Nga Nikollaq Neranxi *
A e keni pyetur ndonjëherë veten pse vijojnë tu vidhen pronat, banorëve autoktonë të bregut edhe pse është luftuar me të gjitha mënyrat për të mos e lejuar këtë vjedhje? Unë e kam gjetur përgjigjen përgjatë viteve që kam qenë pjesë e kësaj beteje!
Njëra arsye është se rilindasit janë më të vendosur se paraardhësit që këtë grabitje ta çojnë deri në fund dhe arsyeja tjetër është se ata kanë patur edhe fat, sepse kanë gjetur ambientin e përkryer për të bërë punën e tyre, kanë gjetur një komunitet të përçarë dhe aspak dashamirës ndaj njëri tjetrit, madje shpesh edhe me tendenca të theksuara urrejtjeje.
Jo vetëm kaq, por në këto vite, individë të cilët mund të ishin bërë zëra të rëndësishëm në çështjen e pronave të Himarës, janë përdorur kundër kësaj kauze në mënyrë tinzare dhe të ulët.
Për ju që jeni nga Himara, kam disa pyetje:
Pse duhej të bënte Priamo Bollano një shoqatë të re, ndërkohë që Shoqata që unë krijova disa vite më parë dhe që i kisha ftuar të gjithë, kishte në fokus çështjen e pronave dhe po përballet edhe sot e kësaj dite në Gjykata për këtë çështje, si dhe po punon edhe me faktorin ndërkombëtar?!
Përse Kristaq Jorgji u largua nga Aleanca për Pronën, krijimin e të cilës e kërkoi vetë? Pse kur vinte puna për të bërë aksione konkrete, asnjëri nuk pranonte? Pse sot Priamo Bollano ju fton të takoni Damian Gjiknurin për të folur për pronat, pra me një ish ministër të larguar nga qeveria si hajdut, do diskutohet për çështje vjedhjesh dhe grabitjesh!!? Perkushtim shumë i madh ky nga ana e Priamos, për të rifaktorizuar Damianin në jug!
Dhe më e rëndë akoma, është lufta kundër himariotëve dhe në shërbim të grabitësve e cila tashmë po sofistikohet nëpërmjet “rrëfimeve historike” mbi rrënjët tona!!! Ish financieri i kohës së Enverit, Priamo Bollano, fisi i të cilit ka ardhur nga Progonati pas viteve 1800 në Himarë, paska vendosur të na tregojë se kush janë himariotët e vërtetë dhe jep ca emra fisesh që nuk ekzistojnë më, për t’i mbushur mendjen opinionit publik se himariotët autoktonë sot nuk ekzistojnë më!!!
E kuptoni në çfarë loje të fëlliqur janë futur?! Dhe kur dikush pyet pse nuk është në shkrim fisi i Neranxajve, Kristaq Jorgji, profesori im që më njeh shumë mirë, pyet: Pse autoktonë ishin Neranxajt? A ka turp më të madh se ky more njerëz, që ia keni falur shpirtin të ligut, në vigjilje të kalimit në botën tjetër?
Po si mund të lançoheni si njerëzit e mençur të një vendi dhe nga ana tjetër t’i bëni gropën atij vendi falë këtij statusi!? E pamundur për tu besuar, por kaq e qartë për tu lexuar!
Teksa ju lexoj vazhdimisht dhe shoh se çfarë qëllimesh të ndyra keni, brenda axhendës së grabitësve të pronave tona, më vijnë në mendje vargjet e Bajronit të cilat çuditërisht himariotët nuk i citojnë të plota. Mbase sepse iu vjen zor, sesi një mendje e mençur si Bajroni, edhe pse qëndroi pak në Himarë, arriti të kuptojë një dobësi të atij komuniteti.
Bajroni shkruante:
T’bijtë e Himarës që s’falin as mikun
Si mund ta lënë të gjallë armikun?
Se s’marrkan dot gjak me pushkët besnike,
Ka shenjë më të bukur se zemra armike?
Në fakt nuk ka shenjë më të bukur se zemra armike, por sa kohë ta kesh shënjestrën të drejtuar tek vëllezërit e tu, armiku do të jetë i fortë dhe pasi të grabisë pronën, do vazhdojë me identitetin dhe diku pas 100 vitesh, do dalë ndonjë Bollano tjetër të shkruajë historinë e tyre dhe do thotë se ata janë himariotë autoktonë prej vërteti!
Në fund dua ta mbyll me një shprehje që më pëlqen shumë: “Askush nuk mund t’ju fyejë, injorojë dhe nëpërkëmbë, pa lejen tuaj!” Ju himariotë ia keni dhënë tashmë këtë leje çdo keqbërësi të mundshëm, dikush me padijen e tij dhe dikush tjetër sepse dijen e përdor për qëllime të poshtra!
*Autori eshte Kryetar i Shoqatës për Mbrojtjen e Shtepive, Pronës, Historisë dhe Kulturës Himarë, banor i nje fisi autokton himariot që në kohën e Ciklopit, e vërtetuar me dokumenta autentike, të siguruara në mënyrë private në arkivat e Venecias, (i kam në zyrën time) të vetmet të sakta, meqë në Shqipëri historinë vijojnë ta shkruajnë sipas interesave, komunistët manipulues dhe gënjeshtarë.