Nga Kastriot Islami
Kam kërkuar publikisht dhe ripërsëris që “Gjermania të shpallet partnere strategjike”! Gjykoj se ka shumë arsye që të ndërmerren hapat për një vendim të tillë. Ky “opinion-kërkesë” duket se ka rënë deri më sot në vesh te shurdhër, edhe të qeverisë, edhe të opozitës…
Por edhe media nuk e ka promovuar këtë ide…Nuk e kuptoj se përse një opinion-kërkesë e tillë është shpërfillur heshturazi nga politika e media, duke mos marrë guximin as për ta kundërshtuar dhe as për ta futur në rrugën e miratimit, madje as për ta debatuar… ndërkohë që publiku e mbështet masivisht një propozim të tillë…Insistoj që Gjermania të shpallet partnere strategjike! Përse?
1. Gjatë 30 vjetëve të fundit, partitë kryesore politike shqiptare, kanë shpallur në programet e partive të tyre dhe të qeverive të vëndit, partnerët strategjikë të Shqipërisë. Me një unanimitet politkk e publik është pranuar pa asnjë debat që SHBA është partnerja kryesore strategjike e Shqipërisë. Po ashtu në të gjithë retorikën e partive kryesore të vendit, janë cilësuar si partnere strategjike edhe Italia e Greqia, si dy vëndet fqinje të rëndësishme, anëtare të NATO e BE dhe tepër të rëndësishme për realizimin e objektivit të anëtarësimit në strukturat euroatllantike e europiane. Në vitin 2013, Rama në programin e tij të qeverisë, shpalli Turqinë partnere strategjike të Shqipërisë..
2. Prej shumë kohësh dhe veçanërisht kohët e fundit, qytetarët shqiptarë kanë “treguar” masivisht se e vlerësojnë maksimalisht rolin dhe kontributin e Gjermanisë në të gjithë aspektet. Do të ishte e pakët të thuhej se qytetarët shqiptarë, në shumicë e konsiderojnë Gjermaninë një partnere të rëndësishme strategjike. Kam përshtypjen se Gjermania është një vend që meriton të rreshtohet pa asnje mëdyshje në listën e vendeve partnere strategjike të Shqipërisë.
3. Në protestat e fundit të opozitës shqiptare, krahas flamujve shqiptarë Kuq e Zi, dhe atyre të BE e të SHBA, qytetarët shqiptarë kanë mbajtuar në duar dhe kanë valvitur shumë flamuj gjermanë. Nuk është shenjë e pragmatizmi naiv…Ka ndodhur diçka si pak herë në këto 28 vjet demokraci….Domethënia e këtij reagimi ishte evidente. Vlerësim, besim e shpresë te Gjermania…Gjithnjë në këto 28 vjet, por veçanërisht në këtë moment krize të thellë politike, ekonomike e sociale, dhe ndërkohë që vendi ndodhet në një qorrsokak për të ardhmen e tij dhe kur emigrimi masiv për shkak të mungesës së besimit e të shpresës po boshatasur vëndin, duket se qytetarët shqiptarë vlerësojnë dhe kanë besim te Gjermania, te roli i saj për të shpëtuar të ardhmen e saj demokratike, për të të mos kompromentuar të ardhmen integruese të vëndit dhe për të vënë në rrezik stabilitetin, sigurinë, sovranitetin e integritetin e vëndit. Përse?
4. Së pari, shumë prej qytetarëve shqiptarë vlerësojnë qëndrimet realiste të qeverisë gjermane, që nga 1991 e deri më sot, dhe shprehin besimin se Gjermania do të japë ndihmesën e saj shumë të çmuar për ta nxjerrë vendin nga humnera ku e ka zhytur aktualisht qeverisja e korruptuar, e lidhur me krimin e trafiqet, që për më tepër tenton ta fusë vëndin në rrugën e gabuar të pasigurisë e të destabilitetit përmes ndryshimit të kufijve dhe realizimit të ideve të rrezikshme nacionaliste.
Së dyti, qytetarët shqiptarë dëshërojnë t’i dërgojnë qeverisë dhe popullit gjerman mesazhin e qartë se ata në shumicë dhe në mënyrë modeste s’do të lejonin që të nëpërkëmbeshin kontributi dhe angazhimi 28 vjeçar gjerman për shqiptarët siç kishte vepruar kohët e fundit përmes marrveshjeve të fshehta e të rrezikshme për ndryshimin e kufijve në Ballkan, me pasoja të rrezikshme për sigurinë e stabilietin e vendit dhe të rajonit.
Së treti,qytetarët shqiptarë kanë mirëpritur dhe shprehur bindjen e tyre të palëkundur se institucionet gjermane kanë qenë gjatë të gjithë kohës aktive në luftën kundër trafiqeve të drogës në Shqipëri dhe besonin se të gjithë informacionet e zotëruara aktualisht prej tyre për implikimin e zyrtarëve të nivelit shumë të lartë të qeverisë në trafiqet e drogave të forta do të viheshin në dispozicion të drejtësisë shqiptare për të ndëshkuar dhe shkatërruar lidhjet mes krimit e trafiqeve nga njëra anë dhe qeverisë nga ana tjetër…
Së katërti, qytetarët shqiptarë kanë mbështetur të gjithë qëndrimet e përfaqësuesve gjermanë që me realizëm dhe guxim kanë mbështetur të ardhmen europianë të Shqipërisë duke demaskuar ndërkohë raportet e“sheqerosura” të Brukselit, për “arritjet imagjinare” të qeverisë aktuale, duke zbuluar të vërtetën e “hidhur” qëqytetarët e varfër dhe të nënshtruar shqiptarët përjetojnë cdo ditë nga zullumet e qeverisjes.
Së pesti, qytetarët shqiptarë janë besimplotë se lokomotiva gjermane nuk do të lejojnte në asnjë rast që besimi i të rinjve shqiptarë, i formuluar në slloganin “E duam Shqipërinë si e gjithë Europa..” të nëpërkëmbet pas 28 vjetëve. Se angazhimi 28 vjeçar gjerman nuk do të lejojë që sakrificat e të rinjve shqiptarë të deklamuara në 1991 për të vendosjen e pluralizmit në Shqipëri të hidhen në erë dhe Shqipëria të rikthehet në monizëm.
Së gjashti, qytetarët shqiptarë, të gjithë pa përjashtim kanë mbështetur plotësisht qëndrimet aktive e kontribuese të qeverisë gjermane dhe veçanërisht të kancelares Merkel për t’i dhënë përgjigjen e merituar lojrave mes autokratëve të korruptuar të Ballkanit për ndryshsimin e kufijve apo për copëtimin e Kosovës dhe hedhjen në erë të stabilitetit e sigurisë në Ballkan, duke prononcuar qartë e prerë “vijën e kuqe” të mos ndryshimit të kufijve në Ballkan…
5. Qytetarët shqiptarë në shumicë, shumë politikanë të ndershëm e me integritet, intelektualë të spikatur dhe patriotë, përfaqsues të nderuar të medias e të shoqërisë civile gjykojnë se veprimi domethënës për të “shpallur Gjermaninë, partnere strategjike” do të ishte një vendim i vyer e ndoshta “historik” në këto momente. Duheturgjentisht dhe pa asnjë vonesëtë ndërmerrren hapat e nevojshëm për ta deklaruar Gjermaninë si partneren kryesore europiane strategjike të Shqipërisë.
(*) Autori është ish-Ministër i Jashtëm dhe ish-Kryetar i Kuvendit të Shqipërisë.