Home KRYESORE SHBA paralajmëron zhvendosjen e trupave nga Gjermania në Poloni

SHBA paralajmëron zhvendosjen e trupave nga Gjermania në Poloni

I dërguari i Presidentit amerikan Donald Trump në Gjermani, tha të premten se mungesa e gatishmërisë nga ana e kancelares Angela Merkel për të rritur shpenzimet e mbrojtjes, mund të mos i lërë asnjë zgjidhje Shteteve të Bashkuara përveçse të lëvizë trupat amerikane të vendosura në Gjermani, drejt Polonisë.

Komentet e Richard Grenell, ambasadorit amerikan në Gjermani, janë një sinjal rreth padurimit të zotit Trump për shkak të dështimit të zonjës Merkel të rrisë shpenzimet e mbrojtjes në 2 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto siç përcaktohet nga NATO.

Është fyese të supozosh se taksapaguesit amerikanë do të vazhdojnë të paguajnë më shumë se 50 mijë amerikanë në Gjermani, ndërsa gjermanët e shpenzojnë atë pjesë që i detyrohen aleancës për programet vendase“, tha zoti Grenell për agjencisë gjermane të lajmeve dpa.

Planet fiskale të Gjermanisë, anëtari i dytë më i madh i NATO-s, parashikojnë rritje të buxhetit të mbrojtës në 1.37 për qind të PBB-së vitin e ardhshëm përpara se të pësojnë një ulje në 1.24 për qind në 2023-n.

Vendet e Evropës Lindore si Polonia dhe Letonia, që i druhen Rusisë pas aneksimit të Krimesë në 2014-n, i kanë rritur shpenzimet e tyre ushtarake në nivelin e objektivit të vendosur nga aleanca, 2 për qind, gjë që është vlerësuar nga zoti Trump i cili kërkon që Gjermania të bëjë të njëjtën gjë.

Shtetet e Bashkuara janë ankuar lidhur me buxhetin e Gjermanisë përpara administratës Trump, por marrëdhëniet mes dy vendeve janë përkeqësuar që nga koha kur ai u bë president.

Të dy aleatët kanë mosmarrëveshje për një varg çështjesh si Irani, tarifat tregtare si dhe linja e trasmetimi të gazit NordStream 2 nga Rusia në Gjermani.

Zoti Trump tha në qershor se do të zhvendosë 1 mijë trupa amerikane nga Gjermania në Poloni. Kjo e fundit e sheh masën si parandalim ndaj një agresioni të mundshëm rus.

Ambasadorja amerikane në Poloni Georgette Mosbacher ka bërë kritika të ngjashme rreth ngurimit të Gjermanisë për të ofruar më shumë burime financiare për NATO-n.

Polonia e ka përmbushur detyrimin e saj ndaj NATO për të shpenzuar 2 për qind të PBB-së për mbrotjen. Gjermania jo! Ne do t’i mirëpresim trupat amerikane që do të vijnë nga Gjermania në Poloni“, shkruante ajo në një postim në Twitter të enjten.

Shtetet e Bashkuara kanë më shumë se 33 mijë ushtarë në Gjermani dhe një kontigjent prej 17 mijë punonjësish civilë amerikanë në mbështetje të tyre. Besohet se Shtetet e Bashkuara kanë gjithashtu një arsenal bërthamor në Gjermani.

Presidenti Trump ka të drejtë, sikurse Georgette Mosbacher“, i tha zoti Grenell agjencisë së lajmeve dpa.

Presidentë të shumtë i kanë kërkuar vendit me ekonominë më të madhe në Evropë të paguajë për mbrojtjen e vet. Kjo kërkesë është bërë përgjatë shumë vitesh, e nga shumë presidentë“, tha ai. Zoti Grenell shtoi se Shtetet e Bashkuara duhet të reagojnë nëse Gjermania vazhdon të injorojë kërkesën e Presidentit Trump për të rritur shpenzimet e mbrojtjes.

Këtë muaj Presidenti Donald Trump udhëton drejt Francës për takimin e Grupi të 7-s, ku Irani pritet të jetë një temë kryesore. Zoti Trump do të vizitojë gjithashtu Poloninë dhe Danimarkën. Në fillim të këtij muaji ambasadori Grenell kritikoi Gjermaninë për hezitimin e treguar për t’iu bashkuar një misioni detar amerikan në ngushticën e Hormuz, pranë Iranit./ Burimi VOA

Share: