“Unë e kam edhe mik” mësohet të ketë thënë në seancën gjyqësore ditën e sotme Mihal Kokëdhima teksa ka komentuar epitetin ‘barbar’ me të cilin e përshkroi kryeministri Rama.
Pronari i lokalit në Borsh të Himarës, i cili kanosi turistët spanjollë ka dalë sot përpara trupit gjykues për tu njohur me masën e sigurisë. Mihal Kokëdhima dukej i qetë gjatë seancës dhe mohoi akuzat e ngritura ndaj tij.
“Më morën zvarrë me makinë. Ç’është kjo punë nuk kam prekur njeri me dorë. Ku kanë faktet që i preka me dorë. Më rrëzuan në Qeparo, nga makina. Unë nuk e theva xhamin për t’i dëmtuar por për t’u mbajtur.
Unë u mora targën, telefonova policinë. Ata futën marshin të më shtypnin, dhe unë u hodha ne kroskot. Kam dy fëmijë në shkolle në Gjermani. Ne dy muaj punojmë. Më lini të punoj”– ka thënë Kokëdhima.
Megjithatë gjykatësja Esmeralda Habilaj ka vendosur ndaj tij masën e sigurisë “Arrest me burg” për 3 akuzat, “Kanosje”, “Dëmtime të tjera me dashje” dhe “Shkatërrim te pronës”.
Pamjet filmike që tregojnë se si 51-vjeçari u kap për 3 kilometra në kofanon e mjetit ku udhëtonte familja spanjolle dhe dy guidat e tyre u përhap me shpejtësi në rrjet dhe dukej si një skenë filmash aksion. Ai dukej qartë duke u përpjekur të thyejë xhamin e automjetit duke krijuar një situatë paniku.
Kryeministri Rama reagoi pas ngjarjes dhe e quajti Kokëdhimën barbar që shkeli mbi kodin e mikpritjes. Por ky i fundit komentoi në seancë duke thënë “Unë e kam edhe mik” për kryeministrin Rama. /Opinion.al