar sadopak idealit habermasian të participatory democracy (demokracisë me pjesëmarrje), ku qytetari ta ndjejë veten të përfshirë realisht në vendimmarrje dhe ku media dhe shoqëria civile kryejnë rolin e përçuesve mes elitës politike dhe nevojave reale të elektoratit që (duhet të) përfaqësojnë.