Home Ja Pse Shqipëria nuk behet si Zvicera Paaftësia për të tërhequr projektet e BE-së dhe “hiletë” me PPP-të

Paaftësia për të tërhequr projektet e BE-së dhe “hiletë” me PPP-të


Pse Shqipëria ka arritur të tërheqë vetëm 7.3% të projekteve të axhendës së ndërlidhjes së Ballkanit Perëndimor në 4 vjet, më pak se të gjithë. “Hileja” e qeverisë me Partneritetin Publik-Privat (PPP-të) për të fshehur borxhin dhe për të rritur kostot e projekteve të infrastrukturës rrugore

Nga Ornela Liperi

Shqipëria renditet e fundit nga vendet e Ballkanit Perëndimor për tërheqjen e projekteve të infrastrukturës, në kuadër të Axhendës së Ndërlidhjes, një nismë e Bashkimit Europian për të përmirësuar infrastrukturën e transportit dhe energjisë në rajon. Kjo nismë synon të japë për rajonin grante me vlerë 1 miliard euro deri në vitin 2020, që mund të tërheqin deri në 4 miliardë euro financime. Për periudhën 2015-2019, sipas të dhënave zyrtare të Komisionit Europian, Shqipëria ka arritur të tërheqë vetëm 7.3% të shumës prej gati 3 miliardë eurosh, të angazhuar deri tani në kuadër të kësaj axhende.

Vendi ynë ka përfituar në total 214 milionë euro, nga të cilat 36% janë grante dhe pjesa tjetër investime në energji dhe infrastrukturë. Konkretisht janë tre projekte, që kanë tërhequr grante dhe financime:

-Linja e interkoneksionit të energjisë Shqipëri-Maqedoni e Veriut (I): Seksioni në Shqipëri (Fier – Elbasan – kufi mes dy shteteve), që ka marrë një grant prej 14.3 milionë eurosh dhe mund të tërheqë financime prej 70 milionë eurosh. Projekti është përzgjedhur në periudhën 2015-2016 dhe punimet pritet të nisin në fund të 2019-s.

– Rikonstruksioni i Portit të Durrësit, kalatat 1 dhe 2, i miratuar në periudhën 2017-2018, me grant 27.7 milionë euro, që mund të tërheqë financime prej 62.4 milionë eurosh.

-Korridori i Mesdheut: Mali i Zi – Shqipëri – Greqi, Interkoneksioni i hekurudhës, Tiranë – Durrës, seksioni në Shqipëri, me grant 36.3 milionë euro, që mund të tërheqin financime prej 81.6 milionë eurosh.

Shteti që ka tërhequr më shumë projekte është Bosnjë-Hercegovina, me një total prej 1.1 miliardë eurosh, e ndjekur nga Serbia me 627 milionë euro; Mali i Zi (një shtet me popullsi shumë më të vogël se Shqipëria), me 399.2 milionë euro; Kosova, 330 milionë euro dhe e parafundit, Maqedonia me 272.2 milionë euro.

Ardian Haçkaj, Drejtor i Kërkimeve në Institutin për Bashkëpunim dhe Zhvillim (CDI), që prodhon raportet vjetore të monitorimit të procesit të Berlinit, thotë se problemi kryesor se pse Shqipëria nuk arrin të tërheqë projekte, qëndron në kapacitetet e ulëta teknike dhe manaxheriale të institucioneve vendase. 

https://www.monitor.al/shqiperia-ka-marre-6494-milione-euro-nga-fondet-ipa-ska-info-cfare-ndikimi-kane-pasur/

Asnjë projekt në vitin 2019

Në Samitin e fundit të mbajtur në Poznan të Polonisë, Shqipëria nuk fitoi asnjë projekt. Një ndër përfituesit më të mëdhenj ishte Bosnja, që vijoi të marrë fonde për Korridorin e Mesdheut (Vc). Me gjatësi totale prej 700 km, Korridori Vc lidh Europën Qendrore, specifikisht Hungarinë dhe Kroacinë Lindore, në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe në Detin Adriatik. Pjesa më e gjatë e rrugës (përafërsisht 335 km) kalon Bosnjë dhe Hercegovinën, duke u ndeshur me një terren të kërkuar gjeomorfologjik, që është ndërtimi i tuneleve dhe urave. Investimet e tërhequra për segmente të kësaj rruge arrijnë në rreth 430 milionë euro.

Kosova ka tërhequr investime prej 56.2 milionë eurosh për rehabilitimin dhe modernizimin e rrjetit të saj hekurudhor prej 148 kilometrash dhe që përbën lidhjen e vetme të Kosovës me hekurudhë me rajonin dhe është pjesë e zgjatimit në Ballkanin Perëndimor të Rrjetit Paneuropian të Transportit TEN-T. Maqedonia tërhoqi 124 milionë euro investime për rrjetin hekurudhor që e lidh me korridorin e Lindjes dhe Mesdheut, që ka degë në Serbi dhe Maqedoni. Një tjetër projekt i Maqedonisë është korridori i gazit që e lidh me Greqinë.
Serbia ka marrë 59 milionë euro në energji për përmirësimin e rrjetit të transmetimit.

Zelli për PPP-të

Shqipëria përfshihet në rrjetin europian të ndërlidhjes TEN-T, përmes autostradave Adriatiko – Joniane (në pjesën më të madhe në territorin shqiptar përputhet me aksin rrugor Veri – Jug) dhe që është i Korridorit të Mesdheut, që fillon nga Spanja (Almeria) dhe kalon nëpër 6 vende europiane (Spanjë, Francë, Itali, Slloveni, Kroaci dhe Hungari) në një gjatësi 6,000 km.

Autostrada Adriatiko – Joniane lidh korridorin TEN-T Mesdhetar, që kalon në bregdetin kroat, me rrugët përgjatë bregdetit malazez dhe përshkon Shqipërinë nga Muriqani në Lezhë-Tiranë-Fier-Tepelenë-Gjirokastër dhe përfundon në Kakavijë. Autostrada Adriatiko – Joniane ishte e vetmja që u vlerësua me fizibilitet edhe nga Nisma e Berlinit 2014 për Ballkanin Perëndimor, ku BE u angazhua për financimin e saj. Shqipëria mund të përfitojë grante dhe financim në kuadër të Axhendës së Ndërlidhjes, ashtu siç po bën Bosnja për të financuar pjesën e saj të Korridorit të Mesdheut.
Ndërsa Shqipëria nuk ka qenë shumë aktive për të përfituar nga “bujaria” e Bashkimit Europian, ajo është angazhuar në një valë projektesh të Partneritetit Publik-Privat (PPP) për të financuar hendekun e saj në infrastrukturë.

Ndërsa vetëm në prill të këtij viti u miratua gjurma e korridorit Adriatiko-Jonian nga Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH), që i hap rrugën financimit të përgatitjes së projektit përfundimtar. Por, ndërkohë, qeveria shqiptare po nxiton që disa pjesë të kësaj rruge t’i japë përmes PPP-ve. Qeveria shqiptare ka miratuar një koncesion të pakërkuar nga kompania A.N.K për ndërtimin e segmentit Milot – Balldren, me gjatësi totale prej 17.2 km, me vlerë 256 milionë euro me TVSH, që është pjesë e korridorit Adriatiko-Jonian.

Ky koncesion hapi debate të shumta, për shkak të kostos së lartë prej 15 milionë eurosh për kilometër dhe mënyrës se si do të financohej. Një tjetër përpjekje e qeverisë për ndërtimin dhe operimin e aksit Tiranë-Thumanë-Vorë, me vlerë 360 milionë euro, dhe ndërtues Gener 2, u pezullua në fillim të këtij viti. Në projekt për t’u dhënë me PPP është dhe autostrada Kashar-Rrogozhinë, me vlerë 678 milionë euro. Vetëm këto tre projekte, nëse do të zbatoheshin, do të kushtonin gati 1.3 miliardë euro, shumë që vlerësohet nga ekspertët si tepër e fryrë.

Projektet e PPP-ve janë kundërshtuar ashpër nga institucionet ndërkombëtare. FMN paralajmëroi në rishikimin e dytë për Shqipërinë se vendi përballet me boshllëqe të konsiderueshme në infrastrukturë në krahasim me rajonin, gjë që aktualisht po adresohet përmes përdorimit të gjerë të PPP-ve dhe projekte me vlerë rreth 15% e PBB-së janë në proces.

Megjithatë, paralajmëron FMN, PPP-të nuk janë të integruara mirë në kuadrin e përgjithshëm të menaxhimit të investimeve publike, për vlerësimin e fizibilitetit, përballueshmërisë dhe rreziqeve. Në të njëjtën kohë, pagesat e parashikuara të buxhetit vjetor për PPP-të (të financuara nga qeveria) po i afrohen tashmë kufirit të ligjshëm që arrin në 5% të të ardhurave fiskale të vitit të kaluar.

Shumica e projekteve kanë të bëjnë me infrastrukturën dhe janë ende në fazën e planifikimit, ose ndërtimit. Rreziqet fiskale shoqëruese do të mund të materializoheshin në afat të mesëm ose afatgjatë. Qeveria, nga ana e saj, e ka shtyrë sërish angazhimin për të mos pranuar më oferta të pakërkuara, teksa ligji që i ndalonte ato nuk pritet të miratohet të paktën deri me fillimin e sesionit të ri parlamentar në vjeshtë.

Ardian Hackaj, nga Instituti për Bashkëpunim dhe Zhvillim, pohon se orientimi i qeverisë drejt PPP-ve lidhet me dy arsye. Së pari, grantet që merren nga BE duhet të plotësohen me kredi, që është mesatarisht 4 herë e vlerës së grantit, çka do të rriste direkt borxhin publik, ndërsa përmes PPP-ve ai synohet të fshihet, pasi raportohen vetëm pagesat korente dhe jo shuma e plotë.

Së dyti, thotë ai, “PPP-të kanë qenë gjithashtu të preferuara për arsye se përgatitja e projektit, përfshirë identifikimin dhe dizajnin teknik, janë bërë nga kompania propozuese direkt te qeveria shqiptare, pa kaluar në hallkat e verifikimit teknik dhe financiar që aplikohen nga institucionet ndërkombëtare në rastin e projekteve, të cilat ata financojnë. Ky cikël i mbyllur shqiptar e ka përshpejtuar zbatimin e projektit, por ka rezultuar me kosto krahasimisht shumë më të larta, qoftë financiare (çmimi për kilometër), qoftë në karakteristikat teknike të projektit”.

Ndërsa aplikimet që vijnë nga vetë autoritetet e Ballkanit Perëndimor, kontrollohen nga Komisioni Europian dhe palët e tjera të interesit, siç janë Sekretariatet e Traktateve të Komunitetit të Energjisë dhe Transportit, kundrejt kritereve të ndryshme. Parametrat më të rëndësishëm janë maturimi i projekteve dhe rëndësia e tyre strategjike.

Ndërlidhja e Ballkanit

Bashkimi Europian është angazhuar prej kohësh në Ballkanin Perëndimor. Që në Samitin e Selanikut në 2003, ai ka mbështetur të ardhmen e rajonit si një pjesë e cila po integrohet në BE, thuhet në raportin e fundit të Axhendës së Ndërlidhjes së BE-së në Ballkanin Perëndimor. Në 2014, me nismën e shumë shteteve anëtare të BE-së, drejtuesit e Shqipërisë, Bosnjës dhe Hercegovinës, Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë u takuan në Berlin për herë të parë, si pjesë e një serie samitesh, të cilat synojnë përforcimin e bashkëpunimit rajonal dhe për të ndihmuar zhvillimin ekonomik në këtë pjesë të rëndësishme të Europës.

Për të mbështetur këtë qëllim, në 2015, Bashkimi Europian prezantoi Axhendën e Ndërlidhjes, një nismë, e cila kombinon nivelet e larta të angazhimit politik nga BE dhe të rajonit me një premtim financiar prej 1 miliard eurosh nga fondet e parahyrjes së BE-së për të përmirësuar transportin dhe infrastrukturën e energjisë. Bazuar në progresin e arritur, në samitet në vijim u shtua më tej fokusi për të ndërlidhur njerëzit në rajon në të gjitha dimensionet: transport, energji, ekonomi dhe lidhje sociale e dixhitale.

Ballkani Perëndimor është i rrethuar nga territoret e shteteve anëtare të BE-së. Është një prioritet politik që të lidhet infrastruktura midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor. Si pjesë e një plani ambicioz për të lidhur Europën Lindore me Perëndimore, dhe Verioren me Jugore, BE po zgjeron rrjetet energjetike dhe transportin Trans-Europian në rajon dhe po mbështet shpërndarjen e infrastrukturës së lidhjeve me internet.
Përmirësimi i lidhjes brenda Ballkanit Perëndimor paraqet edhe një interes strategjik për rajonin, si dhe për BE-në. Përmirësimi dhe zgjerimi i lidhjeve të energjisë dhe transportit përmirëson konkurrencën, nxit rritjen ekonomike dhe garanton sigurinë e furnizimit dhe është njëkohësisht një parakusht i rëndësishëm për integrimin ekonomik brenda Ballkanit Perëndimor.

Ndërlidhja dhe ndërtimi i infrastrukturës energjetike dhe të transportit në Ballkanin Perëndimor nënkupton afrimin e njerëzve dhe ekonomive brenda rajonit dhe me BE-në. Ndërlidhja është një nxitës për rritje dhe vende pune, dhe ndihmon tërheqjen e investimeve. Ajo krijon mundësi për bizneset dhe qytetarët, si dhe promovon marrëdhënie të mira fqinjësore. Kjo është arsyeja pse Bashkimi Europian ka kontribuar që nga vitet 1990 më shumë se 11 miliardë euro për transportin dhe zhvillimin e infrastrukturës energjetike në rajon përmes granteve nga Komisioni Europian dhe kredive nga Banka Europiane e Investimeve, duke rezultuar në investime të përgjithshme të gati 22 miliardë euro.

Angazhimi u rrit më tej me futjen e axhendës së ndërlidhjes në vitin 2015, ku janë lënë mënjanë 1 miliard euro në grante për projekte të transportit dhe energjisë deri në vitin 2020. Deri tani, Bashkimi Europian ka lëvruar pothuajse 90% nga 1 miliard eurot e premtuara për periudhën 2015-2020. Këto grante do të gjenerojnë 4 miliardë euro investime dhe do të krijojnë më shumë se 45,000 vende pune.

Cilat sektorë janë të përkrahur?

Axhenda e Ndërlidhjes adreson boshllëqet e transportit dhe energjisë dhe gjithnjë e më shumë nevojat dixhitale. Sektori i transportit përfshin rrugët kryesore rrugore dhe hekurudhore, si dhe portet më të rëndësishme. Sektori i energjisë përfshin transmetimin e energjisë elektrike dhe gazit, si dhe prodhimin e energjisë së rinovueshme. Krijimi i mundësive dixhitale do të thotë të sjellësh njerëzit dhe ndërmarrjet në shekullin e 21.

Si funksionon?

Fondet e ndërlidhjes së BE-së kanalizohen përmes Strukturës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor (WBIF). Kjo platformë e koordinimit dhe bashkëpunimit konsolidon fonde nga burime të ndryshme: nga Komisioni Europian, Institucionet Ndërkombëtare të Financimit, si dhe nga shumë shtete anëtare të BE-së dhe vende joanëtare. Partnerët e Ballkanit Perëndimor luajnë rol kryesor në identifikimin dhe përgatitjen e aplikacioneve të projekteve, në përputhje me “Single Project Pipelines”*.

Kontributi financiar nga Komisioni Europian – në formën e granteve të pakthyeshme – ndihmon në qasjen e kredive të institucioneve financiare ndërkombëtare. Ky proces, i quajtur “tërheqja e financimeve” ka një efekt shumëfishues, duke gjeneruar investime shtesë me vlerë të paktën katër herë më të madhe se sa grantet e BE-së.

1 miliard euro të parave të BE-së të rezervuara për Axhendën e Lidhjes do të ndihmojnë që të investohet një total prej 4 miliardë eurosh. Në këtë mënyrë, Komisioni Europian tërheq vëllimet e investimeve të nevojshme për projektet me rëndësi strategjike për rajonin. Aplikimet që vijnë nga vetë autoritetet e Ballkanit Perëndimor, kontrollohen nga Komisioni Europian dhe palët e tjera të interesit, siç janë Sekretariatet e Traktateve të Komunitetit të Energjisë dhe Transportit, kundrejt kritereve të ndryshme. Parametrat më të rëndësishëm janë maturimi i projekteve dhe rëndësia e tyre strategjike.

Çdo vit, gjatë Samitit të Ballkanit Perëndimor, Komisioni Europian shpall një paketë të re projektesh të përzgjedhura për investime. Kjo pastaj reklamohet politikisht dhe përfundimisht miratohet nga Komiteti Drejtues i WBIF. Pasi miratohen, këto projekte të mëdha të infrastrukturës janë gati për zbatim 6-12 muaj më vonë, kur procedurat e tenderimit janë përfunduar. Qëllimi është që të fillojnë punimet për 50% të të gjitha projekteve të axhendës së lidhjes deri në fund të vitit 2019.

“Single Project Pipelines”*- Projekte që zhvillohen shtet më shtet duke përdorur fonde ose rezerva financiare të Bashkimit Europian.

Klikoni per ta zmadhuar

Klikoni per ta zmadhuar

Share: