Home KRYESORE PD i shkruan Arta Markut: Heto 30 qershorin, edhe pse s’kemi besim...

PD i shkruan Arta Markut: Heto 30 qershorin, edhe pse s’kemi besim tek ty

Partia Demokratike ka kërkuar zyrtarisht hetimin e 30 qershorit. Siç njofton selia blu, numri dy i kësaj force politike nëpërmjet një letre të datës 12 Korrik, për të cilën është vënë në dijeni edhe shefja e Misionit të ODIHR, Audrey Glover thekson se organi i akuzës, jo vetëm nuk po heton seriozisht dosjet e vjetra 184dhe 339, por nuk ka nisur asnjë hetim për asnjë prej shkeljeve të rënda ligjore që u konstatuan gjatë procesit antikushtetues të 30 Qershorit.

PD, me anë të kësaj letre shpreh hapur mosbesimin e opozitës për Arta Markun, për shkak të zgjedhjes së saj antikushtetuese nga qeveria e Edi Ramës.

Që prej emërimit tuaj antikushtetues si Prokurore e Përgjithshme e Përkohshme, kontrolli i qeverisë mbi prokurorinë është çimentuar, duke sjellë, njëkohësisht, çimentimin e kulturës së pandëshkueshmërisë ndaj zyrtarëve të lartë shtetërorë. Gjatë drejtimit tuaj, asnjë zyrtar i lartë i qeverisë, asnjë politikan, asnjë funksionar i lartë publik nuk ka dalë para drejtësisë për krimin e korrupsionit apo të krimeve zgjedhore, megjithëse denoncimet publike kanë qenë me qindra.” – thuhet në letrën e Sekretarit të Përgjithshëm të PD.

Po ashtu PD rendit të gjitha shkeljet e ligjit, të vëna në dukje prej saj, nga media, misioni ODIHR-it para, gjatë dhe pas 30 Qershorit, si presioni ndaj punonjësve të administratës shtetërore, blerja e votave, mbushja e kutive të votimit, shkelja e ligjit dhe e Kushtetutës nga 4 anëtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve etj.

Këto janë 7 pika kyçe që rrëzojnë si të paligjshëm 30 Qershorin, sipas PD: 
– Moszbatimi i dekreteve të Presidentit me pasojë cenimin e të drejtës kushtetuese të qytetarëve për të zgjedhur.
– Regjistrimi i Bindjes Demokratike në kundërshtim me ligjin.
– Cënimi i të drejtës së opozitës për të marrë pjesë në administrimin e zgjedhjeve
– Mashtrimi dhe manipulimi me të dhënat e pjesëmarrjes në votimet e 30 Qershorit.
– Fletët e votimi “kontrabandë” për votimet në Bashkinë e Vaut të Dejës.
– Emërimi i komisionerëve në kundërshtim me ligjin nga ana e KQZ.
– Krimet zgjedhore në të gjithë territorin: blerja e votave, fshehtësia e votës, presioni në administratë etj./ Opinion.al

Share: