Të hënën prefekti i Shkodrës do të konstituojë këshillin e ri bashkiak të Shkodrës të dalë në zgjedhjet e 30 qershorit.
Burime nga Partia Socialiste thanë dje se në mbledhjen e parë, këshilltarët do të marrin mandatin e tyre pas zgjedhjeve dhe pritet që në këtë mbledhje, e cila do të zhvillohet në ambientet e bashkisë, ata të kenë dhe vendimmarrjen e tyre të parë.
Këshilli pritet të konstatojë përfundimin e mandatit të ish-kryetares së bashkisë, Voltana Ademi, dhe të zgjedhin një nënkryetar që do të drejtojë bashkinë deri në zgjedhjet e pjesshme aty. Por, pas shkresës me firmën e prefektit për mbledhjen e së hënës, reagoi menjëherë dega e PD-së së Shkodrës.
PD e Shkodrës i bën thirrje Rektorit të Universitetit të Shkodrës, “Luigj Gurakuqi”, “të ruajë strikt asnjanësinë institucionale dhe të mos e përziejë auditorin e dijes universitare në lojën e pisët të partisë socialiste”.
“Përpjekja e 30 qershorit për të instaluar një pushtet monist është refuzuar në mënyrë plebishitare nga elektorati i Shkodrës. Çdo përpjekje për të injoruar me arrogancë mesazhin e shumicës së qytetarëve të Bashkisë Shkodër, përmes thirrjeve të paligjshme për mbledhjen e institucion- eve moniste të demaskuara tanimë botërisht, i konsiderojmë një provokim ndaj rendit normal të punëve në komunitetin tonë dhe përsëritje e veprimeve dhunuese, që kasta puniste e ushtarakëve të përdorur të Tiranës kërkon t’i rinovojë 30 vite pas përmbysjes së regjimit të etërve. I bëjmë thirrje Rektorit të Universitetit të Shkodrës, “Luigj Gurakuqi”, të ruajë strikt asnjanësinë institucionale dhe të mos e përziejë auditorin e dijes universitare në lojën e pisët të partisë socialiste“, thuhet në deklaratën e selisë blu të Shkodrës.
Thirrja e tyre shkon dhe për Kryeministrin Rama. “E njëjta thirrje i adresohet çdo drejtuesi tjetër rajonal ku shpura e të bojkotuarve do të kërkojë të fshihet për të kryer një akt të paaprovuar! Thirrja dhe akuza kryesore i drejtohet Edi Ramës: Larg duart nga Shkodra dhe mos e shndërro kryeqendrën e Gegnisë në një fushëbetejë të parë të përplasjes së reparteve tuaja paramilitare me qytetarët e lirë! Ju duhet t’i kërkoni falje dhe të tërhiqeni nga Shkodra në pritje të garës së ndershme dhe jo të vijoni aksionin uzurpues ndaj saj! Qytetarëve të Shkodrës i bëjmë thirrje që ditën e hënë të bashkohen me anëtarët e Këshillit Legjitim Bashkiak, deputetë dhe kryesinë për të protestuar paqësisht në mbrojtje të autonomisë vendore, të drejtave pluraliste dhe demokratike që shoqëria sh- kodrane ka promovuar në histori”, thuhet në deklaratën e degës së Partisë Demokratike të Shkodrës.