20-vjeçarja shqiptare e cila u vra nga babai i saj pak ditë më parë në Melburn të Australisë, u përcoll për në banesën e fundit.
Mediat e huaja raportojnë se në ceremoni kanë marrë pjesë vëllai 11-vjeçar Pyrrhus, nëna e saj Romina, gjyshja me origjinë shqiptare dhe të afërmit e miqtë e familjes. I vetmi që ka munguar në ceremoninë mortore ishte babai i saj, i cili gjendet në paraburgim.
Arkivoli i 20-vjeçares ishte në ngjyrë rozë, ndërsa në krye qëndronte një foto ku Sabrina shfaqej e buzëqeshur, si dhe disa nga diplomat e saj.
Sabrina Lekaj u gjet e vrarë në sediljen e përparme të makinës tip “Mercedes-Benz”, ndërsa në krah të saj u gjet i plagosur edhe babai, Petrit Lekaj.
Policia dyshon se pasi ka vrarë të bijën, 49-vjeçari ka tentuar të vrasë edhe veten. Petrit Lekaj, me origjinë nga Shkodra por prej vitesh emigrant në Australi, tashmë është nën akuzën e vrasjes, teksa qëndron nën kujdesin mjekësor, në mbikqyrjen e policisë.
Vajza njihej si studente e zonja dhe pianiste e talentuar. Ajo kishte mbaruar gjimnazin në vitin 2016 me mesatare 99.36, ndërsa vazhdonte shkollën e lartë për imazheri mjekësore dhe piano klasike, me rezultate të shkëlqyera.
Sipas dëshmive, Sabrina kishte konflikte të thella me prindërit, sidomos me të atin, i cili nuk dëshironte që e bija të dilte natën me shoqërinë./Opinion.al