Ashtu siç ishte paralajmëruar mbrëmjen e djeshme është transmetuar pjesa e tretë e dokumentarit ‘Narcotica’, ku flitet mbi faktin që Shqipëria është një qendër e trafikut të drogës, dhe në një sipërfaqe të konsiderueshme të territorit kultivohet lëndë narkotike.
Në një pjesë të dokumentarit prokurori i Antimafias Nicola Gratteri ka hedhur akuza ndaj qeverisë shqiptare, pasi sipas tij mafiozët shqiptarë janë të paprekshëm në vendin e tyre.
“Në Shqipëri ata janë të paprekshëm. Bëhen të pasur, bëjnë krime. Mafia në Shqipëri ka mbështettje dhe mbrojtje nga të gjitha nivelet e qeverisë nga ata më të ulëta e deri më të larta”,është shprehur Gratteri për ‘Narcotica’ në Rai3.
Gatteru shton më tej se mafia shqiptare tani është shumë e fortë edhe në Itali, pasi në Shqipëri ajo është njësh me shtetin.
“Ne (italianët) nuk duhet që të shqetësohemi vetëm për mafian tonë, por duhet të shqetësohemi shumë edhe për shqiptarët. Ata janë bërë të frikshëm.Vetëm në një goditje kemi kapur 9 ton kanabis në Otranto”, është shprehur Prokurori i antimafias, i cili shton se bashkë me kanabisin në Itali hyn dhe kokaina dhe drogëra të tjera të forta, që merren nga vendet e Amerikës Latine.
“Lazarati është një fshat i vogël në zemër të Shqipërisë që konsiderohet prej kohësh qendra e kultivimit të marijuanës, skena e operacioneve masive policore dhe përplasjeve të armatosura. Shqipëria është një nga vendet kryesore prodhuese të marihuanës, por mbi të gjitha, toka ku kalon kokaina nga Amerika e Jugut dhe kontrollohet opiumi dhe heroina që kalojnë Ballkanin nga Afganistani”, thuhet mes të tjera në shpjegimin e RAI3.
Dokumentari ka nisur me një transmetim nga Lazarati, që dikur konsiderohej qendra e kultivimit të drogës, por që me shkatërrimin e tij nuk është mundur dot që ti jepet fund prodhimit ‘’made in Albania’.
Në dokumentar një zonjë nga Lazarati tregon dhunën që është ushtruar mbi djalin e saj në aksionin e 2014-tës, teksa thotë se është detyruar që të mbulonte të birin me trup, në mënyrë që ti jepte fund dhunës policore ndaj tij.
Francesco Mandoi, një tjetër prokuror i ANTIMAFIAS që ndodhet në Shqipëri, ka treguar se si një hetim i nisur nga drejtësia italiane ka bërë të mundur bllokimin e një sasi prej 14 mijë kilogramë kokainë që ishte bërë gati në Venezuelë dhe do të sillej në bazën e Porto Palermos në Shqipëri, me nëndetëse.
“Me hetimin tonë ne bëmë të mundur që të shkatërronim një organizatë që kishte bërë një plan të detajuar që të vinte në funksion bazën e nëndetëseve në Porto Palermo për të sjellë kokainën në Shqipëri me nëndetëse, duke e marrë në Amerikën Latine’’, ka treguar ai.
(E.K/Faxweb.al)