Home KRYESORE Zgjedhje në 13 tetor, Rama i përgjigjet Metës: Dialog vetëm për…

Zgjedhje në 13 tetor, Rama i përgjigjet Metës: Dialog vetëm për…

Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur presidentit Ilir Meta, për datën 13 tetor, që sipas kreut të shtetit duhet të bëhen 3 palë zgjedhje: ato lokale, parlamentare të parakohëshsme dhe presidenciale.

“Zgjedhjet janë bërë në 30 qershor, ne jemi shumë të angazhuar për të filluar mbarë procesin e qeverisjes vendore dhe për këtë kemi ngritur dhe tre këshilla vendorë dhe ky është fokusi jonë. Ne e kemi sfidën me problemet e vendit dhe të njerëzve. Nuk e kemi sfidën me problemet e opozitës jashtë parlamentare, apo me problemet e Presidencës. Për mua 13 tetori është një ditë normale, nuk është se njoh ndonjë gjë tjetër. Është një e diel si të gjitha të dielat që kemi përpara”, tha Rama.

Presidenti Ilir Meta, me anë të një postimi në Facebook, bëri thirrje që “të dy palët duhet t’u krijojnë mundësinë të gjithë qytetarëve shqiptarë, që në mënyrë të qetë, civile dhe demokratike të shprehin sovranitetin e tyre për të gjitha institucionet, vendore dhe qendrore, përfshi dhe Presidentin nga populli, në 13 tetor”.

Po ashtu kryeministri u shpreh i gatshëm që të ulet në dialog me opozitën, por sipas tij vetëm për reformën zgjedhore pasi mandati i qeverisë nuk vihet në tryezë.

“Ne jemi të disponueshëm për tu ulur në tryezë me të gjithë, pa asnjë përjashtim dhe pa asnjë paragjykim për të diskutuar për sfidat e vendit dhe për çka është e rëndësishme të adresohet në funksion të rregullave të lojës, që është reforma zgjedhore. Sa i përket kushtetues, ligjërisë dhe mandatit tonë qeverisës, këto nuk janë për diskutime me askënd tjetër. Jemi një shumicë qeverisëse që kemi detyrimin të forcojmë kulturën e ligjit, jemi një shumicë që kemi detyrimin të mbajmë me nder dhe dinjet një mandat që na është dhënë një mandat deri në vitin 2021”, theksoi kryeministri pas mbledhjes së kryesisë së PS-së./ Opinion.al

Share: