Home Ja Pse Shqiperia nuk behet si Zvicera Kostot ekstrafagante te ministres se drejtesise ne vendin tone!

Kostot ekstrafagante te ministres se drejtesise ne vendin tone!

53 mijë e 982 familje janë trajtuar me ndihmë ekonomike gjatë vitit 2018. Sipas INSTAT, shteti shqiptar jep si pagesë mesatare mujore për secilën familje rreth 5 mijë lekë në muaj. Në të njëjtën periudhë kohore, rezulton se shteti paguan mijëra euro në vit për fatura hoteli dhe bileta fluturimi për Ministrinë e Drejtësisë.

Sipas faturave të vëna në dispozicion po nga kjo ministri, rezulton se për një natë qëndrimi në Romë, ministrja e Drejtësisë ka paguar 700 euro, ose aq sa ç’është asistenca sociale në muaj e afro 17 familjeve shqiptare.

Udhëtimet jashtë shtetit të ministres së Drejtësisë, Etilda Gjonaj i kushtojnë shtetit shqiptar mijëra euro në vit. Sipas faturave, në udhëtimet e punës gjatë vitit 2018 deri në qershor të vitit 2019, ministrja Gjonaj ka qëndruar në hotele luksoze me çmime që e kalojnë shifrën 700 euro nata. Por nuk mjafton vetëm kaq. Kostot e biletave me të cilat fluturon ministrja e Drejtësisë rezultojnë më të shtrenjta sesa biletat që një individ i thjeshtë mund t’i rezervojë online.

Hotele të shtrenjta

Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj është akomoduar në të shumtën e rasteve, në hotele me pesë yje që kanë çmime “të kripuara”.

Në një prej udhëtimeve të saj të punës në Bruksel, nga data 19 deri në 21 qershor të vitit 2018, Gjonaj ka paguar 1320 euro për dy netë ose 660 euro nata në hotelin e quajtur “The Hotel Brussels”.

Fatura nuk ka shpjegime të detajuara se në çfarë lloji dhome është akomoduar ministrja që e ka bërë këtë rezervim dy-ditor kaq të shtrenjtë por mjaftohet me emrin e ministres si blerësi dhe çmimi total i konsiderueshëm. Rezervimi është bërë nga një kompani shqiptare e quajtuar Albania Experience.

Ministrja në këtë udhëtim pune është takuar me komisioneren Vera Jourova për të diskutuar lidhur me Reformën në Drejtësi, ecurinë dhe arritjet në zbatimin e saj.

Fatura e Brukselit, udhëtimi 1

Image

Po në Bruksel, gjashtë muaj më vonë, në dhjetor Gjonaj është akomoduar për një natë në një hotel me pesë yje i quajtur “Steigenberger Wiltcher’s” me kosto 543 euro.

Ministrja është akomoduar në një nga dhomat më të mira (Superior King Buffet).

Ministrja ishte në Bruksel për të marrë pjesë në Samitin e 19-të Evropian të Ballkanit Perëndimor 2018 mbi “Zgjerimin, Integrimin dhe sfidat e ndryshimeve”.

Fatura e Brukselit, udhëtimi 2

Image

Në datat 4 deri më 6 shkurt të vitit 2019 ministrja ka udhëtuar drejt Londrës ku është akomoduar në një prej hoteleve më të shtrenjta të kryeqytetit britanik. Rezervimi për dy netë i ka kushtuar ministres 1291 paundë ose e përkthyer në euro rezulton se ministrja e Drejtësisë ka shpenzuar 706 euro për një natë.

Ministrja ka udhëtuar me tre persona të tjerë të ministrisë teksa vetë është akomoduar në “Corinthia Hotel London” i cili njihet si një prej hoteleve më luksozë me pesë yje në Londër.

Fatura e Londrës

Image

I ngjashëm është rasti i Parisit ku ministrja ka qëndruar për tre netë nga data 4-7 maj të këtij viti në hotelin me pesë yje “Majestic Hotel Spa”. I gjithë rezervimi shkon në shumën 2014 euro, ose 670 euro nata. Hoteli në fjalë është nga më të shtrenjtët dhe më të mirët në Paris.

Gjatë këtyre tre ditëve ministrja ka pasur takime me homologen e saj dhe institucione të tjera të drejtësisë franceze.

Image

Një nga qëndrimet e saj më të shtrenjta jashtë shtetit ministrja Gjonaj e ka paguar në Romë. Ajo ka fjetur vetëm një natë nga data 21 deri 22 maj të këtij viti në hotelin luksoz me pesë yje “Ambasciatori Palace” dhe kjo i ka kushtuar shtetit shqiptar plot 706 euro.

Në këtë udhëtim pune ministrja ka takuar homologun e saj italian Alfonso Bonafede.

Fatura e Romës:

Image

Hotelet e shtrenjta nuk mbarojnë për ministren e Drejtësisë. Në një udhëtim pune nga data 3-6 qershor të këtij viti në Berlin të Gjermanisë, ministrja Gjonaj është akomoduar në hotelin Hilton me një kosto totale prej 1900 eurosh. Nisur nga këto të dhëna rezulton se kostoja e një nate ka qenë 630 euro.

Siç shkruante asokohe ministrja në rrjetet sociale, ajo ishte takuar me përfaqësues të Bundestagut Gjerman dhe kishte marrë pjesë në Konferencën Ndërkombëtare “One Forencics”, Forencic and Integrity Services bashkë me ministrin shqiptar të Brendshëm Sandër Lleshi.

Fatura e Berlinit:

Image

Edhe në një udhëtim të saj në rajon, ministrja e Drejtësisë është akomoduar në hotel të shtrenjtë me pesë yje. Gjonaj ka zgjedhur “Swiss Diamond Hotel Prishtina” në Kosovë për një natë nga data 25-26 mars i këtij viti. Hoteli në fjalë njihet si më luksozi në vend.

Kostoja për një natë në këtë hotel ka qenë 238 euro. Edhe pse kostoja është më e ulët se në hotelet e kryeqyteteve europiane, ministrja sërish është akomoduar në një hotel luksoz me pesë yje.

Siç shkruan ministrja në faqen e saj zyrtare ne Facebook, ajo ka takuar homologun kosovar Abelard Tahiri ku kanë folur për bashkëpunimin midis dy shteteve në fushën e drejtësisë.

Fatura e Prishtinës:

Image

Bileta avioni “në qiell”

Përpos akomodimit, transporti i ministres së Drejtësisë drejt destinacioneve europiane në disa raste rezulton i shtrenjtë. Shifat tregojnë se ministrja ka fluturuar disa herë më shtrenjtë se një qytetar i thjeshtë i Shqipërisë. Edhe pse Aeroporti Ndërkombëtar “Nënë Tereza” njihet si një nga më të shtrenjtët në rajon dhe jo vetëm, shifrat e udhëtimeve me avion të ministres janë disa herë më të larta se të një udhëtari të thjeshtë shqiptar.

Sipas dokumentave të zotëruara, biletat e udhëtimeve janë bërë me tender.

Një udhëtim në Berlin të Gjermanisë me avion për ministren Gjonaj dhe një person tjetër nga ministria në qershor të këtij viti ka kushtuar në total 432,250 lekë. Udhëtimi rezulton me tranzit Vjenën në vajtje dhe Frankfurtin në ardhje. Nëse kërkohet në platformat online të rezervimeve të biletave si Skyscanner, për të njëjtat data por për vitin 2020 dhe të njëjtin destinacion, shifra rezulton disa herë më e vogël. Edhe nëse kërkohet për datat e tanishme (gushti), çmimi është 3-4 herë më i ulët.

Image

Rasti tjetër kur biletat e udhëtimit kanë pasur kosto të lartë ka ndodhur në Bruksel, ku për dy persona, duke përfshirë ministren, shteti shqiptar ka paguar plot 321,360 lekë.

Një udhëtim normal me avion nga Tirana për në Bruksel për dy persona sipas motorëve online të fluturimeve zakonisht nuk shkon më shumë se 150,000 lekë.

Image

Rastet me bileta të shtrenjta dhe potencialisht të fryra nuk mbarojnë. Ministria e Drejtësisë ka paguar për dy persona (përfshirë ministren) për destinacionin Tiranë-Strasburg-Tiranë plot 490,200 lekë.

Image

Buxheti i Ministrisë së Drejtësisë

Për vitin 2019 dikasteri i Drejtësisë ka programuar një buxhet total prej 12,2 miliardë lekësh. Në krahasim me vitin 2018 kur buxheti ishte 10,4 miliardë lekë, buxheti këtë vit është me rritje.

Me rritje është edhe fondi për shpenzimet e udhëtimit të punonjësve jashtë vendit, ku përfshihen edhe shpenzimet e ministrit.

Për vitin 2018 fondi i planifikuar ishte 14.5 milionë lekë ndërkohë që për vitin 2019 fondi në total i planifikuar është 15 milionë lekë. /Faktoje.al

Share: